Pas janarit sfida të mëdha për tregun e punës në Kosovë, Pashaj rekomandon rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës – Telegrafi

0
87

Pas një pritje të gjatë, nga 1 janari qytetarët e Kosovës do të gëzojnë lëvizje të lirë në zonën Shengen pa pasur nevojën për tu pajisur me vizë. Gjithsesi, kjo sjell me vete sfida të mëdha për tregun e punës në vend, sidomos duke marrë parasysh që një sondazh i fundit nga EPPC Albania & Kosovo tregon se 45 për qind e qytetarëve janë të interesuar të emigrojnë.

Udhëheqësi i konsulencës për burime njerëzore, EPPC Albania & Kosovo, Erald Pashaj në një intervistë për Telegrafin ka thënë se emigrimi i qytetarëve do të ndikojë shumë në tregun e punës.

Sipas tij, pavarësisht se liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë me të punuarit në vendet e Bashkimit Evropian (BE), qytetarët e shohin këtë si një liri, për të shkuar në perëndim dhe për të punuar.

“45 për qind është një shifër shumë e lartë. Nuk ishte një surprizë….sepse ne e kemi bërë edhe përpara dy vjetësh (pa)kënaqësinë e punonjësve në punë…  ka dalë në nivele të ngjashme nga 43 për qind të pakënaqur në 60 për qind. Që do të thotë që njerëzit janë të pakënaqur me punën, po dhe me të gjithë kushtet e jetesës në Kosovë, kanë tendencën për t’u larguar”, u shpreh ai.

Pashaj theksoi se Kosova i ka disa specifika: “e para që ky liberalizim po ndodh kur tregu i punës në të gjithë Evropën po lulëzon, pra ka mundësi për t’u punësuar. Në Shqipëri ka ndodhur përpara 15 vitesh, por nuk ka qenë ky treg pune në perëndim. E dyta që ndikon shumë në Kosovë është që rinia flet gjuhë të huaj dhe tendenca është që 56 për qind e të anketuarve duan të shkojnë në Gjermani dhe 22 për qind në Zvicër”.

Erald Pashaj, udhëheqësi i EPPC Albania & Kosovo /Foto: Ridvan Slivova/

Ndikimi tjetër, sipas tij është “shoqëria e re”, ose një forcë punëtore e re.

“Deri dje ne kemi qenë krenarë për këtë, por sot kjo kthehet në të kundërtën tonë, sepse këta kanë tendencën të largohen dhe e kanë më të thjeshtë sesa të tjerët për t’u integruar”.

Ai tha se pas muajit janar do të ketë sfida të fuqishme në tregun e punës.

Pashaj vlerësoi se arsyeja kryesore që qytetarët duan të largohen është “një jetë më e mirë në vendet perëndimore”.

“Po të përkthehet kjo, nuk ka të bëjë vetëm me pagën. Paga është faktori i tretë faktikisht që ndikohet, sepse sigurisht pa një pagë më të mirë ti nuk mund të kesh një cilësi jete, por me cilësi jete nënkuptohen shumë faktorë të tjerë. Dhe një nga elementet kryesor që ndikon është shpresa për të ardhmen. Pra, ajo që e dëmton forcën e punës sot është që shpresa ju është vrarë. Dhe këtu ndikojnë të gjithë instancat shtetërore”, tha ai.

Tutje ai shtoi se: “Duhet të rritet shpresa që Kosova themi Shqipëria apo i gjithë ky rajon duhet të ndryshojë, duhet të bëhet i mirë, sepse duhet të bëhet i mirë për qytetarët e tyre, gjë që nuk e reflekton sot”.

Ai tha se në Kosovë shihet një “mërzitje e njerëzve”.

Erald Pashaj, udhëheqësi i EPPC Albania & Kosovo /Foto: Ridvan Slivova/

“Dhe kjo mërzitje sot, njerëzit nuk e reflektojnë revoltën e tyre në sheshe, revolta sot bëhet në ‘aeroporte’. Dhe duke e bërë në aeroporte, kjo shkakton një problem shumë të madh dhe ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm. Por, për të përmirësuar situatën, ne kemi dy, po themi, armë në dorë, një armë afatshkurtër dhe unë mendoj që duhet të rrisim pagat në mënyrë të menjëhershme dhe një armë afatgjatë që të fillojë dhe të punojmë në kohë”.

Për t’i adresuar këto sfida, Pashaj rekomandon ndërhyrje të menjëhershme si rritjen e pagave, që, sipas tij, do të mund të frenojë deri në 20 për qind largimin e punonjësve.

Ai gjithashtu thekson rëndësinë e një marrëdhënieje të mirë midis punëdhënësve dhe punonjësve dhe nevojën për rritje reale – jo vetëm simbolike.

“Kemi zgjedhur një sistem që ne nuk i ndalojmë dot njerëzit të lëvizin dhe do të ishte e tmerrshme të mendonim gjë tjetër. Por, duhet ndërhyrë dhe ndërhyrja e menjëhershme që mund të bëhet është rritja e pagave dhe me gjykimin tim, ajo do ta frenojë deri në masën 20 për qind largimin dhe po nuk është pak, në qoftë se ne mbajmë një masë të tillë në rritjen e pagave, rritjen e pagave në nivel të kënaqur, jo rritje e pagave sa për të thënë, duhet bërë rritje reale”, vlerësoi Pashaj.