Erdogan dënon qëndrimin e Perëndimit për Gazën duke e quajtur ‘të verbuar nga ideale imperialiste”

0
46

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kritikuar ashpër sot qëndrimin e vendeve perëndimore për konfliktin brutal që vijon në Gaza, ku bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 11,000 palestinezë, rreth gjysma e tyre gra e fëmijë.

“Perëndimi, i robëruar nga ideale të kryqëzorëve imperialistë, është i gjithi bashkë. Për fat të keq unë e vërejta këtë gjatë vizitës time të fundit në Gjermani, ku kjo mendësi reflektohej nga presidenti gjerman”, tha sot Erdogan teksa i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve pas fluturimit të kthimit nga Gjermania, shkruan rrjeti vendas Anadolu.

Ai ishte dje në Berlin për një vizitë një-ditore ku u takua me kancelarin Olaf Scholz dhe me presidentin Frank-Walter Steinmeier.

Qeveria gjermane ka thënë disa herë se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet” kundër Hamas dhe ka kundërshtuar thirrjet për armëpushim në Gaza, duke thënë se kjo mund t’i sjellë avantazh grupit militant palestinez.

Erdogan tha se i kishte deklaruar Scholz se Ankaraja është e trishtuar që Gjermania abstenoi nga rezoluta e OKB për armëpushimin humanitar në Gaza.

Trupa botërore e 193-vendeve miratoi në fund të muajit që shkoi rezolutën jo-detyruese me vota 120-14 dhe 45 abstenime. Franca votoi pro rezolutës, Gjermania, Italia e Britania abstenuan, kurse Austria e SHBA votuan kundër./AnadoluAgency/


Top Channel