Kosova Makers League për herë të parë në panairin më të madh të inovacionit, Maker Faire Rome – Telegrafi

0
73

Kosova Makers League ka përmbyllur Edicionin e Pestë të Garës së Robotikës, KML Open 2022/23, me një super finale ku pjesëmarrës kanë qenë 85 ekipe nga komuna të ndryshme të Kosovës. Në super finale, përveq shpalljes së ekipeve fituese të edicionit, u shpall edhe çmimi shpërblyes për ekipet fituese që ishte bileta për vizitë në panairin më të madh të inovacionit dhe kreativitetit, Maker Faire Rome, në Romë.

Për herë të parë, nxënësit nga Kosova patën mundësinë të përfaqësonin vendin e tyre në një skenë ndërkombëtare të njohur për inovacion dhe teknologji të sofistikuar. Maker Faire Rome është panair ku krijues të vendeve të ndryshme të botës sjellin krijimtarinë e tyre, dhe këtë vit nxënësit e Kosovës ishin pjesëmarrës në këtë panair, ku u njoftuan me robotë dhe mjete edukative, u angazhuan me ndërtimin e një droni dhe eksperimentimin me VR, ndërtuan figura me laps 3D dhe testuan pajisje nga fusha e inteligjencës artificiale.

Një moment i veçantë për katër nxënësit fitues ishte mbajtja e punëtorisë “A Coding Adventure with micro:Maqueen Plus” në ambientet e Maker Faire Rome. Gjatë punëtorisë, nxënësit i’a dolën që me shumë sukses të udhëzojnë saktë të gjithë njerëzit që u interesuan rreth programimit të robotit micro:Maqueen Plus, e të cilët vinin nga vende të ndryshme të botës.

E gjithë kjo eksperiencë u mundësua nga mbështetja e Drejtorisë së Kulturës në kudër të Komunës së Prishtinës.

Vizita në këtë panair të inovacionit do të bëhet shpërblim i çdo viti nga Kosova Makers League për ekipet fituese të Garës së Robotikës KML Open.