Ismajli: Duhej të fitonim për publikun tonë, por morëm një pikë dhe jemi në krye të grupit – Telegrafi

0
70

Mbrojtësi, Ardian Ismajli ka dhënë një intervistë pas përfundimit të ndeshjes Shqipëri – Ishujt Faroe që përfundoi pa gola 0-0.

Ismajli theksoi se skuadra do e analizojë barazimin me Ishujt Faroe, megjithatë shtoi se qëllimi u arrit dhe u kualifikuan në EURO 2024 si kryesues të Grupit E.

Sa i përket ndeshjes ai tha se kjo nuk ishte një ndër ndeshjet më të mira por u shpreh i lumtur për arritjen e objektivit.

“Të gjithë e dimë se kjo ndeshje sot nuk ishte një nga ndeshjet më të mirë, megjithatë objektivi u arrit, pasi jemi në vendin e parë. Do e analizojmë këtë ndeshje dhe do e shohim ku kemi ngec, pasi në këto eliminatore kemi bërë ndeshje perfekte, dmth jo në këto dy të fundit, por në të tjerat”, ka thënë fillimisht Ismajli.

Tutje, ai u ndal për të folur për paraqitjet e tij ku shtoi se e kishte vuajtur mjaft shumë faktin që nuk mundi të luante ndaj Republikës Çeke.

“Mungesën ndaj Çekisë e kam vuajtur jashtëzakonisht shumë, por me triumfin që bëri skuadra e kam shijuar shumë, pasi mu duke vetja sikur po luaja. Më këto ndeshje kush më shumë e kush më pak ka dhënë kontribut. Në çdo pozicion kemi nga tre lojtarë të gjithë janë më të mirë se njëri-tjetri”, shtoi ai.

Në fund ai deklaroi se nuk e kanë nënvlerësuar aspak kundërshtarin duke nënvizuar faktin që janë një ekip që mbyllen mbrapa.

“Jo aspak e kemi marrë seriozisht si çdo ndeshje tjetër. Megjithatë ky është një ekip që mbyllet mbrapa dhe normale është shumë e vështirë ta thyesh, megjithatë e morëm një pikë dhe jemi në krye të grupit, ndonëse na duhej fitorja për publikun tonë”, përfundoi ai./Telegrafi/