Përplasen dy trena në Indi, të paktën 13 viktima dhe 50 të plagosur

0
59

Të paktën 13 persona kanë vdekur dhe rreth 50 janë plagosur pasi dy trena u përplasën të dielën në shtetin jugor të Indisë Andhra Pradesh.

Përplasja ndodhi në rrethin Vizianagaram mbrëmjen e së dielës. Njëri prej tenaave kishte ndaluar në shina për shkak të një defekti, kur  treni i dytë që udhëtonte midis Visakhapatnam dhe Rayagada u përplas pas tij, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.

Qindra ambulanca, mjekë, infermierë dhe personel shpëtimi u dërguan në vendngjarje për të shpëtuar pasagjerët dhe për të nxjerrë trupat.

33 trena janë anuluar dhe 22 të tjerë janë devijuar pas aksidentit. Zyrtarët e hekurudhave presin që binarët e prekur të pastrohen që qarkullimi të rifillojë deri të hënën në mbrëmje.

Zyra e shefit të ministrit të Andhra Pradesh, YS Jagan Mohan Reddy tha se ai do të vizitonte vendin e aksidentit të hënën. Ministri ka paralajmëruar edhe dëmshpërblim financiar për viktimat.

India ka një nga rrjetet më të mëdha të trenave në botë me miliona pasagjerë që e përdorin atë çdo ditë, por një pjesë e madhe e infrastrukturës hekurudhore duhet të përmirësohet sipas CNN.

Aksidenti i së dielës vjen vetëm disa muaj pas një përplasjeje shkatërruese që përfshiu tre trena.


Top Channel