Hapet aplikimi për edicionin e gjashtë të garës së madhe të robotikës Kosova Makers League Open 2023/24 – Telegrafi

0
78

Liga e Krijuesve Kosovarë – Kosova Makers League (KML) është platformë edukative jo-formale, që organizon garën më të madhe të robotikës në vend dhe që ka për qëllim prezantimin e fëmijëve me botën e robotikës përmes sfidave dhe aktiviteteve tjera STEAM, të cilat nxisin te fëmijët të menduarit kritik, kreativitetin, punën në grupe dhe komunikimin.

Me datë 6 Tetor, Kosova Makers League ka hapur aplikimin për edicionin e ri të Garës së Robotikës KML Open me temën “Eko Aventura”. Ftohet të gjitha shkollat publike, private dhe institucionet tjera edukative (OJQ, biblioteka, etj) që punojnë me fëmijë të grupmoshave 6-14 vjeç të aplikojnë dhe të krijojnë ekipin e tyre prej 5 anëtarësh (4 nxënës/e dhe 1 mentor/e).

Gjatë muajit Qershor dhe Korrik, Kosova Makers League ka përmbyllur me sukses kampanjën “Një robot për çdo fëmijë”, e cila ka pasur për qëllim mbledhjen e të hollave për të siguruar sa më shumë robotë për shkollat tona publike. Për këtë arsye, këtë vit, rreth 250 shkolla publike të Kosovës do të pajisen falas me robotë edukativë, micro:Maqueen Plus, i cili si vitin e kaluar, edhe këtë vit, së bashku me fëmijët hap pas hapi do të përmbushin misionin e tyre të veçantë gjatë katër raundeve të garës.

Në total, pritet që mbi 1200 robotë të shpërndahen gjatë muajve Dhjetor dhe Janar për këto shkolla.

Që nga hapja e aplikimit, Kosova Makers League ka pranuar mbi 200 aplikime, prandaj kanë mbetur shumë pak vende për shkollat që duan të i bashkohen garës më të madhe të robotikës në vend.

Ky edicion i Garës së Robotikës – Kosova Makers League Open 2023/24 po mbështetet nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, Fondacioni BONEVET Prishtina, KEP Trust dhe Korporata Rugove.

Afati i fundit për aplikim për këtë edicion të garës është 6 Nëntor!

Aplikoni për pjesëmarrjen e ekipit tuaj në Garën e Robotikës KML Open, duke klikuar në këtë link: https://tinyurl.com/ms2duevm

Për më shumë informata rreth tërë organizimit të garës për këtë edicion, klikoni në linkun: https://tinyurl.com/27fctnh6