SHPËRNDAJE

 
Ku e kam dëgjuar, vallë, këtë emër dhe kush djallin më ka sjellë në këtë vend? Ky mashtruesi, që po ngul këmbë ta quaj Edi Gjilpëra, thotë se gjendemi në New England Mutual Hall. Mua, pra, s’ më kujtohet që kam qenë ndonjëherë këtu. Aq më pak me ndonjë doktor që quhet Edi Gjilpëra.
Sidoqoftë, emri i asaj godine ishte aq i huaj dhe aq i panjohur, saqë Shkëlqesia, zoti Ambasador, si çdo mendjegëlqerosur që harron se ka patur vëllezërapo motra, ia zgjati dorën njeriuttë panjohur dhe zbriti poshtë,në dysheme, pa qenë i ndërgjegjshëm se krevati ku kish qenë deri n’ atë çastishte një arkivol i shtruar me pëlhurë mëndafshi. Ai ishte elegant – kostumi gri, këmisha e bardhë, këpucat ngjyrë vishnje, kollarja pika pika – dhe lente përshtypje sikur po shkonte në një koktej diplomatik. Rreth e përqark tij digjeshin nja dy – tre qirinj, era e të cilëve i shkoinë nerva.
Ç’ është kjo hapsane, mor burrë, e pyeti veten, dhe papandehur ndjeu një si nevojëshpirtërore që ta vente trupin në lëvizje, t’ i çonte duart lart, t’ i luante këmbët,dhe ta studjonte ambientin ku ishte katandisur. Nata ishte katran. Tamam si pusi i atyre përrallave arabe, që dikur i kishte përkthyer në gjuhën e tij amtare.
“ The se jemi në Mutual Hall, apo jo?” e pyeti atë që quhej Edi Gjilpëra. Dr Edi Gjilpëra.
“ Jam shumë i sigurtë, monsieur,” e korrigjoi doktori dhe, për ta bindur se kishte të drejtë, iu afrua murite hapi dy drita anësore.
Jo, ai s’ e kishte gënjyer. Këtë herë edhe shkëlqesia, zoti Ambasador,e kuptoi që ishin në skenën e një teatri, por ai ishte tepër i hutuar për ta ditur vendin e saktë.
“ Paski të drejtë,” tha. Për një arsye që as vetë s’e kishte të qartë, diplomati plak u pendua për sjelljen e tij. Ai ishte tepër i arsimuar për t’u sjellë si harbut dhe, për ta ndrequr gabimin e tij, e mori një karrigë e zuri vend përballë Edit. Doktori dukej i sjellshëm dhe sytë e tij dëshmonin që ishte djalë i përmbajtur.
“ Po ky vend, o Edi, ku gjendet tamam?” e pyeti me zë të butë. “ Unë s’ e mbaj mend që ka ndonjë Mutual Hall në kryeqytet.”
“ Ah, jo sir,” kundërshtoi tjetri. “ New England Mutual Hall gjendet në Boston. Këtu, nëse s’ jam gabim, keni qenë me motrat e Lartmadhërisë, Ahmet bej Zogut.”
“ Krejtësisht e mundshme,” i tha ky. Me sy të përgjumur.
Pak më parë, deri sa po endej nëpër inkognito, ai kish patur mbresa se ishte në Vjenë dhe po e dëgjonte njërën nga dy veprat më të mira të Vagnerit. Atëbotë zoti Ambasador ishte një luan i ri dhe shkonte rregullisht në opera. Evropa vritej e pritej, c’ est vrais, po Vjena bënte qejf dhe ky, ai Ahmeti që do bëhej mbret, një shqiptar katolik, dhe shumë djem bejlerësh shqiptarë, dilnin për çdo natë në korzo. Por tani e kishte të qartë se ata ishin në Mutual Hall dhe ajo ndërtesë gjendej në zemër të Bostonit.
Eh, sa e sa herë kish qenë ai n’ atë sallë!.. Sa e sa herë kishte hyrë në bibliotekën e kishës Trinity Church!.. Dhe sa e sa herë kishte pirë kafe me Peshkopin në lokalin e një shqiptari nga Dardha!..
Aty ishte gjithçka në vend: perdet e rënda të skenës, salloni i madh, ulëset e kaltra, ngjyrë atllasi, dhe arkivoli… Një arkivol i madh, i rrethuar me lloj lloj lulesh që rriteshin në viset jugore të Shteteve të Bashkuara.
Po ai arkivol? Po ata zambakë?
Me sa duket, ajo skenë ishte përgaditur për një tragjedi të moçme greke – Agamemnoni, Mbreti Oidip apo “Elektra” – sepse vetëm tragjeditë kishin të bëjë më vrasje, kurvëri, arkivole e pabesi. Mjerisht, ai ishte tepër i lodhur për t’ u marrë me mbretër apo mbretëresha greke. Ata mund të shkonin në pyll me dashnorët e tyre.
Ai ishte kurioz dhe do të donte të mësonte qysh ishte katandisur n’ atë vend, po s’ kishte as idenë më të vogël ku duhej të fillonte.Ai tjetri, pra, doktori, rrinte gojëmbyllur si breshka. Më mirë të ndërroj ton e ta pyes me një më të butë, miqësor.
“ Po ai tabut, o Edi?” e pyeti plaku, duke dëftuar me dorë kah arkivoli që gjendej përballë tyre. “ Nuk po dua të shqetësoj, po kohët e fundit kam qenë i patakatë dhe s’ kam mundur t’ i ndjek dramat bashkëkohore. Për cilën tragjedi bëhet fjalë?”
Mjeku e pa me sy të pikëlluar. Ditë me radhë e kishte kërkuar replikën e parë të këtij dialogu, por s’ ishte i sigurtë që do t’ i pëlqente njeriut që kishte përballë.Never mind, ai do t’ ia shtronte me fjalë sa më të thjeshta dhe do Zoti e ai e përmban veten.
“ Si të them, monsieur,” tha Edi qetë – qetë, me zërin e njeriut të urtë. “ Pjesa për të cilën bëhet fjalë është bashkëkohore dhe quhetLamtumira”. Ka të bëjë me orët e funtme të një diplomati që vdes në vend të huaj dhe të cilin e pret një rrugë e gjatë. Nuk jam i sigurt që do t’ ju pëlqej përgjigjja, por kjo është e vetmja që di.”
Ashtyu, hë? Falemnderit, mon ami. Shumë falemnderit. Për të qenë përgjigjje e një njeriu që ka kryer studime universitare dhe ka hyrë në parnasin shqiptar, përgjigjja më duket e mjerë. Po fajet i kam vetë, se atëbotë kur fillova të merrem me krijimtari, isha naiv dhe i papërvojë. Për ta pasqyruar prapambeturinë e anadollakëve shqiptarë,të paisa me ca virtyte që s’ i kishin as amerikanët, jo më gjermanët apo francezët. Studime universitare në Petersburg… Studime postuniuversitare në Uppsala… Gjashtë gjuhë të huaja… Marrëdhënie erotike me ato zuskat skandinave… Njohuri solide në mjekësi… Etsetera, etsetera… Paçka se, në orvatjet e mia për të nxjerrësa më të përsosur, harrova të armatos me një gjymtyrë të rëndësishme të popullit tim… Një sinqeritet autentik shqiptar… Ne, shqiptarët, sado të këqinj që jemi, bukës i themi bukë dhe ujit ujë.
“ Përgjigje gjysmake, zoti Doktor,” tha Shkëlqesia, edhe ate, dukshëm i prekur në sedër. “ Pse s’ thua që kam vdekur, o vëlla, dhe me vdekjen time paska marrë fund dera e bejlerëve të Konicës? Nëse të vinte keq të ma dëftoje nudo, të paktën të ma dëftoje me brekë.”
Edi e zuri mjekrrën me dorë dhe, nga keqardhja, harroi qëplaku ishte gjithnjë i dërrmuar.
“ Bëra çmos që t’ ua them cullak, monsieur, po s’ e kisha përshkrimin autentik,” u arsyetua ai. “ Unë s’ jam fajtor që ju, duke ndenjur me zotin Peshkop, jeni bërë më bolshevik se Lenini. Më lejoni t’ ua kujtoj se unë s’ e kam shkruar “Materializmin dhe empiriokriticizmin”, por Vladimir Iliçi. Sipas asaj vepre del se kurmi, dua të them materja është primare,ndërsa shpirti është sekundar. Më lejoni t’ u pyes: A s’ ishit ju që deklaronit se, në betejën që zhvillohet midis materjes dhe idesë, materja vdes, prishet, kalbet, ndryshket, ndërsa ideja jeton dhe nuk i përkulet as kohës, as hapsirës.”
“ Plotësisht e vërtetë,” e pranoi plaku. “ Por ajo ka të bëjë me cilësitë e shpirtit për të cilin bëhet fjalë. Ka shpirtër që neve na duken të gjallë por kanë vdekur prej kohësh. Ka dhe shpirtër që kanë vdekur prej kohësh, por janë të gjallë e s’ pushojnë së vepruari. Kujtoni Naim bej Frashërin, Andon Zakon, Jeronim de Radën, Aleksandër Drenovën, Gjergj Fishtën, etjerë, etjerë… Sa për t’ i përmendur disa… Naim beu, për shembull, ka dyzet e sa vjet që ka vdekur, por ai jeton dhe ringjallet çdo ditë e më shumë, pa marrë parasysh që unë kam qenë i i keq dhe e kam quajtur bejtexhi të Konjës.”
Edi Gjilpera s’ u prek fare. Ai sikur kishte të ngutur, por sjelljet e tija ishin të matura, korrekte.
Ai e nxori kutinë dhe ia zgjati diplomatit plak.
“ Shumë falemnderit, monsieur,” tha Edi. ” Këtë herë keni folur si përfaqsues i denjë i derës tuaj dhe është pikërisht kjo që më ka sjellë deri në Boston. Jam krenar që po e përmbush detyrën që ma keni caktuar dikur, kur rrinim në Mamurras, dhe ju shkruanit mbi përjetimet e mia. Për ate ju lus të më dëgjoni. Shkëlqesi, ju sapo jeni ndarë nga ai kurmi plak, i cilii pat konsumuar energjitë e veta dhe ju torturonte me lloj lloj sëmundjesh. Mos ma merrni për të keq, po ai ishte vjetruar deri n’ atë gradë saqë s’ ju lente të merreni me shkrime dhe iu jepte të drejtë atyre majtistëve bythëgrisur të ju quajnë dembel, kurvar e sherbëtor të Ahmet bej Matit…”
Prit pak, o vëlla!..Ti mbase ke të drejtë, po unë s’ e kam të qartë ku do të dalësh. E vërtetë është se aty këtu ndonjë teveqel më ka quajtur sherbëtor të atij eskrokut, poraty s’ ka gënjyer.
“ Ajo që kanë thënë qëndron,” tha diplomati plak. “ Mjerisht, tani është si vonë për ta marrë shpatën dhe për t’ ua çarë barkun. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, ata kanë patur të drejtë të më përbuzin, se i kam shërbyer një njeriu që është i poshtër. Lartmadhëria, Ahmet bej Zogu, s’ e ka merituar që unë të prishem me miqët e mi duke i thurur lavdi një rrenacaku apo duke i dërguar lule që kishte shpëtuar nga vdekja. Ajo më tragjikja është se unë s’i kam shërbyer Lartmadhërisë, por atdheut. Lartmadhëria, mbreti i Shqipërisë, ka qenë punëdhënësi im. Ndiejkeqardhje të madhe që s’ e ke lexuar një artikull që e kam shkruar pasi ma morën postin e ministrit. Ahmeti ka qenë si akrepi. Ai të kafshonte edhe atëbotë kur s’ e kishe ndër mend ta shkelësh. Sidoqoftë,tani kam dalë nga lëmi dhe s’ bëj më punë.”
Ai tjetri s’ pajtohej me diplomatin plak.
“ Aber nein, monsieur. Ju po flisni pa lidhje,” tha Edi Gjilpëra, edhe ate, me një ton që s’ i pëlqeu Shkëlqesisë. “Ju, monsieur, jeni gjallë dhe, përderisa po flisni me mua, kjo do të thotë se vdekja juaj është vetëm parantezë. Ju s’ keni vdekurdhe,nëse do të vdisni një ditë, ajo do jetë poaq e vërtetë sa dhe vdekja e Goetes, Bayronit, Pushkinit, Lermontovit, Servantesit e e të gjithë të pavdekurve tjerë. Ç’ është e drejta, saga mbi jetën tuaj sapo ka lëshuar rrënjë dhe do rritet e do të zgjatet deri sa të shndërrohet në sinonim të fjalës së lirë.”
Fjalë, zoti Doktor, fjalë. Fjala then shkëmbinj. Fjala rrënon kështjella. Fjala shemb mbretëri. Fjala pjell fjalë. Të gjitha këto i bën fjala. Por fjala nuk ngjallë të vdekur.
Ai brofi në këmbë dhe, pasi bëri nja dy gjiro nëpër errësirë,qëndroi pranë arkivolit të hapur dhe e pa me fytyrë të mërzitur. Sa shumë lule që kishin sjellë shqiptarët. Trëndafile, krizantema, orkidé, zambakë, bozhure, lulëkëmbora dhe prap trëndafile. Nuk ishte hynia e ngjyrnave që e preku aq shumë, sa vetëdia që kurrë s’ do të mundej t’ i shihte ata njerëz, t’ i përqafonte dhe t’ i puthte me mallë.
Ai e zuri një tufë karaifilash dhe, pasi qëndroi para një pasqyre të madhe, konstatoi se gjithnjë ishte i veshur korrekt, sipas kërkesave të bontonit diplomatik. Por ai ishte i prekur, i hutuar. Ai s’ e kishte të qartë se ku gjendej fija që e lidhte atë arkivol të veshur me pëlhurë mëndafshi me spektaklin që ishte zhvilluar në sallë. Nëse s’ ishte gabim, ai, as si shqiptar, as si ministër, s’ kishte dhënë ndonjë kontribut të madh për fenë. Përkundrazi, nëse i kujtohej mirë, ai i pat thënë Peshkopit të mos e lente në duart e unitëve, se nëse bënte atë gabim, do të çohej lugat dhe do ta gjuante me gurë. Po qysh kishte ardhur deri n’ atë sallë dhe çfarë kishte ndodhur gjatë ditës?
“ Sipas regullit, duhej t’ ishe më i sinqertë me mua,” i tha doktorit.
“ Kush tha që s’jam i sinqertë?” e pyeti doktori. Goxha i prekur në sedër.
“ Qysh erdha këtu dhe çfarë ka ndodhur gjatë spektaklit të soçëm?” e pyeti ambasadori.
Edi Gjilpëra s’ ishtei sigurtë.
“ Po më akuzoni për të pabëra,” tha ai. “ Je vous en conjure, monsieur. Ju po harroni se unë jam mjek dhe tërë ditën e marte, kur paski patur gjakderdhje cerebrale, kam qenë në Quebeck të Kanadasë. Nëse mendoni që dija diçka, gaboheni. Ka tri ditë që ju kam kërkuar nëpër spitalet e kryeqytetit, po s’ ju gjeja dot dhe, duke mos patur nga t’ ia mbaj, e mora me telefon zotin Qerim. Ia di për nder që më njoftoi për sa kishte ndodhur…”
“ Vazhdo,” tha plaku dhe, papandehur, ndjeu se po i trashej gjuha në fyt. Ishte kjo që ai kishte kërkuar përtej qepallave dhe, duke mos patur të dhëna, me orë të tëra ishte sorollatur nëpër një zonë që as ishte dritë, as ishte terr.
“ S’ ka tjetër,” tha mjeku. “ Sipas zotit Qerim, ju kishit qenë vetëm te shtëpia dhe kishit ndërruar jetë duke shkruar letra. Kjo dëshmon se askush, as ata të “Vatrës” nuk dinin gjë dhe, të mos i njoftonte zonja Rose që kishit vdekur, kurmi juaj do priste me javë për identifikim.”
“ Do të thuash që askush s’ dinte gjë?”
“ Askush, monsieur,” u betua Edi. “Andaj s’ po më pëlqen fjala “spektakël”. Ajo që po e quani “çfaqje,” në gjuhën tonë quhet respekt, dashuri, keqardhje, etjera, etjera. Ka mundësi që ju vuanit pak nga skleroza, por e dini mirë se ne, shqiptarët, që nga lindja e deri në vdekje, i ndjekim zakonet e të parëve. Ishte, pra, vendimi i pleqësisë së “Vatrës” që shërbimet mortore të ju bëhen këtu dhe ju betohem se ceremonia e që u zhvillua në këtë sallëështë njëra nga kryeveprat e shqiptarëve të Amerikës. Mos harroni se djelmënia janë në luftë dhe nderimet që ua bënë pleqët ishin të nivelit më të lartë. Unë do të thoshja, très maqnifique… Presque divine… Ç’ është e drejta, nëse përjashtojmë atë procedurën kur njerëzia, grupe – grupe, ju vinin pranë, ua preknin ballin dhe ju thoshnin fjalë lamtumire, ceremonia e varrimit tuaj ishte më se dinjitoze.”
Këte s’ e kishte ditur.
“ Falemnderit shumë,” tha Shkëlqesia dhe përsëri filloi te ecte para mbrapa nëpër skeneë. “Përshkrimet tua ma ngrohen zemrën.”
Ai djalë, gjegjësisht ai mjek të cilin Shkëlqesia e kishte takuar në ëndrrat e tij si shkrimtar, dukej i pasherr. Kot që i kish rënë në qafë. Sëpari tani, njëzet e sa vjet më vonë, atiji ra ndër mend se dikur, para se të kridhej në pusin e diplomacisë, e kishte shkruar një rrëfim të shkurtër mbi aventurat e një mjeku shqiptar, por heroi i tij ishte më i trashë, më i madh. Edi ishte më i thatë e më i arsyeshëm. Sa keq i erdh për sherbëtorën e ngratë. Kush e di sa është trembur kur më ka gjetur të shtrirë në dysheme?
“ Po mirë, o Edi, si e përjetuar shqiptarët këtë ngjarje?” e pyeti mjekun, derisa po endej rreth e përqark arkivolit.
“ Si fatkeqësi, monsieur. Fatkeqësi që na ka prekur të gjithëve,” i tha tjetrime zë të sinqertë. “ Me të marrë vesh për ate që kishte ndodhur, zoti Peshkop e kishte mbledhur pleqërinë e “Vatrës” dhe kishte dalë me propozim se qysh do bëheshin shërbimet mortore. Ai vetë do t’ i thonte ca fjalë mbiveprimtarinë tuaj, të tjerët do t’ i kujtonin të mirat që ua kishit bërë…Gjatë tërë ditës në këtë sallë do të egzekutoheshin vetëm arie nga operat e ndryshme të Wagnerit… Asgjë tjetër… Mua më lanë në studio, që t’ i ndihmoj organistit, ndërsa ata tjerët, që janë aklimatizuar në Boston, dolën t’ i presin shqiptarët e New Yorkut, Chicagos, Detroitit, Filadelfias, Montanës, Ohajos dhe Floridës. S’ e dija që kishit aq miq… Lere pastaj fjalimin! Fjalimi i zotit Peshkop do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si një xhevair i rrallë i retorikës moderne. Croyez moi, mbeta gojëhapur para fjalëve të tij. Çka s’ ju kishte quajtur ? Princ të gjuhës shqipe, çempion të pavarsisë kombëtare, zbulues të flamurit të Skenderbeut, themelues të gjuhës letrare, poet, përkthyes, estet, diplomat… Ato fjalët e tij ma kanë mbushur zemrën me shumë admirim për zotërinë tuaj. Kurrë s’ e kisha menduar që ju donte aq shumë.”
Shkëlqesia, zoti Ambasador, iu afrua tavolinës dhe, ashtu ipapranishëm, vazhdoi ta ledhatonte tryezën, thua se Edi Gjilpëra nuk egzistonte fare. Ai ishte mirënjohës. E rëndësishme ishte se miku i tij, zoti Peshkop, e kishtepërmbushur amanetin dhe, n’ atë mënyrë, iu kishte dëftuar shqiptarëve se ishte patriot i firmës skenderbejane. Ndoshta i vetmi që ky e kishte patur përzemër.
“ Janë ca punë që s’ do t’ i mësojmë kurrë,” tha Shkëlqesia, duke e parë doktorin në sy. “Hirësia më paska quajtur princ të gjuhës shqipe, çempion të pavarsisë kombëtare, zbulues të Flamurit Kuq e Zi, etjera, etjera. Të gjithë ata atribute i përshtaten edhe vetë hirësisë, zotit Peshkop, pa marrë parasysh se kam qëlluar pak më plak. Mjerisht, as unë, as Peshkopi, s’ kemi qenë aq të përsosur. Ne kemi qenë hyzmeqarë të Shqipërisë dhe, për hatrin e saj, kemi kërkuar gjëra të përsosura. Asnjë rrokje, asnjë varg, asnjë vjershë, asnjë zgjidhje, nëse s’ ishte e përsosur, s’ ishte e mirë për Shqipërinë. Në kërkim të asaj ëndrre, herë pas here edhe ziheshim. Unë, si përfaqsues i asaj shtresës gjysmë të ngordhur, kam patur dobësitë e mia. Ai, si përfaqsues i shtresës fshatare, ka patur të vetat. Unë, si flamurtar i pavarsisë, jam mbajtur me frengët e anglosaksonët, ai si flamurtar i pavarsisë, është mbajtur me sovjetikët. Një zot e di se cili prej nesh do dalë më i drejtë, por ajo që na ka mbajtur bashkë dhe s’ na ka ndarë kurrë prej njëri tjetrit ka qenë – dashuria. Jo dashuria për ato zuskat frenge apo ruse, por dashuria për Shqipërinë. Nuk e di sa jam i qartë?..”
“ Më i qartë s’bëhet,” tha mjeku dhe, për të mësuar diçka mbi ngjarjet e asaj dite, shtoi: “Excusez moi, monsieur, po atë natë që kishit hemorragji, ndienit diçka të veçantë?”
“ Çfarë mbërthen fraza “ diçka të veçantë?” e pyeti plaku.
Doktori e zuri kokën me duar dhe, pasi e nxori një pshertime shumë të thellë, provoi t’ i gjente fjalët adekuate.
“ Ajo frazë përfshinë shumë gjëra, zoti Ambasador por, në dorë të parë, rrahjetë zemërs. Mos kishit aritmi? Mos e ndienit veten shumë të lodhur? Mos ju kishin veshur sytë me mjegullirë? Sepse këto janë simptomet e asaj sëmundje.”
“ Jo, vëlla, ” tha tjetri. “ S’ kisha unë aritmi, mjegullirë apo dhembje të kokës. Por kisha të ngutur, se kisha rezervuar kohë për të folur me zotin Martini, agjutantin e atij cubit të Matit, dhe s’ dija çfarë t’ i thoshja për propozimin që ma kishte nisur nga Londra. Fjala ishte për nja katër pesë burra që duhej – bashk me Lartmadhërinë – ta bënin një qeveri të përkohshme, e cila, sipas kërkesës së aleatëve ruso – amerikanë, duhej ta thërriste popullin në luftë dhe ta drejtonte luftën deri sa të vinte paqa… Unë s’ e kam dashur kurrë atë kurnacin e qelbur… Përkundrazi, e kam përqeshur, e kam përbuzur dhe e kam ofenduar sa herë që kam mundur, por ka raste kur njeriu, për hir të atdheut, i lëpinë dhe qurrat e vet. Nuk po di si ta mbërthej çeshtjen me pak fjalë. Nëse pyet zotrote për Mit’hatin, djalin e Abdyl Beut, ate e njihja mirë dhe, herë pas here, e admiroja për kryeneçinë e tij. Mit’ hati kurrë s’ka vënë fotografi të Zogut në dyqanin e tij dhe gjithmonë ka thënë se Ahmeti është mbret i shqiptarëve, por jo dhe i tiji. Paçka se ata katër pesë kandidatët tjerë më dukeshin shaklamanë… Kend e përfaqson Mark Markagjoni, për shembull? Mesjetën katolike.Kend e përfaqson Ismail Verlaci? Mesjetën anadollake. Po Xhaferr Deva, një Kadri Spahiu, Abdyl Syla e Nuçi Kota? Këta duhej ta përfaqsojnë popullin. Po cilin popull se?”
“ Këta ishin kandidatët, me fjalë tjera?!”
Ishin, se s’ janë më. Dhe Shkëlqesia vazhdoi:
“ Për të qenë e keqja më e madhe, unë s’ e kisha hallin as teAhmeti, as te kandidatët e tij, por te një palë e tretë, të cilën askush s’ po e prek me gojë, edhe pse të gjithë po e dijnë që ajo egziston. E di unë, e di Peshkopi, e di Lartmadhëria, e dijnë aleatët. Mos harro që asnjë palë nuk është duke e dashur mbretin. As Amerika, as Anglia, as Bashkimi Sovjetik. Ai rroftë e qoftë edhe njëqind vjet, por aleatët nuk e donë për tjetër, veçse për një emigrant të zakonshëm politik. Sovjetikët, madje, kanë dërguar edhe njerëzit e tyre në Shqipëri, gjë që dëshmon se shqiptarët po mbeten edhe pa atë copë Shqipërie që e kishin. Kushdo që ka sy në ballë e kupton se i vetmi bajloz që mund t’ i sfidojë ata dilinxhinjtë e Moskës – është zoti Peshkop. Mjerisht, edhe këtij i kanë hyrë lepujt në bark. Si s’ e kam lutur që ta kryesojë atë qeveri, por nuk pranoi. Ai mendon se Shqipëria do të bie në greminë dhe mishin e saj do ta ndajnë grekët dhe jugosllavët.”
O, moj Shqipëri, e mjera Shqipëri!
Pa marrë parasysh se ishte lindur dhe rritur larg vendlindjes së prindërve të tij,Edi Gjilpëra, si pinjoll i një familjeje të pasurtregtare, kishte dëgjuar shumë mbi krimet e regjimit stalinist.Vrasjet, deportimet dhe masakrat që bëheshin në të ashtuquajturin Bashkim Sovjetik s’ ishin parë askund në botë. Fatlumnisht, ai dhe familja e tij kishin një shtëpi në Helsinki dhe mjeku i ri, pas një qëndrimi të shkurtër në Shqipëri, si shumë shqiptarë tjerë, kishte dalë n’ Amerikë. Ai s’ ushqente më ndjenja të ngrohta për kontinentin evropjan. Pastaj çfarë dinte ai për ato që ndodhnin në Shqipëri?
Dashur e padashur duhej t’ i kundërvihej diplomatit plak.
“ Më falni që po ju kundërvihem,po as unë s’ po mundem ta ndjek çapin tuaj,” tha doktori. “ Ju sikur s’ jeni pranë një sheshi të shquar të Amerikës, në një qytet puro amerikan, por në një lagje të pjerdhur të Tiranës. Nga i paski këto të dhëna që njerëzit e Moskës janë në Shqipëri?”
Shkëlqesia ishte një çikëz i lodhur. Por të dhënat që kishte ishin të sigurta.
“ Ato i kam nga miqëtanglez,” tha ish diplomati plak. Më shumëpër vete, se për mjekun e ri. “ Por kam edhe të dhëna tjera. Zotrote po harron se Bostoni është kryeqendra e dytë e shqiptarëve. Këtu kemi Kishën Autoqefale, këtu kemi kisha katolike, kisha ortodokse, kisha protestante, xhami, dhe kemi me qindra, me mijëra shqiptarë. Ty të duket e pabesueshme por të gjithë po e dijnë se Shqipëia, ai kopësht i prapambetur i Evropës Juglindore, po qelbet nga bizga e spiunëve jugosllavë. Ata s’ janë vetëm në Shkodër, ata janë në Vlorë, Korçë, Pogradec e fshatra të Tiranës. Ata s’ po e hanë bukën e prindërve të mi, por bukën e atyre që janë zënë me rrogë te Stalini. Ti je i ri dhe s’ i di këto punë, po Sejfullai, një djalë nga Mallakastra, ishte në Rusi, Bedri Pejani ishte në Gjermani, Ali Kelmendi në Jugosllavi, ndërsa me dhjetra e dhjetra të tjerë janë në Francë. Ata qyshkur kanë formuar komitete e organizata qarkore dhe po e thërrasin popullin në luftë, se ashtu i ka mësuar Stalini. Për fat të mirë, shqiptarët nuk donë t’ iu shkojnë prapa. Ata më shumë i besojnë Mit’hat Frashërit, edhe ate,jo se Mit’hati është politikan, por sepse është shqiptar dhe nuk ua shet lëkurën në pazar. Dua të them se Mit’hati, bashk me Bazin e Canës dhe ca atdhetarët shkodranë është opcioni i vetëm për Shqipërinë.”
“ Ishte, monsieur,” e korrigjoi tjetri. “ Nëse ju kuptova drejt, Shqipëria qenka rrokullisur në detë.”
“ Dhe zor se ka për të dalë në sipërfaqe,” tha tjetri.
“ Çudi, pra, kaq pesimist nuk më duket zoti Peshkop,” tha Edi, që tani edhe vetë ishte çuar në këmbë.
Shkëlqesias’ ishte i sigurtë se ç’ do të ndodhte me vendlindjen e tij. Megjithate, aie dinte se Rusia e Kuqe, që n’ atë orë quhej Bashkimi Sovjetik, mos me armë, të paktën me intriga, do bënte çmos të dilte në Adriatik. Më e mira që mund të ndodhte ishte ndarja e Shqipërisë në dy pjesë. Gegërinë ta merte Serbi, Toskërinë Greku.
“ Unë dhe Peshkopi s’ kemi dalë nga e njejta vrimë, zoti Doktor,” tha plaku. “ Hirësiaështë rritur nën vështrimin e butë të shenjtërve ortodoksë dhe ka shpresa që Shqipëria, njësoj si Rusia, do të zhvishet nga feja dhe do bëhet parajsë e kuqe. Unë, pra, s’ e dua parajsën, sepse e di që Rusia po ushqehet me fëmijët e saj. Mbase pikërisht kjo gjë po ma kallë datën. Nëse bëhet si po mendon Peshkopi, kam frikë që shqiptarët do mbeten edhe nja dyqind vjet prapa. Kjo nuk do të ndodhë se po dua unë, kjo do të ndodhë sepse natyra e një shoqërie është e tillë. Je espere que vou me comprend…”
“ Cependant, monsieur,” tha mjeku, duke ia zgjatur pallton e gjatë.“ Tani që zotrote e ke dorëzuar detyrën, rolin tuaj do ta marrë Peshkopi dhe unë jam i sigurtë që atë punë do ta bëj më mirë se ju.Të kalojmë te tjetra. Përjashta po rigon drita dhe neve na pret një rrugë e gjatë. Unë jam i mendimit të dalim sa më parë. Sëpari mund të blejmë nga një kuti cigare, pastaj të shkojmë në Arlington Street?”
Shkëlqesia s’ dukej i entuziazmuar.
“ Gjithësesi, mon chère, gjithësesi,” tha ai, duke kërkuar diçka nëpër skenen ku ishin thënë gjithë ato fjalë.
“ Mos keni humbur diçka,” e pyeti Edi.
Jo,jo. Ai s’ kishte humbur gjë por, po para se të ndahej nga ajo sallë e veshur me terr,ai donte t’ ia hidhte edhe një sy vendit ku ishte parë për herë të fundit me miqët e tij. Merre me mend! Ai i kish dëgjuar përshëndetjet e tyre dhe s’ kishte patur mundësi t’ i qeraste me nga një përgjigje të ëmbël. Lamtumirë, Shkelqesi! Lamtumirë, vëlla!
“ Kjo do të thotë se misioni im mori fund,” tha ai, duke shikuar rreth e përqark.
“ Shqipëtarët ua dhanë lamtumirën,” tha Doktori. “ Ajo që do të ndodhë sotështë krejt formale. Në mëngjes, pasi të hapet godina, arkivoli juaj do shkojë në Forrest Hills dhe do të kallet në varr nga ata të agjensisë mortore. Si datë e vdekjes tuaj do të shënohet 15 dhjetori, por e vërteta është se ne do të sorollatemi nëpër botë edhe gjashtëdhjetë e gjashtë vjettë tjera… Deri sa të mbërrijmë atje ku zotrote je ballafaquar me Shqipërinë. Tek pastaj do harrohemi nga pak, por shqipja, ajo gjuhë e zotave, do të na ruaj edhe shumë dekadatë tjera. Qysh po thoni, të dalim?”
“ Dalim, o vëlla, dalim,” tha tjetri. “ Po unë jam një çikëz i trallisur. I pata porositur miqët të më nisinnë Shqipëri, se atje është vendlindja ime, kurse ti po m’ i dëfton ca përralla për varrezat që gjenden në Forrest Hills. A nuk është turp që unë, një ministër fuqiplotë i Mbretërisë, do të vërtitem si lugat nëpër botë? Mos ma merr për kapital, po ti e di zakonet tona.”
“ Je suis désolé, monsieur, po ajo është e pamundur,” ia preu doktori shkurt – shkurtë, me një theks të ftohtë. “ Mos u ankoni, ju lutem, se ka keq e më keq. Kini parasysh se Shqipëria është një vend i pushtuar, ndërsa Amerika gjendet në luftë. Megjithate, shqiptarët s’ ju lanë në baltë. Ata ju nxorën nga morgu të larë e të shplarë, të krehur e të veshur si princ, ndërsa shërbimet funerale ua bënë më mirë se kisha guxuar t’ i ëndërroj. As pati lutje, as pati dua, as pati lotë, por muzikëklasike, muzikë e spërkatur me yje, që nga fillimi e deri në fund. Kjo, pra, s’ do të thotë se kurmi juaj do mbetet përjashta. Sa të jenë shqiptarët e Amerikës,ajo s’ do të ndodhë kurrë. Bash përkundrazi, “Vatra” ka porositur një pllakë të shtrenjtë mermeri dhe n’ atë pllakë do të gërvishet një shqiponjë e madhe dykrenare, ku do të shënohet se ju keni qenë tërë jetën çempion për pavarsinë e Shqipërisë. Pak më poshtë do të gdhendet edhe data kur keni qenë ministër i saj në United States.”
“ Bereqatversën edhe për aq,” tha plaku, gjithnjë i prekur nga zemërgjërësia shqiptare. “ Mjafton nëse shkruajnë atë të parën, se për të dytën s’ ka nevojë. Unë s’ kam qenë ministër, unë kam qenë sherbëtor i saj.”
“ A nuk jeni pak i padrejtë?” e qortoi Edi. “ Vëllezërit tonë, edhe kur bëjnë të pabëra, janë njerëz të mirë.Sikur t’ i shihnit se si qanin për juve, do të mbeteshit pa mend.”
Sytë e atij tjetrit u veshën me borë.
“ Ajo s’ më habitë fare,” tha plaku. “ Më habit zotrote, që ke studjuar në universitetet më të mirë të botës dhe prore s’ke mbledhur mend. Si është e mundur që ti, me studimet qe ke bërë nëpër botë, të biesh viktimë e atij mentaliteti të qelbur?”
Ai tjetri e priti buzagaz.
“ Deshta të ju zemëroj pak,” tha ai. “ Po harroni që shqetësimet s’ janë të mira as për zemrën, as për trurin.”
Shkëlqesia e pa me fytyrë të inatosur.
“ Prap do të ma lyesh kokën me kos. Mortja s’ e ha burrin dy herë, zoti Doktor. Ti je djalë i mirë dhe mbeç i këtillë për jetë të jetëve, por mos harro – se gjatë qëndrimit tim në Silver Springs – ata shokët tu, që janë mjekë si zotrote, më kthyen në gjendjen e përparme. Monsieur! Ata ma kanë këputur edhe zemrën, edhe zorrët, edhe sëmundjet tjera që kisha në organizëm. Tani jam i lirë dhe definitivisht i ndërgjegjshëm për ato që flas. Sa i përket pllakës përkujtimore, mbaj mend këto fjalë: Që shqiptarët do ma vënë shqiponjën mbi kokë, duket në rregull, se vetë e kam kërkuar dhe vetë e kam gjetur. Por sa herë të më quajnë princ e çempion e kodra pas bregut, ata gënjejnë nga pak, se çempion si unë kanë patur me dhjetra. Një poet anglez, s’ di nëse ia ke dëgjuar zërin, e ka quajtur Shqipërinë vendlindje të burrave të trimave. Ajo ka qenë e do të mbetet e tillë.”
“ E di, monsieur, e di,” tha Dr Gjilpëra, duke i ndihmuar që ta vishte pallton.
“ Po tani si do bëjmë?Ku do vemi?”deshti të dinte plaku.
“ Atje, pra, në Boston Garden. Sëpari do ta blejmë nga një pako cigare. Në kët orë Copley është i qetë dhe i këndshëm për të ecur. Pastaj dalim në Boylston Street dhe ndjekim trotuarinderi sa të mbërrijmë në Arlington Street, ku do të marrim majtas, deri sa të ballafaqohemi me përmendorën e Kalorësit. Atje na pret ai miku që do na shpie në Stacionin Qendror.”
“ Pse pikërisht n’ atë drejtim, o vëlla?” protestoi plaku.
“ Si t’ ju them, monsieur,” shpjegoi mjeku. “ Ju jeni një intelektual i rrallë dhe keni patuar punë me poetë, shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, muzikantë, diplomatë e zonja të pasura dhe, si i tillë, e dini që realiteti ka natyrë dialektike. Ca i besojnë, ca nuk i besojnë fare. Sidoqoftë, ju, gjatë qëndrimit tuaj në Londër, kur shfletonit dokumente mbi gjenezën tonë kombëtare, gjetët edhe një varg të dhënash mbi besimin e të parëve tanë pelazgë, që thoshin se njeriu vdes dy herë: herën e parë ai vdes kur shpirti tij ndahet prej kurmit dhe, njësoj si ngjala, niset atje ku është ballafaquar me prindërit e vet; herën e dytë ai vdes kur kthehet në vendlindje dhe i bashkangjitet Gjithësisë. Si udhëtimi i parë, që fillon nga orët e para të fëmijërisë dhe zgjatë deri në orët e funtme të pleqërisë, ashtu dhe i dyti që fillon nga orët e para të vdekjes e deri te orët e para të lindjes, ndjekin të njejtin orar, por kjo s’ do të thotë se përjetojnë të njejtat gjëra. Sa për dijeni, dua t’ ju njoftoj se tridhjetë vjet më parë, kur shkelët për herë të parë në Boston, ju zbritët në Stacionin Qendror dhe q’atej erdhët në Arlington. Tani do bëjmë të kundërtën. Sëpari do vemi n’e Arlington Street, ku na pret ai miku, pastaj, pasi ta pimë edhe një kafe me të, do të dalim në Stacionin Qendror, ku na pret treni për në New York. Pastaj shohim e bëjmë…”
“ Ani ç’ po presim?”
“ Ate që do të ndodhë tani.”
Shi n’ atë çast, kur terri po ia lëshonte rrugën dritës, nga thellësia e godinës erdhën nja pesë tiktake të rëndë dhe iu dhanëkëtyre të kuptojnë se nata kish dhënë shpirt dhe ata duhej të iknin nga godina. Përjashta u dëgjuan nja dy uturima të makinave dhe hapat e njerëzve që nxitonin në punë.
Shkëlqesia, zoti Ambasador, e kuptoi se fshatarët e rrethinave të Bostonit sapo ishin zgjuar nga gjumi dhe po i nxirnin prodhimet e tyre në Kopley Square. Pak më vonë, pasi t’ i ushqenin fëmijët e tyre,edhe zonjat grado vishnin rrobat e trasha dhe do të dilnin në qytet për të psonisur verë, fruta e dhurata të Krishtlindjeve. Amerika ishte në luftë, por ajo, njësoj si kontinentet tjerë, duhej ta kremtonte Krishtlindjen.
Doktori ia zgjati dhe një shall të bardhë.
“ Po me arkivolin ç’ do bëjmë?” e pyeti Shkëlqesia.
“ Do t’ ua lëmë shqipëtarëve të Amerikës, se edhe këta, njësoj si trojanët, pasi ta zbukurojnë varrin me atë pllakën e bukur përkujtimore, do ta ngushllojnë veten që jemi këtejpari, por atë punë e di vetëm i Madhi Zot.”
“ Amin,” tha plaku duke e mbuluar kokën me cilindër. “ Ik të ikim, sa s’ ka plasur magjia.”
Dhe ai, me atë gjallërinë që e kishte karakterizuar tërë jetën, e mbështolli qafën me shall, e regulloi cilindrin dhe bëri përpara.Me ta mbyllur arkivolin, edhe Edi i shkoi pas.N’ atë dritë të mjegulltë të mëngjesit, ata dukeshin shumë të ngjashëm me njëri tjetrin.

Shkruan: Ramadan Rexhepi