Tahiri: I vetmi projekt “madhor” i Qeverisë Kurti është pagesa e energjisë elektrike për serbët në veri – Telegrafi

0
44

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me projekt-buxhetin për vitin 2024, i cili u miratua me votat e shumicës në seancën e Kuvendit të enjten.

Tahiri ka thënë se i vetmi projekt “madhor” i kësaj qeverie vazhdon të mbetet pagesa e energjisë elektrike për serbët në veri.

“Dje, Kuvendi i Kosovës, me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, miratoi projekt-buxhetin e katërt të Qeverisë Kurti. I vetmi projekt ‘madhor’ i kësaj qeverie vazhdon të mbetet pagesa e energjisë elektrike për serbët në veri. Mbi 113 milion euro të paguara vetëm për vitet 2021 dhe 2022, ndërsa dhjetëra miliona borxhe për vitin 2023. Mbetet të shihen humbjet milionëshe në vitin 2024”, ka shkruar ai në Facebook.

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e pozitës të enjten kanë miratuar në lexim të parë projekt-buxhetin për vitin 2024.

Me akuza e kundër akuza Qeveri-opozitë është përcjellë seanca maratonike plenare prej më shumë se dhjetë orëve për shqyrtimin të projekt-buxhetit për vitin 2024.

Gjatë shqyrtimit të parë të projekt-buxhetit për 2024, kryeministri Albin Kurti në seancë plenare tha se në buxhetin e paraparë prej më shumë se 3.3 miliardë euro do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se në vitin aktual. /Telegrafi/