Stoltenberg në Prishtinë: Stabiliteti në rajon ka rëndësi për sigurinë tonë

0
54

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

Në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Stoltenberg tha se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor “ka rëndësi për sigurinë tonë”. Ai shtoi se NATO do të zbatojë mandatin e misionit të tij në Kosovë, KFOR, për të ofruar mjedis dhe lëvizje për të gjitha komunitetet.

Duke folur për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nga një grup i serbëve të armatosur, Stoltenberg tha se përgjegjësit për sulmin duhet të përballen me drejtësinë.

Ai tha se këtë mesazh do ta përcjellë edhe gjatë takimeve që do të zhvillojë më 21 nëntor në Beograd.

“Në shtator ne pamë një shpërthim serioz të dhunës në veri të Kosovës, që rriti shqetësimet se një konflikt i gjerë mund të rikthehej në Ballkanin Perëndimor. Në maj, trupat tanë të KFOR-it u sulmuan, me ç’rast u plagosën 93 ushtarë, disa rëndë, disa me plagë të përjetshme”, tha Stoltenberg.

“Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, shtoi shefi i NATO-s.

Për sulmin në Banjskë, Kosova e ka fajësuar Serbinë. Por, Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Stoltenberg po ashtu mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Themelimi i Asociacionit “do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”, tha Stoltenberg.

I pyetur për mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe, Stoltenberg tha se për këtë kërkohet vendim unanim i të gjithë anëtarëve të aleancës.

Para Kosovës, Stoltenberg qëndroi në Bosnje e Hercegovinë, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Në Sarajevë shefi i NATO-s tha se aleanca është e shqetësuar me retorikën e ndarjes dhe me ndikimin rus në rajon.

Shefi i NATO-s porositi që të gjithë të përkushtohen për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.

Vizita e Stoltenbergut në rajon vjen mes paralajmërimeve nga Ukraina se Rusia synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian ka ndarë shqetësimet e Ukrainës, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.

Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, ka folur më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska po dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.

Pas Kosovës, shefi i NATO-s më 21 nëntor do të qëndrojë në Serbi, ku është paraparë të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren e këtij shteti Ana Bërnabiq. Po të njëjtën ditë, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti.

Më 22 nëntor ai do të përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob.


Top Channel