Haxhiu: Kemi ngritur nivelin e zbatimit të ligjeve dhe efikasitetin e gjyqësorit – Telegrafi

0
78

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka deklaruar se gjatë tri viteve e fundit kanë ndërmarrë reforma të thella të politikave dhe ligjeve në sektorin e drejtësisë por edhe në sundim të ligjit, një numër i të cilave janë ende në proces të finalizimit.

Haxhiu këto komente i bëri gjatë takimit të dymbëdhjetë të Komitetit Drejtues të Programit të BE-së, për sektorin e drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST, ku është bërë prezantimi i aktiviteteve dhe rezultateve gjatë periudhës raportuese korrik- shtator 2023.

Sipas saj, gjatë tri viteve është ngritur edhe niveli i zbatimit të ligjeve dhe efikasiteti i gjyqësorit.

“Si institucione të Kosovës kemi pasur rastin të bashkëpunojmë me ekspert nga shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht nga sistemi i drejtësisë dhe administrata publike e Gjermanisë dhe Kroacisë, përvojë e cila ka qenë mjaft e dobishme për ne që të kuptojmë edhe më mirë reformat që duhet të ndërmerren në procesin e rrugëtimit tonë në integrimet evropiane. Siç e dini Qeveria ka aplikuar për status të vendit kandidat dhe ne jemi me shpresë që do të kemi përgjigje pozitive, kjo sepse posaçërisht në këto tri vitet e fundit kemi ndërmarrë reforma të thella të politikave dhe ligjeve në sektorin e drejtësisë por po ashtu edhe në sundim të ligjit, një numër i të cilave janë ende në proces të finalizimit, kemi ngritur gjithashtu nivelin e zbatimit të ligjeve dhe efikasitetin e gjyqësorit që vërtetohen nga mekanizmat e ndryshëm monitorues ndërkombëtar. Presim që raporti i ardhshëm për vendin i Komisionit Evropian të reflektojë këto ndryshime pozitive“, tha ajo.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kujtoi se si ky projekt është realizuar edhe në Kroaci.

“Fuqizimi i sundimit të ligjit është qenësore për demokracinë dhe integrimin në BE . Jam i impresionuar kur po shoh që aktivitete të ndryshme që janë mbuluar nga projekti duke filluar nga mbështetja e reformës së institucioneve gjyqësore, qasja në drejtësi, aktet ligjore fundamentae sic kodi i procedurës civile dhe të tjera“, tha ai, duke premtuar mbështetje edhe në të ardhmen.

Ky takim është kryesuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli dhe kanë marrë pjesë edhe Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisiq, drejtuesi i ekipit, Zyra e BE-së në Kosovë, Nicola Scaramuzzo, përfaqësues nga EUKOJUST, si dhe përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe të tjerë.