“Ndryshimet u bënë me firmë të Beqajt”/ Hetimi për koncesionin e sterilizimit: Kostot u frynë në mënyrë fiktive

0
46

Në koncensionin për sterilizmin, janë bërë disa ndryshime vetëm me firmë të Ilir Beqajt në funksionin e ministrit të Shëndetësisë dhe jo me propozim të komisionit të dhënies së Koncesionit.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme Anti Korrupsion, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, renditen shkeljet e bëra në koncesionin e sterilizimit, sipas hetimeve të SPAK.

Në një nga shkeljet, tregohet se ndryshimi i bërë për mbetjet spitalore, bie në kundërshtim me studimin e fizibilitetit të miratuar nga komisioni i dhënies së Koncesionit dhe partneritetit publik/privat, si dhe me pasqyrat financiare bashkëlidhur këtij studimi.

“Në pasqyrat financiare, mbetjet sipas kategorive të mëposhtme parashikuar në studimin e fizibilitetit, janë përfshirë në çmimin për ҫdo ndërhyrje kirurgjikale sipas intensitetit përkatës. Ndodhur në këto kushte, nuk është dhënë asnjë arsye se pse janë bërë këto ndryshime, me nismën e Autoritetit Kontraktor apo me kërkesë për sqarim nga ndonjë prej operatorëve ekonomikë. Gjithashtu, nuk është bërë asnjë ndryshim në studimin e fizibilitetit, pasqyrat financiare apo në vlerën totale të projektit, në lidhje me parashikimin e çmimeve maksimale të shërbimit, duke qenë se duheshin hequr me ndryshimin e bërë, kostot e parashikuara sipas kategorive të mbetjeve sipërcituar. Komisioni i dhënies së Koncesionit për këto ndryshime nuk rezulton që të ketë hartuar ndonjë shtojcë në respektim të nenit 21 të Ligjit 125/2013 “Për Koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe nenin 42 pika 2 dhe 2/1 të Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar. Kjo për faktin pasi në rastin konkret në thelb kemi të bëjmë me ndryshim të pikës 2.3 të Shtojcës nr. 9 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” dhe pikën 6 të Shtojcës 13 “Termat e referencës”, që janë pjesë e dokumenteve standarde të Koncesionit dhe partneritetit publik/privat. Po ashtu, ndryshimi i dokumenteve standarde të Koncesionit dhe partneritetit publik/privat nuk është hartuar dhe propozuar ndryshimi nga komisioni i dhënies së Koncesionit që ka bërë dhe përpilimin e dokumenteve standarde të Koncesionit. Ky ndryshim është bërë nga vetëm Ministri i Shëndetësisë z.I.B. nëpërmjet shkresës Nr. 1440 Prot., datë 20.03.2015 dhe është urdhëruar po publikimeve me Urdhrin Nr. 124, datë 20.03.2015 të po Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj”.

Prokuroria zbulon se në pasqyrat financiare, nuk ka një analizë të hollësishme të elementëve të kostos për secilin shërbim përbërës të këtij projekti. Madje, në shkresën e 6 janarit 2014, ku është kërkuar informacion nga spitalet e vendit, nuk janë informuar se ky informacion kërkohet për këtë projekt dhe shërbimet përbërëse të tij.

Nuk është bërë inventarizimi dhe vlerësimi i instrumenteve kirurgjikale dhe pajisjeve të sterilizimit, për të nxjerrë më pas nevojat reale për plotësimin e nevojave ose zëvendësimin total të tyre dhe as analizimi teknik dhe financiar për vendosjen në punë të Repartit Qendror të Sterilizimit në QSUT, që ishte i ndërtuar dhe totalisht i investuar me pajisje të reja.

Hetimet nxjerrin se si kostoja e sterilizimit është fryrë në mënyrë fiktive.

“Pa kryerjen e analizës teknike dhe ekonomike financiare të saktë me elementët realë përbërëse të tyre, është bërë arsyetimi i vendimit koncesionit/PPP, duke llogaritur në koston e shërbimeve të QSUT-së (si gjysma e kostos së këtij shërbimi për gjithë Shqipërinë), vlerën 502, 233, 399 lekë, ku në këtë vlerë 283, 287, 369.55 lekë ose 56.4% e saj janë barna dhe materialeve mjekësore që nuk janë pjesë e shërbimit. Të dhënat e pasqyrave financiare nuk janë përshkruar dhe analizuar në studimin e fizibilitetit. Pra në krahasuesin e sektorit publik është fryrë në mënyrë fiktive kostoja e sterilizimit në masën 56.4%)”.

Sipas Memo-s së Zëvendës Ministrit Rjepaj drejtuar Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ky repart kishte kapacitet për ripërshtatjen e seteve kirurgjikale për 60.000 ndërhyrje kirurgjikale.

Ndryshe nga tabela e pasqyrës financiare të studimit të fizibilitetit, në pasqyrën e MEMO-s është ulur numri i ndërhyrjeve kirurgjikale nga 50 000 në 37 720 dhe duke rritur çmimet për secilën nga intensitetet e ndërhyrjeve.

Sipas prokurorisë, fitimi neto është llogaritur 1, 988 miliardë lekë, ndryshe (664 milionë lekë më shumë) nga pasqyra e Studimit të fizibilitetit që e ka fitim neto 1, 324 miliardë lekë.

Nga dokumentacioni i dërguar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rezulton se Studimi i Fizibilitetit bashkë me pasqyrat financiare të dërguara nga Ministria e Shëndetësisë janë të pafirmosura nga anëtarët e komisionit. Gjithashtu, studimi i fizibilitetit të dërguar mban datën 10.03.2014 ndryshe nga ai i miratuar nga komisioni i dhënies së koncesionit që ka datën 10.10.2014.  Në Studimin e fizibilitetit të dërguar në Ministrinë e Financave, ndryshojnë kategoritë e mbetjeve që do përfshihen në projekt, ku janë vetëm ato të gjeneruara nga furnizimi i shërbimit të Koncesionarit”.

Shkelja e radhës është fakti që Ministria e Shëndetësisë shprehu nevojën për investime në infrastrukturë, në pajisje dhe në tubacione shtesë, por në asnjë moment nuk bëri një përshkrim të detajuar të këtyre nevojave apo ku i kanë marrë të dhënat mbi këto nevoja. Vetë Beqaj, në shkresën Nr. 3082/16 Prot., datë 17 dhjetor 2014 thekson se: “Projekti synon përqendrimin në stacionin qendror të sterilizimit, i cili është një stacion modem i ndërtuar 4 vjet më parë me kredi nga CEB, por që nuk është vendosur ende në shfrytëzim.”.

SPAK evidenton se nuk janë deklaruar 13.000 ndërhyrje nga Komisioni i dhënies së Koncesionit pasi në vitin 2013 janë kryer rreth 63.000 ndërhyrje dhe jo 50.000 ndërhyrje kirurgjikale.

“Duke konsideruar sikur të gjitha ndërhyrjet prej 13 000, të pa deklaruara do të ishin me intensitet të ulët, pra me çmimin ofertues që ka fituar SaniService prej 13.900 lekë, atëherë do të rezultonte se shumës 1, 108, 333, 450 lekë duhet t’i shtohet dhe vlera 1, 807, 000, 000 lekë (13900 lekë/ndërhyrje për intensitet të ulët * 13 000 ndërhyrje * 10 vite kohëzgjatje = 1, 807, 000, 000) do të rezultonte vlera 2, 915, 333, 450 lekë. Ndodhur në këto kushte, Autoriteti Kontraktor, Ministria e Shëndetësisë, ka zgjedhur fitues bashkimin e OE me ofertën që është më e lartë se vlera totale e koncesionit, në vlerën 2, 915, 333, 450 lekë (për 63 000 mijë ndërhyrje)”.

Ndërkohë, sipas përcaktimit ligjor për vlerën totale të Koncesionit shpjegon prokuroria, duhet të ishte 9.657. 000.000 lekë.


Top Channel