Sot koncerti i Elsa Lilës në Tiranë, këngëtarja pritet nga Veliaj: Jemi krenarë për ty! Bekim dhe kënaqësi të të mbështesim

0
37

Në Pallatin e Kongreseve po bëhen përgatitjet e fundit për koncertin recital “Finalmente Elsa”, të këngëtares së dashur të muzikës së lehtë shqiptare, Elsa Lila.

Pak orë para ngjitjes në skenë, ajo u prit sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se shqiptarët janë krenarë për artisten e mirënjohur, për të gjithë suksesin e saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, ku jeton prej 26 vitesh.

“Ne jemi shumë krenarë për ty dhe më vjen mirë që, pasi ke kontribuar si ‘kripa në gjellë’ në të gjitha festivalet, sot në mbrëmje do të jesh ti ‘pjata’ kryesore me këtë recital. Për ne ka qenë një bekim i madh dhe një kënaqësi që të të mbështesim. Çdo qytet, sado modest të jetë, nuk duhet të kursejë për njerëzit që punojnë, për njerëzit që kanë sakrifikuar, për njerëzit që pavarësisht sfidave në jetë, janë rrëzuar e janë ringritur. Historia e Tiranës nuk është historia e atyre që ua kanë shtruar tapetin e kuq, apo që ua kanë hapur dyert e suksesit ata të shtëpisë, por është e çunave dhe gocave që janë rritur vetë, me 100 vështirësi, dhe në vend që të bëhen më të hidhur, janë bërë më të mirë dhe më të dashur. Ti je njëra prej tyre”, tha Veliaj, i cili i dhuroi këngëtares edhe kullën simbolike të Sahatit të Tiranës.

Pasi falenderoi kryebashkiakun, Elsa Lila kishte edhe një ftesë të fundit për të gjithë ata që ende nuk e kanë blerë biletën: “Shumë faleminderit nga zemra për mbështetjen, për dashurinë, dhe ju pres të gjithëve sonte në Pallatin e Kongreseve, të këndojmë këngët e mia të këtyre 27 viteve!”

Të gjitha këngët e Elsës, të cilat i kemi dëgjuar dhe kënduar prej vitesh, si: “Pyes lotin”, “Vetëm një fjalë” apo “Evita”, kënga dedikuar vajzës së saj, do të jenë pjesë e koncertit. Elsa Lila do të shoqërohet në këtë event të rëndësishëm të karrierës së saj edhe nga një bandë muzikore italiane, pjesë e së cilës është kompozitori Enrico Melozzi, i cili  ka drejtuar disa herë orkestrën e Festivalit të Sanremos, ndërsa i ftuar special do të jetë këngëtari Pirro Çako.


Top Channel