SHPËRNDAJE

tjerët. Nga të gjitha huqet, shprehitë, virtytet, doket dhe zakonet me të cilat na ka paisur i Madhi Zot, ajo që bie në sy më së tepërmi është kapardisja ynë perandorake, për të cilën s’ e kursejmë askend. As motrat tona, as vëllezërit tonë, as vendlindjen, as flamurin. Sikur të mos ishte ai uni ynë patologjik, i regjur në lëngun e epikave labe dhe barotin e lagësht të Enver Hoxhës, ne duhej – të paktën – ta kishim pushtuar Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi, po shi kur ishte koha t’ i realizonim aspiratat tona, dolën Fuqitë e Mëdha dhe na i prishën te planet.
Ndiej keqardhje që këta rreshta po i nis me lotë, por duke u nisur nga ato që pashë në Preshevë, Prishtinë e Tiranë, mund të them me plot gojë se në vendlindjen tonë pushon kërma e një qeni të ngordhur dhe duhma e tij ka mbërritur deri n’ oborrin e Shtëpisë së Bardhë.
Kjo dëshmon se ne, shqiptarët, edhe kur shtiremi burra të mirë e atdhetare të flakët, në të vërtete syrin e kemi te mburrkat dhe fama. Nuk thonte kot Faiku se atdhedashuria ynë është e hollë sa teneqeja. Po t’ i mbledhim të gjitha gënjeshtrat, mashtrimet e torturat që ia kemi kurdisur njëri tjetrit, pirgu i tyre do të bëhej sa Gjeravica. Por ata – jemi. Ne i fajsojmë të tjerët për disfatat tona dhe kurrë s’ e pranojmë që vetë jemi vrasësit më të egër të Shqipërisë Etnike. Në vend se ta nxjerrim të vërtetën në pah ashtu siç është – të virgjër e të padjallëzuar – e veshim me lloj lloj kostumesh e rreckash egzotike. Çka se e vërteta është një dhe të gjithë ata që i thonë vetes shqiptarë, që nga Arta e deri në Mitrovicë, po e shohin se vendlindja ynë është katandisur n’ ankand. Shqiptarët, këta burra të varfër e të sinqertë, janë zhgënjyer dhe s’ po dinë nga t’ ia mbajnë. Tani ata mund ta braktisin lirisht Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, sepse ëndrrat e tyre i ka ngrënë ujku dhe trojet e tyre po i blejnë ish hyzmeqarët e bejlerëve turq dhe loparët e gazdallarëve serbë. Shqipëria, vendlindja ynë e dashur, po bën një hap para, dy hapa prapa.
Po, vëlla. Po afrohet dita kur do të fillojë varrimi definitiv i përpjekjeve tona për liri e pavarësi, si dhe prezantimi zyrtar i ca përpjekjeve që Shqiptarët e Rinj do t’ i quajnë kryevepra post-jashariane. Jo ashtu siç ishin, po ashtu siç iu pëlqen atyre, kur shohin ëndrra në drekë duke u eglendisur me “partizankat” e tyre.
Duke dashur të mësosh pak mbi veprimtarinë e shqiptarëve të Malmes, zotrote shkruaje:
” Sipas të dhënave që keni nxjerrë deri sot del se ju dhe ca shokë tjerë ishit kundër anëtarsimit të Shoqatës Kulturo Artistike ”Kosova” në Lidhjen e Shoqatave Jugosllave. Deri këtu – në rregull. Por unë kam të dhëna se kundërshtarët tuaj, në ballë të të cilëve ishte një Safet Çela, menjëherë iu drejtuan Legatës Jugosllave dhe me ndërhyrjen e saj, e tërhoqën vendimin që kishit marrë në mbledhjen vjetore. Me kaq ata e mbaruan detyrën që ua kishte caktuar Udba dhe e uzurpuan shoqatën që, de facto, ishte shqiptare dhe vepronte në një shtet demokratik. Nga ana tjetër, ju kishit halle tjera, por mbanit lidhje me kundërshtarët e Jugosllavisë Titiste. E kishit takuar Ibrahim Kelmendin, kishit ndenjur me Rilind Bytyqin, dhe shpesh herë pinit kafe me vëllanë e nacionalistit Faik Mustafa.
Mjerisht, as jugofilët s’ rrinin duarkryq. Vetë e keni cekur se ata, që nga nëntori i vitit 1979 e deri në mars të vitit 1981, organizonin mbrëmje familjare, mbanin mbledhje, prisnin e përcillnin zyrtarë të Legatës Jugosllave dhe, me ndërmjetsimin e tyre, morën kontakt edhe me Këshillin Krahinor të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë.
Pyetja ime është kjo: Si ta konsiderojmë veprimtarinë e tyre? Si epilog të veprimtarisë që kishit zhvilluar bashkë apo si veprimtari të një shoqate jugosllave?”
Si të them, vëlla. Para se ta jap një përgjigje të qartë, jam i detyruar ta zë dardhën nga bishti dhe ta kujtoj se epilogu i veprimtarisë tonë ndryshon nga epilogjet e romaneve. Mos harro se epilogu është një vegël, një rrugëdalje artistike, me të cilën shkrimtari shërbehet kur do ta përfundojë veprën letrare. Qëllimi i tij është të dëftojë mbi fatin e mëtejshëm të personazheve pasi kalon një kohë e gjatë ose pasi ndodhë diçka e papritur. Fatlumnisht, gjatë kohës për të cilën bëhet fjalë nuk iku asnjë vajzë shqiptare për ndonjë serb, asnjë serb nuk e vrau ndonjë boshnjak dhe, ndonëse lokalin e Shoqatës Kulturo Artistike ”Kosova” e vizitonin të gjithë evgjitët sllovakë, gazetat lokale s’ e kanë përmendur asnjë rast dhune. Kjo dëshmon se vëllezërit tonë zhvillonin njëfarë veprimtarie kulturore dhe gratë e tyre kishin marrëdhënie të mira me njëra tjetrën. Është e vërtetë se nja dy tri vjet më vonë, pas vizitës së një ansambli serbo – shqiptar nga Kosova, gjakërat e tyre morën flakë dhe Neslihani, mbesa e Dallanguzve të Turqisë, u nda nga Izet Izedini, por kjo ndodhi pastaj. Është poashtu e vërtetë se Tilda, kolegja ime suedeze, e nxori Safet Çelën nga shtëpia dhe e denoncoi në Policí, por shkakun e vërtetë s’ e di askush. Dhe është e vërtetë se Qëndresa, gruaja e dytë e Fadil Cfilakës, vdiq nga një sëmundje e papritur, por edhe kjo ka ndodhur pas Ditës së Kiametit.
Kur ka ndodhur kjo ngjarje, do thuash.
Sipas kalendarit të Kishës Ortodokse Serbe, kjo përmbytje e madhe ndodhi më 11 mars 1981 dhe do të përmendet në të gjitha gazetat e botës. Ajo, për mendimin tim, shënon agun e një katastrofe që do ta prekë jo vetëm popullin serb, por edhe popujt tjerë që jetonin dhe jetojnë edhe sot në veri të Detit Adriatik. Si s’ e kam torturuar veten që ta jap një përgjigje të saktë, që përputhet me realitetin objektiv, por ende s’ e kam gjetur si duhet.
Unë mentoj se shqiptarët e Malmes shkuan në mbledhjen e lartpërmendur për të vendosur mbi vetveten, gjegjësisht mbi trashigiminë e tyre kulturore. Ata vunë në rend të ditës një çeshtje që de facto shumë shpejt do bëhej edhe çeshtje e krejt shqiptarëve. Ajo ishte pavarsia e tyre kulturore. Ata s’ ishin çapajeva rus, s’ ishin studentë të marksizëm – leninizmit, s’ ishin vlleh apo dropullitë, por djem të popullit. Ishin qytetarë të lirë të Jugosllavisë Federative dhe kishin ardhur në Suedi për ta nxjerrë kafshatën e gojës. Kishin një dëshirë, dhe ajo dëshirë ishte në përputhje të plotë me dëshirën e bashkatdhetarëve të tyre: të jetonin të lirë nga prepotentët sllavë, që edhe në Suedi donin t’ i mësonin si duhej të këndonin dhe si duhej të vallëzonin. Mu për këtë arsye, ata, me dëshirën e tyre, vendosën ta pagëzojnë shoqatën me emrin ”Kosova” dhe të dalin nga Lidhja e Shoqatave Jugosllave, pasiqë asgjë s’ i lidhte me atë organizatë. Atë ditë ata nuk e vranë dhe nuk e lënduan askend.
Mjerisht, kështu s’ mentonin sherbëtorët e Legatës Jugosllave dhe kjo më duket normale. Ata e kishin lënë shpirtin e tyre në rrugë të Titos dhe s’ dinin si ta mernin prapa. Pa marrë parasysh se Titua ua kishte vrarë e masakruar etërit – dhe pa marrë parasysh se ua kishte burgosur xhaxhallarët – dhe pa marrë parasysh se vendlindjen e tyre e kishte copëtuar në katër pjesë – dhe pa marrë parasysh se ua kishte vënë në dorë një pasaportë të qelbur e i kishte përzënë nga vendlindja e tyre, ata gjithnjë e konsideronin veten si topa të letrës dhe s’ kishin kundër që shoku Tito e fshinte menderjen me lojalitetin e tyre. Shkurt, pa marrë parasysh se ku i kishte vërvitur Jugosllavia e shokut Tito, ata duhej të rrinin urtë. Përndryshe, ajo do t’ i gjente edhe sikur të fshiheshin në vrimë të miut.
Ku është, atëherë, caku? Ku fillojnë pasojat dhe ku mbaron drama? Këto dy çeshtje shpesh herë kanë lugetëruar në kokën time. Ata tjerët, që ishin me mua dhe bënë çmos për ta ngritur një shoqatë shqiptare, e kanë harruar këtë plagë. Flenë ata flenë rehat – rehat, ndërsa unë, gjatë kohës që ata bëjnë kokrrën e gjumit, endem nëpër errësirë dhe e shtrëngoj lëmshin e kuq që ma ka dhënë Kosova. Ku është caku, oj Nënë, e pyes. Kur fillon akti i fundit i asaj drame? Një pjesë e trurit më thotë se ai fillon më datën 28 nëntor 1978, kur dhamë dorëheqje dhe ikëm nga strofulli i Djallit. Por pjesa tjetër, ajo më e gatshmja për përsiatje, thotë se kjo ndodhi dy vjet më vonë, kur bijt dhe bijat e Kosovës i mbushën xhepat me gurë dhe dolën në rrugë për ta çfaqur mllefin e tyre.
Dhe kjo qëndron, por jo krejtësisht, sepse ata që me këmbëngulje kërkuan t’ i bashkangjiten Lidhjes së Shoqatave Jugosllave, po atë muaj që Kosova kërkonte të ngjitej më lartë dhe të pavarsohej nga Serbia, i dënuan demonstratat dhe vazhduan të gjallërojnë si pasardhës të sllavëve të Jugut. Ata kurrë nuk iu shmangën rrugës së Titos, kurrë s’ u solidarizuan me popullin e tyre dhe kurrë nuk dolën në demonstrata për ta dënuar dhunën që ushtronte një hut i dalë nga pyjet e Pozherevcit.
Kjo është e vërtetë dhe askush në botë nuk mundet ta dëshmojë të kundërtën. Megjithate, edhe sot ka shqiptarë që jazin e lartpërmendur s’ e kanë parë me mendje të kthjellët. Ndërkaq, nëse vërtet duam të mësojmë se çfarë ndodhi pas vendimit të tyre për ta ndjekur rrugën e Titos, duhet ta hapim një parantezë.
Ju, i nderuar, e dini fort mirë se çdo godinë, qoftë edhe shumë e vogël, shtrohet mbi një themel të fortë. Përndryshe, shirat, bora dhe lagështia do ta bëjnë të vetën.
” Pse”, do të thoni.
Thjesht, sepse pas vitit 1990, kur Kosova e mori fatin e vet në dorë dhe i thirri bijt e vet t’ i lënë hasmëritë anash, neve na ndëshkoi që qanim për fatin e saj dhe i shpërbleu ata që e kishin shitur për pare. Për pa dashur të hyj më thellë, po marr guxim të pohoj se ajo na trajtoi si Gjykata ”Speciale” që do t’ i barazojë kriminelët serbë me burrat liridashës. E vetmja sakrificë që jugofilët shqiptarë u desht të bënin ishte t’ i shqyenin apo fshihnin procesverbalet e mbajtur 12 vjet me radhë dhe veprimtaria e tyre do të harrohej njëherë e përgjithmonë.
Ashtu dhe ndodhi. Në vend se të formonin një komision katër antarësh, që do t’ i studjonte rregulloret e të dyja shoqatave, me ç’ rast do konstatohej se njëra prej tyre kishte punuar për Kosovën e tjetra kundër Kosovës, tifozët e Shoqatës për Pajtimin e Gjaqeve na imponuan një pajtim artificial dhe të panevojshëm. Ajo që përkrahësit e Lidhjes Demokratike dhe admiruesit e zotit DioGuardi bënë n’ atë rast ishte t’ ua ngjallnin morrin varrëmihësve të vjetër dhe t’ i bënin përsëri ”punëtorë të inkuadruar jasht vendit.” Ne, që kishim ikur nga shtypja e diktatura dhe ishim solidarizuar me Kosovën, mbetëm disidentë të përhershëm. Ata tjerët që dhanë nga ca euro për 3% -shin dolën patriotë të vërtetë. Falë këtij dallkaukllëku gjenial, shqiptarët e Suedisë, Gjermanisë, Zvicrës e Kosovës edhe sot po jetojnë të përçarë nëpër blloqe.
Duke shkruar ”Pulëbardhën Krahthyer” që është një kronikë mbi veprimtarinë e butakëve shqiptarë, unë, jo pa qëllim vendosa që një pjesë të trupit të saj ta mbuloj me një cohë të tejdukshme dhe të mos i çfaqë personazhet me emër e mbiemër, sepse gjithnjë jam në shërbim të Flamurit Kuq e Zi dhe nën hijen e tij dua t’ i mbyllë sytë. Edhe pse stërgjyshërit tanë nuk kishin celularë që të na dërgonin mesazhe nga koha e tyre, ata posedonin një përvojë që edhe sot ia shkon Kartës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Ata thonin se i Miri dhe i Keqi kanë një çmim dhe Kanuni i mbanë për burra. Del i Keqi prej të Mirit dhe del i Miri prej të Keqit. Në kandarin e vet secili peshon katërqind derhem.
Plotësisht i bindur se robëria serbe ka perënduar në Kosovë dhe republika që kanë themeluar shqiptarët do të jetojë sot e njëmijë vjet, dua ta përfundoj këtë rrëfim me shpresa se prej të këqinjve do të dalin të mirët dhe bijt e atyre që dje i shërbenin armikut, sot e tutje do t’ i shërbejnë Paqës, Lirisë dhe Drejtësisë. Unë, për vete, që mora përsipër ta shkruaj këtë rrëfim, po vazhdoj të dëftoj për ato që vërtet kanë ndodhur, ndërsa ato tjerat, që janë katandisur shtat pash nën tokë, le të dëftojnë ata që i kanë fshehur.

*
Gjithkush do bënte si bëra unë. Pas të gjitha përpjekjeve për ta themeluar një shoqatë shqiptare që nuk do t’ i trajtonte bashkatdhetarët e saj si turq apo jugosllavë, kishte ardhur koha të largohem nga barrikadat. Këta, me të cilët kisha dashur ta ruaj frymën e populli tim, nuk ishin si ata tjerët, që jetonin në Kairo, Bejrut, Bukuresht, Sofje, Londër apo Boston dhe shkruanin vjersha, botonin libra, themelonin shoqata e bënin çmos që ta çonin Shqipërinë në këmbë. Këta dhe s’ kishin faj se të gjithë, që nga Safet Çela e deri te Shaip Fushëgjata, ishin rritur në Jugosllavi dhe s’ kishin më shumë dituri se ato që mësoheshin në një shkollë gjimnaziale. Këta s’ kishin lexuar gjë mbi Vaso Pashën, Naim Frashërin, Jeronim de Radën, Shahin Kolonjën, Sami Frashërin apo Faik Konicën. Safet Çela memzi që e kish mbaruar Shkollë e Muzikës dhe na shitej si pasardhës i kompozitorit Bethowen. Izet Izedini kishte ikur nga Shkolla Normale dhe donte me çdo kusht t’ i alkoholizonte bashkatdhetarët e tij dhe t’ ua shiste një kurvë polake. Nevzati vërtet punonte si mësues po mollën e shkruante me një (l), sepse mendonte që lëja ishte (ll). Fadil Cfilaka krekosej si ndonjë artist italian, por shkalla më e lartë që kish mbërritur të bëhej ishte – shofer… Jo, me mutin e tyre s’ bëhej qerpiç… Më mirë ishte të ikja në shtëpi dhe të merresha me hallet e mia..
Do ketë qenë java e tretë apo e katërt e muajit dhjetor – sepse gjithnjë punoja si zëvendës drejtor, kur e rastisa Neslihanin, mbesën e gjyshës Azize, që atbotë jetonte me Izet Izedinin jo shumë larg nga Qendrës e Rusengordit.
Ajo kishte vënë dhjamë, flokët i kishte nxirë dhe shtynte një karrocë plot me kuleçë, djathëra, potatina, fruta të thata dhe ëmbëlsira të ndryshme. Dikur kisha qejf ta shihja, tani m’ u duk si mbrume e ardhur dhe goxha e shëmtuar.
” Hë, moj Hanko, ku vete kështu?” e pyeta. ”Ç’ është ky dyqan që ke marrë me vete?”
Ajo u gëzua që isha unë dhe sytë iu mbushën me lotë.
” O!.. Qija bre nënën kësaj jete, se ma nxorën shpirtin me ato konferencat e tyre,” tha.
Mua më befasoi fjalori i saj, por bëra që s’e dëgjova dhe vazhdova me ”shaka” të buta. E dija se më pëlqente shumë, por ishte njëzet vjet më e vogël se unë.
” Hajde, hajrli qoftë,” i thash dhe fillova ta pyesja për çfarë bëhej fjalë.
Ajo u ngrys edhe më tepër në fytyrë.
” Ate s’e di mirë, se ata folin kosovarçe dhe nuk p’i marr vesh. Ama më ka ardhur shpirti në maje të hundës, se ajo shpija e Izetit nuk ka veçse dy oda – një fjetore dhe një sallon – dhe ajo s’po na ze as mua e Izetin, jo më xhimsën e Rusengordit.”
” Pse, aq shumë do vijnë?”
” Jo dhe aq, xhanëm, po nja shtatë a tetë veta. Me neve bëhen dhjetë,” tha Neslihani. “E keqja më e madhe është se krejt janë duhanxhinj, kurse unë jom me barrë. Izeti, Safeti, daja Ajet, Fadili, Shaipi, Qemali, krejt jonë duhanxhinj… Veç ai Paloki që s’ e pi duhanin, se duket që është idiot… Mjer Baftia ç’ ka marrë… Aman, ore Ramadan abey, ma kanë bërë shpijën berbat… Ani sonte do vijnë edhe gratë…”
Hajde, hajde, mentova. Megjithate, unë kisha dalë nga ai stan dhe nuk më takonte ta vrisja kokën me ato punë. Ajo s’ ishte veçse kurban i Fikrie abllës dhe djalit të saj.
” Ani ik, se paske punë,” i thash. ” Mos harro t’ i bësh të fala Gjyshës Azize.”
” E sëmutë është,” tha ajo dhe iku drejt pallateve që shquanin përtej parkingut.
Pastaj erdhën ato ethet e njohura skandinave, të cilat çdo dhjetor më kanë nxjerrë nga takti. Unë i dua dhe admiroj kremtet, por atë çast që komercializohen, më mbërthen një dëshirë e fortë të arratisem nga Suedia dhe të mos kem punë as me myslimanë, as me të krishterë. Edhe feja, si çdo gjë tjetër, duhet t’ i dijë caqet e veta.
Papandehur, i tërë qyteti u mbush me rrëmujë. Thua se bota s’ kishte tjera halle pos zorrëve të barkut. Kur do të vijnë nobelistët? Çfarë do të thotë Bashevi Singer në fjalimin e tij? Sa mysafirë do të ftohen në sallën e Bashkisë për darkë? Me cilën damë do të ulet Lartmadhëria, mbreti i Suedisë? Me cilin zotëri do të vallëzojë Lartmadhëria, mbretëresha Silvia? Me kend do të vallëzojnë princeshat, motrat e mbretit?
Bashk me rrëmujën erdhën edhe kërshëndellat e treta, mbledhjet e arsimtarëve, procesverbalet, serialet e gjatë amerikanë dhe xhelozitë e një gruaje, me të cilën as isha martuar, as isha i gatshëm ta nxirja nga shpia. Ate ma ndalonte krenaria dhe fjala e dhënë.
Sidoqoftë, natën e Krishtlindjeve e kalova disi. Vërtet i pikëlluar, po me një vetëpërmbajtje shembullore. Duke qenë se sapo isha ndarë nga Nina dhe s’ e kisha ndër mend të lidhesha me ndonjë tjetër, e mora mbrëmjen ashtu siç erdhi: duke përtypur arra e lejthia dhe duke e shfletuar shtypin e mbrëmjes.
Por drama nuk do të vononte shumë. Pak para se të ndaheshim nga viti 1978 ia behu një borë e madhe dhe na mbylli të gjithëve nëpër shtëpia. Edhe një natë që duhej ta kaloja me miq – iku sikur s’ kishte qenë fare.
Po atë natë, deri sa era gjëmonte përjashta dhe sillte bashka të reja me borë, unë e kuptova që dashuria të cilën e kisha kërkuar me vite ishte e paqenë. Iluzion. Liliana shtirej e dëshpëruar, por flente si qengj. S’ isha unë që e kisha lidhur ate, por ishte ajo që më kishte lidhur mua. Pikërisht për këtë arsye vajta në kuzhinë dhe, pasi ia shkrova ca fjalë, vesha pallton e ika në banesën time. Nuk ndjeva nevojë të kërkoj falje, sepse e kisha të qartë, edhe ate, për pa aguar dita e parë e atij viti, se ai nuk do më sillte as fat, as harmoni. Ai do më sillte përjetime që nuk i donte as faqja e letrës. Po, vëlla. Unë mundesha të shkoja te mjeku dhe të merja raport shëndetsor, por ajo s’përputhej me botëkuptimet e mia. Unë kurrë s’ iu kam shmangur punës dhe puna më ka bërë kështu si jam: kokëfortë e të patundur.
Në këto rrethana fillova terminin e dytë të vitit shkollor. Ndonëse kisha mall për vajzat e mia të vogla, sasia e kohës që kisha në dispozicion ishte tejet e shkurtër për t’ u çmallur me to dhe, në mungesë të atyre që s’ mundesha t’ i bëj gjatë pushimeve, fillova t’i skicoj kapitujt e parë të rrëfimit “Populli pa Zot.” Ndërkohë, ajo që më kishte hyrë në shtëpi dhe donte “të vdiste”për mua, tërë ditën e lume ankohej që ishte pa qejf, që mërzitej në Malme, që kurrë s’ haja drekë si bota, që kurrë s’ haja darkë si bota dhe, në vend se t’ ia shkruaja nga dhjetë – pesëmbëdhjetë fjali të hajrit në gjuhën shqipe, e mbushja fletoren me përralla që kurrë s’ do të shihnin në dritë. A s’ mundeshim, vallë, ta vizitonim ndonjë familje që kishte vajza, që kishte djem, dhe ajo ta shihte me sytë e saj se edhe shqiptarët, njësoj si popujt tjerë, s’ kishin bisht…
Eu, ç’ më zuri belaja…
S’ kisha rrugëdalje tjetër veçse të bisedoja me Zija Bunjakun dhe t’ ia plotësoja dëshirën. Duke qenë se kishim hyrë në shkurt dhe kolegët e mi do të iknin për pushime dimërore, bleva dy bileta dhe vendosa të shkonim në Stockholm. Bunjakët nuk na pritën si miq, por si një çift mbretëror. Na pritën dhe na përcollën si anëtarë të familjes.
Pastaj dolëm në stacion dhe u turrëm drejt qytetit Eskilstuna, ku jetonte miku im Ulmar Kvicku. Atbotë Ulmari ishte i ndarë nga Irja dhe s’ kishte mundësi të na priste siç donte. Megjithate, ne u kënaqëm sëbashku dhe ikëm drejt Malmes me përshtypjet më të mira… Sikur kjo t’ ishte pak, dy muaj më vonë zbarkuam në Athinë dhe thuajse çdo ditë hanim e pinim nëpër gjelltoret e lagjes Plaka… Pesë a gjashtë javë më vonë, pasi e përfunduam vitin shkollor dhe i nisëm fëmijët për pushime, u turrëm drejt Spanjës… Sëpari drejt Spanjës, pastaj drejt ishujve të saj… Etjera, etjera.
Jo pa qëllim e përmenda Athinën, Benidormin, Puerto Rikon dhe qendrat tjera turistike, ku do të katandisesha me atë qenie që ishte aq e sëmurë sa s’ e dinte as emrin e sëmundjes së vet. Duke i prekur të gjithë ata emra të panjohur, dua të nënvizoj se, bash edhe sikur të mbaja shënime mbi ngjarjet që zhvilloheshin në Shoqatën Kulturo Artistike ”Kosova” gjatë viteve 1979 e 1980, ato nuk do të dukeshin bindëse pa prova autentike. Të gjitha dallaveret që kurdiseshin në zyrat e Legatës Jugosllave, nuk i dinte njeri pos dy tre vetave, ndërsa tjerat ishin më pak të rëndësishme.
S’ ka mëdyshje se gjatë asaj periudhe dyvjeçare në lokalin e saj janë mbajtur mbledhje, janë zhvilluar debate, janë bërë kritika, por dokumentacioni që duhej të hidhte dritë mbi egzistencën e tyre është shqyer, është djegur dhe, eventualisht, është flakur pas vendimit që u mor në Qendrën e Rusengordit… Të vetmet shpjegime që gjithnjë lugetërojnë nëpër kokën time janë rrëfimet e Qemal Veliut, që pas dorëheqjes time nga shoqata, vinte shpesh në Sorgenfri dhe më dëftonte për dallaveret që kurdiseshin në shtëpinë e Izet Izedinit. Nuk thash në ”shtëpinë” e Safet Çelës apo Fadil Cfilakës, sepse i pari jetonte me Tildën, një suedeze që nesër pasnesër do të mërzitej nga intrigat dhe do më dëftonte mua, ndërsa Fadili i shmangej shtëpisë, sepse tubimet e dikurshme i kishin nxjerrë punë me gruan e parë.
( vazhdon)

Ramadan Rexhepi