SHPËRNDAJE

Krishtlindja është kremte e ndërlikuar, delikate. Pa marrë parasysh që kurrë s’ e kam dramatizuar çeshtjen, unë, që nga dhjetori i vitit 1978, e di mirë se ajo kremte është e pajisur me lëndë të fuqishme plasëse dhe janë të pakëta ato gra apo burra që s’ e kanë provuar djegëjen dhe përvëlimin e saj.
Krishtlindja është kurrizi ifamiljes së krishterë dhe, për të qenë hyjnore siç e do Libri iShenjtë, duhendy gjyshër, dy gjyshe, një nënë, një babá dhe shumë vëllezër e motra që e duan dhe respektojnë njëri tjetrin. Jezu Krishti, profeti iNjerëzimit, edhe atëherë kur ndjekësit e tij injorantë e tallnin, e përqeshnin dhe e quanin të marrë, i mësonte apostujt e tij të duhen me njëri tjetrin, sepse duke u dashur e duke respektuar njëri tjetrin, ata e respektonin edhe të Madhin Zot, që ua kishte falë jetën.
Kjo dhe është arsyeja e vetme që unë, duke i trajtuar njerëzit sipas mësimeve të Kor’ Anit, e kam paguar çdo ditë të jetës sime me zhgënjime të pandërprera. Unë, edhe atëherë kur kam mundur të bëhem françez, suedez apo gjerman, kam preferuar të jetoj si shqiptar sepse ai fshatari, im atë, nuk më ka nxitur t’i urrej njerëzit se janë të bardhë apo të zinj, të krishterë apo myslimanë. Bash përkundrazi, gjatë kohës që po e lexoja një artikull të revistës “Albania” dhe Liliana po e shtronte darkën e krishtlindjes, unë disa herë e pyeta veten në ç’orë do ta zente kufjen e do të bisedonte me vajzat e saj. Atë punë e bëjnë të gjithë prindërit e krishterë, pa marrë parasysh marrëdhëniet e tyre personale, dhe i ngushllojnë fëmijët e tyre. Pikërisht për arsye se jeta ëshë e gjatë dhe njerëzimi duhet të bëj përpara.
Mjerisht, Lila s’ i zuri vajzat e saj me gojë dhe kjo më piklloi tej mase. Pa marrë parasysh ndjenjat që kultivonte për mua, ajo ishte nënë dhe mua ma donte xhani të fliste me to, t’ ua uronte krishtlindjen dhe të mos i lente të pikëlluara atë mbrëmje të madhe. Po matesha, madje, të flisja edhe vetë me vajzat e mia, por duke parë që sytë e saj pasqyronin një gurë të veshur me akull, e kuptova se zemërimi i sajishte tepër e thellë dhe porositë e Krishtit nuk lëshonin rrënjë n’ ate truall të mbarsur nga ngrica.
Atë natë e ndjeva veten butak. Dy a tri herë, deri sa Liliana ishte në gjumë, u mata të vishem e të shkoj në shtëpinë time. Apartamenti që kisha blerë për pak korona ishte afër dhe s’ kisha nevojë as për bicikletë, as për taksi. Kjo s’ do të thotë se isha penduar që kisha fjetur me të apo e doja më pak si femër. Por duke e parë ashtu të mërzitur e të acaruar, nuk mundesha t’ i jap të drejtë që ajo hante e pinte me mua dhe nuk i kujtonte zogjët e saj. Sado që gërmoja nëpër errësirë, askund s’ e shihja ndonjë qiri që rrezatonte arsye apo mirëkuptim.
Kështu është kur je kalë karroce. Se mos e dija si dukej ferri? Unë s’ e kisha shoqëruar Dante Aligjerin kur endej nëpër ferr.Ç’ është e drejta, unë isha aq i hutuar, sa kisha harruar se ferri, ashtu siç na mëson Kor’Ani, ishte një qenie e gjallë, për ibret e madhe, dhe lëshonte rrënjë kudo që kishte padrejtësi. Atë natë që po e vrisja veten në pikëllimin e saj, ferri e kish shfrytëzuar lodhjen time dhe vjedhurazi kish hyrë në gjoksin tim e më kishte infektuar me një sëmundje të panjohur. Nuk do të shkonte shumë dhe unë do t’ i ndieja thonjtë e tij në mëlçi, në lukth, në zemër dhe në organet e frymëmarrjes.Aty e tutje unë, natë e ditë, do të digjesha e do përcëllohesha mbi flakën e keqardhjes dhe kryengritjes.
Një shoku im, zotëri burrë e shumë i qyteteruar, duke më pyetur për atë dramë që zhvillohej në shpirtin tim, ma shtroi edhe këtë pyetje:
“ Allahile, burrë. A priton të ma japësh një përgjigje që hahet me kripë e me sheqer?”
“ Po, more,” i thash, pa e ditur se ku do të delte.
“ Ke thënë se gjatë vitit 1978 mbaje shënime të përditshme dhe i mblidhje në një dosje që e kishe emërtuar me fjalën ” Qorrsokak”… Mua s’ më pëlqen ajo fjalë, se është e huaj dhe e papërshtatshme për një novelë apo roman… Megjithate, ti e mbushje atë dosje sikur të ishje mjek dhe çdo gjë që shkruaje në faqet e saj e konsideroje – të rëndësishme. Më në fund, ajo mbushet plot dhe ti vazhdon me një tjetër, tani me titullin ” Bashkjetesa e gjymtë”… Pas”Bashkjetesës” vjen një dosje e tretë, një e katërt… Po mirë, o vëlla, ç’ ishin ata tituj: fragmente të novelave apo novela që dëshiroje t’ ilidhësh në një roman?”
“ Edhe njëra, edhe tjetra,” i thash. “ Po një ditë, shumë muaj pas asaj ngjarje, e hapa derën e shtëpisë dhe i hodha të gjitha në kontejner.”
Nuk e di se sa do të jesh i kënaqur me përgjigjen time, por ajo është në kundërshtim me mësimet e kallogjerëve, priftërinjëve e ipeshkëve të kishës katolike e ortodokse. Fundja, pse duhet të spekullojmë me porositë e librave të shenjtë?Pse duhet t’ i rrasim hundët aty ku s’ e kanë vendin?
Të gjithë e dimë se – me përjashtim të Jezu Krishtit – askush nuk është ngjallur rishtaz dhe ferri për të cilin ka shkruar Aligjeri gjendet brenda nesh?Është e vërtetë se gjatë asaj periudhe që përfshin vitin 1979 e 1980 unë kam mbushur shumë dosje të mëdha me shënime gjithfare, por të gjitha ato s’ ishin në gjendje ta pasqyronin ferrin që kishte lëshuar rrënjë në parzmin tim. Unë mbase e mashtroja veten se një ditë do ta shkruaja një vepër letrare, por shpejt do ta kuptoja se si Kosova, ashtu dhe Shqipëria, ishin dyer të mbyllura për mua dhe çdo krijues që jetonte në diasporë. Pa marrë parasysh se a i pëlqente Ernest Koliqit, Kosovë Rexhë Balës, Arshi Pipës, Hamdi Oruçit, Nexhat Peshkëpisë apo atyre tjerëve që kishin mallë për vendin e tyre, Kosova Autonome dhe Shqipëria i kishin regjistruar në listën e zezë dhe dënimi që kishin marrë ishte ”i parevokueshëm”.
Kam përshtypje, i nderuar, se të gjitha dramat që përjetojmë në jetën e përditshme kanë një rrugicë, një sokakqë na shpie drejt ferrit ose parajsës; se t’ ishte e kundërta, as Aligjeri nuk do ta shpikte atë shtegun e ngushtë që kalonte nëpër një pyll të errët dhe do ta nxirte para derës së ferrit, ku e priste Vergjili, miku i tij.Edhe ai, Aligjeri,kishte përjetuar një dramë dhe për të shpëtuar nga thonjtë e Aristotelit, Tomas de Akuinos, Shën Palit, Shën Pjetrit e mitomanëve tjerë të Toskanës, e gjeti një derë dhe u rras në botën e atyre që ishin të zhgënjyer me djallëzitë e kësaj bote. Ka mundësi që deri këtu kam qenë paki paqartë, por kjo s’ po më pengon të hyj edhe më thellë nëpër ferrat e Karadakut. Ai që e kërkon të vërtetën s’ duhet të ketë frikë nga bishat e gjarpërinjtë, thotë një fjalë e urtë.
Unë e njihja Lilianën. E kisha parë nëpër mbledhje, kisha udhëtuar me të disa herë, kisha pirë kafe, po s’ kisha fjetur dhe s’ isha zgjuar në të njejtin shtrat. Në agun e asaj romance s’ isha katandisur veçse në një qorrsokak. As e dija si e kishte emrin ai qorrsokak, as e dija ku do më nxirte. E vetmja gjë që kisha mësuar prej saj ishte – se Lila ishte një fije e këputur e Gjakut tim dhe, ndonëse s’ ishte e shqiptare, ajo me çdo kusht donte ta mësonte gjuhën tonë. Mjerisht, dashuria që ynë ishte lëndinë e përcëlluar nga motet, se të dytë kishim qenë në zgjedhën e familjes tradicionale dhe ajo që na duhej më së paku ishte të hynim përsëri në zgjedhën e saj. Nëse egzistonte diçka që na afronte me njëri tjetrin ishte nënqielli i Karadakut, doket dhe zakonet tona, por jo dhe prirja individuale. Shumë më vonë, pasi kishin kaluar gjashtëmbëdhjet vjet, ajo do ta pranonte se me kish dashur dhe gjithnjë më donte, por e kishte marrë në qafë xhelozia.
Nejse. Ashtu na iku Krishtlindja. Sado i mërziturqë isha, bëra çmos ta mbaj veten dhe të sillem si ”në shtëpi të huaj.” Përderisa ajo vetë kish shkuar në zyrën e Ndërmarrjes Komunale, e kish pëlqyer atë banesë,kishte nënshkruar kontratë, dhe e kishte vënë emrin e saj në derë, unë mundesha të sillem vetëm si mysafir i saj dhe askush s’ më pengonte të shkoja në shtëpinë time. Fundja, ajo ishte femër dhe unë s’ mundesha të dija çka vlonte në shpirtin e saj. Ajo mbase s’ ishte mirë, mbase donte të shihej me bijat e saj, por e pengonte prezenca ime…
Sidoqoftë, gjatë tri ditëve që ishim të lirë askush nuk iu lajmërua, askush s’ e pyeti si ishte, askush s’ ia uroi krishtlindjet – dhe heshtja që mbretëronte n’ atë shtëpi ishte e ftohtë, të mos them ofenduese. Ku ta dija unë se ferri kishte ardhur natën dhe kishte lëshuar rrënjë në edhe në shpirtin e saj?
Bënte ftohtë dhe qyteti ishte i zymtë, i zhveshur nga salltanati I bardhë. Të gjithë arsimtarët tjerë ishin të lirë. Vetëm unë dhe zonja Bauth duhej të punonim gjatë ditëve që na ndanin nga Viti i Ri. Gjatë pushimit të drekës fola me Hajdarin dhe, pasi e pyeta mbi kohën kur do të shkonim në Treleborg, e lamë të shihemi më ora shtatë të mbrëmjes. Ishte pak i stresuar se, pos neve të katërve, atë natë do të vinte edhe Bashkim Lena nga Struga, Qemal Saliu nga Shkupi, Jashar Hodo nga Filati dhe Skender Zariqi nga Prishtina. Me këtë të fundit më lidhte Ali Podrimja, të cilin Skenderi e donte dhe respektonte jashtzakonisht shumë.
Askush, as Hajdari që do na çonte në Treleborg, as qytetarët tjerë suedezë, që rëndomt i ndjekin raportet metereologjike, nuk dinin gjë për një shtrëngatë që do vinte nga Danimarka. Përkundrazi, duke dashur t’i ruanin sa më mirë doket dhe zakonet e të parëve, ata ikishin mbushur shitoret e pijeve alkoholike dhe bleni çkado që u delte para… Lëngje, birra, vërëra e pije të forta alkoholike… Pa marrë parasysh se dikush e kishte cekur që atë natë do binte pak borë, shumica ishin duke psonisur mishëra, fruta, ngjala, peshk e prodhime tjera të tymosura.
Aty nga ora katër, deri sa po pinim kafe dhe po arsyetonim si do të vishemi, nga dritarja e kuzhinës pamë se qielli ishte veshur me re dhe ca flluska të rralla bore po e mbulonin parkingun që gjendej përballë supermarketit ICA.Kjo, pra, s’ ishte aq e parëndomtë, se po hynim në dimër dhe të reshurat ishin pjesë përbërëse të tij. Ne s’ kishim arsye të shqetësoheshim se Treleborgun e kishim afër dhe atje do të shkonim me makinën e Hajdarit ose Ismetit.
Për fatin tonë të keq, të reshurat, tani të përcjella edhe me erë, nuk pushuan fare. Rrugët, kopshtijet dhe kurorat e pemëve veshën rroba të bardha, edhe ate, gjatë kohë para se të visheshim për festë.
Aty nga ora shtatë na u lajmërua Hajdari. Ai punonte në tragetin “Hamlet” dhe sapo kishte mbërritur në shtëpi.
“ Hë, si do t’ ia bëjmë?” e pyeta.
Ai nuk tha gjë dhe unë ndjeva diçka të pakëndshme në shpirt.
“ Të shohim ça po thotë radioja,” ma ktheu.“ A i keni dëgjuar lajmet?”
” Jo, se ishim përjashta.”
” Po thonë që një borë e madhe është duke ardhur.Hapeni televizorin dhe, pasi t’ i shihni lajmet, vendosni si do bëjmë.”
” Animirë.”
Por lajmet s’ ishin të mira. Shtrëngata, e përcjellë nga sasira të mëdha bore, e kishte qëlluar Danimarkën për vdekje. Autostrada Kopenhagë – Odense ishte bllokuar dhe me qindra makina kishin ngecur në vend. Për të qenë e keqja më e madhe, pronarët e makinave s’ mundeshin të komunikonin me familjet e tyre, sepse stuhia, që tani e kishte prekur edhe Halandën, i kishte gozhduar në vend. Ata s’ mundeshin as para, as prapa, dhe po ta donte puna, mbase do të vdisnin në automjete.
Një panik i madh e mbërtheu Suedinë.
Veni re, veni re! Mos dilni përjashta nëse s’ jeni të detyruar. Harroni teatrot, kinematë e restorantet ku e kishit ndër mend ta pritnit Vitin e Ri. Ndiqni Tevizionin Suedez dhe merni kontakt për çdo gjë që ju duket e pazakonshmne.
Të dy programet e Radiotelevizionit Suedez, me ndërprerje të vogla, emitonin vetëm skena të një vendi që po paralizohej nga bora, stuhia dhe acari. Ndërkohë, ekrani ziente nga gjimnazistët që duhej ta prisnin Vitin e Ri nëpër klasa e internate të shkollave, maunet e katandisura nëpër ara, njerëzit që përpiqeshin të çonin bukë nëpër fshatra,zjarrfikësit që nxirnin udhëtarët nga makinat e tyre,autoambulanca që kishin ngecur në autostradë, sallate boshatisura teatrale, çfaqjete pezulluara teatrale, si dhe shtëpite që po zhdukeshin nën jorganin e borës.
Duke qenë se apartamenti i Lilës gjendej në katin e trembëdhjetë, unë, pa patur nevojë të dilja përjashta, mundesha ta përcillja dramën që zhvillohej në të dyja anët e soliterit. Frynte a s’ frynte era? Deri n’ atë mbrëmje kisha përjetuar shira, inondata, dallgë deti, frikë, por asnjë herë s’ kisha parë borë që binte si me thasë dhe nën të cilën zhdukeshin jo vetëm gardhet, po dhe shtëpitë përdhese, garazhet… Herë pas here çfaqej ndonjë makine, me siguri ndonjë shpirt i paqetë që donte të shkonte te shtëpia, po bora s’ ia lëshonte rrugën. Gjatë kohës që ne po e përcillnim atë betejë mbinjerëzore, me dhjetra veta i braktisën makinat dhe u turrën drejt rrokaqiellit tonë.
Aty nga ora nëntë, nëntë e gjysmë, na u lajmërua Hajdari. Ai dukej i qetë dhe pakëz i thyer.
” Hë, qysh po duket andej nga lagjeja juaj?” më pyeti.
Çka djallin t’ i thoshja? Ajo që era ishte xhindosur fare dhe donte t’ i copëtonte dritaret e shtëpitë nuk më kishte bërë përshtypje sa fytyra e vërenjtur e Lilianës, që tani e kishte veshur pshtjellakun dhe po na i i bënte ca pirogë me djathë.
” Kurrë s’ kam përjetuar diçka të këtillë,” i thash Hajdarit. ” Pak më parë erdhën automjetet e rimorkimit dhe i zhgulën nja tri katër makina nga bora. U pa puna… Sivjet do ta presim Vitin e Ri si ata minjtë e filmave të vizatuar… Megjithate, pasi jemi larg nga ngrica e acari, s’bën të qahemi. Mundej të bënte edhe më keq e ta prisnim me llamba në duar. Hajde, pra, se dëgjohemi.”
” Ani,” tha ai. ” Dëgjohemi pas orës dymbdhjetë. Nëse na këputet lidhja, gëzuar Vitin e Ri. Si ty, ashtu dhe Lilës. Veç gëzime!”
” Edhe juve. Përqafoe Ulën.”
Ndërkohë, shtrëngata u egërsua edhe më shumë. Era fishkëllente përjashta dhe ata të ”Buletinit Metereologjik” i thërrisnin qytetarët të rrinë brenda… Shtrëngata do të vazhdonte tërë natën… U pa dhe kjo punë… Moti na kishte marrë inatë dhe të gjithë ne, për fajin e atyre që me dekada e kishin përbuzur, duhej të hanim darkë përpara televizorit dhe ta ngushllonim veten me filma të vizatuar.
Koha mejti në vend. E shtruam tavolinën, hapëm një shishe me verë dhe, herë duke ngrënë, herë duke pirë, e ndiqnim një program që e kishin dhënë komikët Hasse Alfredsson e Tage Danielsson në restorantin ”Berns”. Papandehur, vura re se sytë e Lilës kishin veshur një cipë të hollë akulli. Fytyra e saj ishte vrarë si moti që harbonte përjashta, ndërsa zëri i saj, ai organi që pasqyron më së miri disponimin shpirtëror, ishte më i lartë, më i mprehtë, gati se armiqësor në ngjyrnat e tij.
” Unë s’ jam i punësuar te i Madhi Zot,” i thash në ton shoqëror. ” Edhe vetë kisha qejf ta presim me shokë, po s’ paska qenë e shkruar të kënaqemi. Sa po më vjen keq për ty, po më vjen edhe për veten.”
” Këto i ka jeta,” tha shkurtë – shkurtë.
” As topi s’ e luan.”
Jo, s’ kisha asnjë rrugëdalje. Unë n’ atë vend i kisha mbaruar studimet. Kisha shokë, kisha shoqe, kisha grua, kisha fëmijë dhe, duke mos mundur t’ iu lajmërohesha gjatë jetës së përditshme, gjithmonë i kujtoja natën e Vitit të Ri.
” Kam nja dy miq,” i thash. ” Njëri është shqiptar dhe jeton në Stockholm, ndërsa tjetri është suedez dhe jeton në Eskilstuna. Ai shqiptari është shkupjan… Edhe shoqen e ka nga Shkupi… Ndërsa Ulmari është suedez, po shqipen e flet si ne… Do të dëshiroja t’ua uroj Vitin e Ri pas orës dymbëdhjetë.”
” Ja ku e ke telefonin,” tha duke e cakrruar gotën me mua.” Ishalla do t’ i takoj një ditë.Nëse suedezi mund ta mësojë gjuhën tonë, pse të mos e mësoj unë?”
” Gjithsesi,” e trimërova unë. ” Po ti do të flasësh me gocat?”
Ajo më pa me inatë.
“ Kurrën e kurrës,” tha Lila. Dukshëm e pezmatuar. “ Unë i kam pjellë ato paçavure, jo ato mua. Nëse s’ më lajmërohen as sonte, s’ ka nevojë të lajmërohen kurrë në jetë.”
“ Ato janë të reja dhe kanë frikë nga gjyshi apo gjyshja e tyre,” i thash pa të keq. “ Ti je nëna dhe s’ guxon të arsyetosh në këtë mënyrë.”
Ajo, nga sa pashë, s’ ishte dakort me mua, se më pa me sytë e një mace që s’ pritonte të të gërvishte me thonj.
“ Po ti psepo m’ i kujton detyrimet?” ma ktheu. ” Ajo që thua është e vërtetë, po ti je burrë dhe s’ mundesh t’i njohësh fëmijët më mirë se unë që jam grua. Më lejo ta kujtoj se fëmia, i cilësdo gjinie qoftë, s’ ka nevojë për babá, po për nënë. Andaj s’ dua t’ i thërras ato bushtrat, se një ditë do bëhen nëna dhe duhet ta mësojnë rolin e tyre. Ju, burrat, s’ keni obligime dhe fëmijët s’ ua kanë nevojën.”
“ E, këte s’ e paskam ditur,” i thash me një doze ironie dhe nxora një libërth të vogël shënimesh, ku kisha shënuar e numrat e Ulmar Kvikut e Zia Bunjakut.
Ora ishte dymbëdhjetë pa pesë minuta. Edhe pak çaste dhe ne do të ndaheshim nga një vit i prapë, flokëthinjur, plot e përplot me ngjarje të trishta, dhe do të hynim në një vit tjetër, për të cilin as ishte thënë, as ishte shkruar diçka. Pikërisht për atë shkak unë duhej t’ i merja miqët e mi në telefon dhe t’ ua uroja një vit të mbarë e të këndshëm. Por vajzat e mia duhej t’i leja të qeta, sepse diçka e huaj, që s’ kishte as këmbë, as duar, më tha se Lila dhe ato s’ prekeshin askund. Bijat e mia ishin n’ Islandë, Lila ishte në Ural.
Atë natë nuk fjeta fare. Shumë gjëra s’ i kisha të qarta. Shumë mendime lugetëronin nëpër kokën time.
Të nesërmen, gjatë kohë para se të dilnin makinat e Shërbimit Komunal për t’ i hapur rrugët e zaptuara nga bora, u përvodha nga fjetorja dhe dola në kuzhinë.Malmja ishte gjithnjë në koma dhe duheshin orë të tëra deri sa t’ i vinte shpirti. Ndërkaq, unë kisha të ngutur. Duhej të bëja diçka, edhe ate, para se të zgjohej Liliana, që prore ishte në gjumë dhe shikonte ëndrra të bukura. Për fatin tim të keq, unë, edhe pse kisha fjetur në një dhomë me të dhe s’ kisha asnjë vërejtje kundërpamjes saj, nuk shihja asnjë rrugëdalje nga situata ku ishim katandisur. Duhej me çdo kusht t’ ia artikulloja mendimet e mia me fjalë të thjeshta.
Tani s’ po më kujtohet teksti i plotë i asaj letre, por gjithësesi brendia e saj, se akoma e kam në kokë. Që t’ i bie shkurt – e këputa një faqe të fletorës dhe, pasi ia ceka se ishte një femër e mirë dhe e sjellshme, e falenderova për kohën që kishim klauar bashkë, por të gjitha shenjat që kisha shquajtur gjatë asaj kohe, nuk më dukeshin premtuese dhe më e mira që mund të bëja ishte të shkoja në shtëpinë time e të bashkjetoja me botëkuptimet e mia, të cilat, edhe nëse ishin të gabuara – ishin vetëm të miat.
Unë mundesha ta përjashtoja këtë detaj, por dua me çdo kusht të cekë, se në përpjekjet e mia për t’ i mbrojtur të miturit, ku bënin pjesë edhe vajzat e mia, e pashë më të arsyeshme të shkoj në Tornfalksgatan, ku e kisha lirinë të mendoj vetë, se sa të hyja e të dilja nga ajo kullë që pushonte mbi botëkuptime të prapa. Unë, ç’ është e drejta, isha i gatshëm ta pranoja cilëndo pikëpamje, por si zëvendësdrejtor që isha, nuk mundesha ta quaj të arsyeshëm një botëkuptim që thonte se fëmijët s’ kanë nevojë për babë.
Ashtu dhe bëra. E përfundova letrën që duhej ta shkruaja, e vura të hapur mbi tryezë dhe, pasi e vesha pallton e dimërit, u përvodha nga ajo godinë që asnjë ditë s’ ma kishte ngrohur shpirtin.
Përjashta mbretëronte kaosi. Era njëmend kishte pushuar, por gjithçka tjetër ishte katandisur nën jorganin e borës që– vende – vende – ishte më e lartë se unë. Ngado që shikoje, nuk shihje tjetër pos shelgje, vidha e plepa të rrëzuar për toke, si dhe vazhdën e drejtë, gjeometrike, të rrugës që shkonte drejt qendrës së qytetit. Me sa duket, ajo vazhdë ishte e vetmja që kishin hapur makinat e Shërbimit Rrugor.
Që ta them të drejtën, nuk ndjeva kurrfarë dhembjeje apo shqetësimi që kisha dalë me natë nga apartamenti i saj dhe po nxitoja drejt shtëpisë sime. Ajo banesë e vogël njëdhomëshe, e veshur me perde të gjata dhe e shtruar me qilima të trashë, ishte shtëpia më e qetë në botë. Egoist? Aventurier? Bukëshkalë? Jo, asnjëra prej tyre. S’ isha unë as egoist, as bukëshkaë, por një prind i thjeshtë shqiptar. Unë s’ mundesha të shkilja si elefant mbi ndjenjat e dy vajzave të mia, të cilat, pa marrë parasysh se isha ndarë prej nënës së tyre, kishin të drejta ligjore të më takonin mua. Nëna e tyre mundej të bashkjetonte me cilindo burrë që donte, ajo ishte e drejtë e saj, por si ajo, ashtu dhe unë, ishim prindër dhe, në rast se nuk e dinte apo s’ donte ta dinte Liliana, ajo ishte çeshtje tjetër. Përpara ligjit dhe të Madhit Zot ne ishim prindër dhe s’ guxonim ta mohonim rolin tonë.
Mjerisht, s’ paska rregull pa përjashtime. Atëbotëpunoja si mësues, por jo si psikolog, dhe nuk e dija se egzistonte një sëmundje e çuditshme që quhej ankth dhe të gjithë ata që vuajkan nga ajo sëmundje u djersitkan nga sikleti, iu mirkan mendtë, iu thaka pështyma në gojë dhe nuk pritokan të zihen. Qoftë edhe për asgjë. Kjo vijkanga sistemi nervor, i cili, mësëpari, i aktivizoka hormonet e stresit në tru, pastaj i nxitka të sëmurët të zihen, të shahen dhe të mos i besojnë besojë askujt. As njerëzve më të afërm.
Tani që po ecja drejt shtëpisë, duke e shkelur borën që kish rënë gjithë natën e lume, unë, edhe pse nuk e thoshja me zë, po orvatesha të përjashtoj gjithëçka që kishte të bëjë me të: edhe gjenezën e saj suspekte, edhe fshatin e të parëve, që duhej të ishte diku midis Gostivarit e Tetovës, edhe prindërit e saj partizanë, edhe përjetimet e saj fëminore, edhe frikën e saj nga vdekja, virtytyt ky që e kishte trashguar nga të parët e saj. Unë, nëse vazhdoja të jetoj me të, duhej ta mohoja mishin tim dhe ta tumirja mishin e saj.N’ atë orë të mëngjesit, unë isha gjithëçka nga pak: i lodhur, dërrmuar, i pagjumë dhe i ngarkuar me ca ndjenja të ngatërruara me njëra tjetrën si ngjalat që kisha parë në tregun e Vlorës. S’ kisha ama asnjë dëshirë tjetër, pos të mbyllesha në banesën time përdhese, dhe të lexoja diçka të gjatë, voluminoze, deri sa të ngopesha me ato që kishin qenë dikur por nuk s’ ishin më.

( vazhdon )

Shkruan: Ramadan Rexhepi