Sopjani për vizitën e Stoltenberg: Nuk ka asgjë të rastësishme, lidhet me zgjedhjet në Serbi – Telegrafi

0
70

Ish-inspektori i AKI-së, Shkelzen Sopjani ka komentuar vizitën e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se kjo vizitë nuk është e rastësishme dhe lidhet me zgjedhjet në Serbi dhe me ndikimin rus në Ballkan që sipas tij e ka paralajmëruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Po ashtu edhe paralajmërimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se në Rashkë të Serbisë po riorganizohet grupi paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiqit, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë po konsiderohen serioze.

Në emisionin “FIVE”, avokati, Sopjani dhe Murat Mehmeti, ish-hetues policor në veri e avokati kanë thënë se postimi i Kurtit është kuptuar si kërcënim serioz, pasi siç theksojnë ata ndonëse nuk do ketë ndonjë sulm klasik ndaj ushtrisë së Kosovës nuk përjashtohet ndonjë sulm sporadik.

“Rreziku ka qenë gjithmonë aty, grupi i Radojciqit nuk është se ka pësuar ndonjë dëmtim të madh, është mjaftaktiv në fushatën zgjedhore në Serbi, nuk ka pas ndonjë pasojë. Postimi i Kurtit ke i drejtpërdrejtë, është i saktë , marrë parasysh se iu referua kidnapimit të policëve që ka ndodhë më herët”, ka thënë Sopjani.

Sopjani ka thënë se Serbia e ka marrë mësimin nga sulmi i 24 shtatorit.

Ndërsa Mehmeti ka thënë se “Vuçiqi ka nevojë për diçka që do t’ia pastronte fytyrën, Kosova nuk do përjashtohej nga një sulm sporadik, por nuk mund të ketë sulm klasik ndaj  ushtrisë”.

Mehmeti ka thënë se reagimi i rreshterit policor, Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë në veri gjatë kryerjes së detyrës më 24 shtator nga sulmi i grupit terrorist në Banjskë e ka ndryshuar planin e Serbisë.

Ndryshe, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg të hënën ishte për vizitë në Kosovë ku u prit në takim nga krerët e shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

Pas Kosovës, Stoltenberg do të vizitojë Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.