SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në emisionin “Click Plus” në TV21 të Shkupit porositi se, nëse nuk pranohet platforma e përbashkët e partive shqiptare, qeveri nuk do të ketë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Jeni ju për zgjedhje të reja Z. Ahmeti?” ishte pyetja e gazetarit, së cilës lideri i BDI-së iu përgjigj:

“Pse jo. Sigurisht që vendin e çon në zgjedhje të reja mospranimi i platformës nga cilido subjekt”.

Ndërkohë, në bllokun maqedonas, derisa LSDM po hesht, Nikolla Gruevski është shumë i qartë. Ai thotë se BDI është e vetëdijshme se nëse VMRO-DPMNE është kundër, dygjuhësia nuk do të bëhet.

“Shqiptarëve të Maqedonisë nuk mund t’u ndihmojë gjë nëse ka dygjuhësi në të gjithë territorin e Maqedonisë, përfshirë këtu Dellçevën, Berovën, Gjevgjelinë apo Kavadarin. Dy gjuhësi në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe kantonizim nuk mund të realizohet nëse VMRO-DPMNE është kundër. Në BDI e dinë shumë mirë këtë”, tha Gruevski.

Përveç LSDM-së dhe BDI-së, të cilat ende nuk i kanë definuar pozitat e tyre, Aleanca për Shqiptarët dhe Rilindje me Besë kanë përsëritur disa herë, që nuk duan koalicion me Nikolla Gruevskin.