Vuçiq: Marrëdhëniet me SPS-in e Daçiqit janë të ndërlikuara, mund të kemi qeveri teknike – Telegrafi

0
67

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka vlerësuar të ndërlikuara marrëdhëniet me Partinë Socialiste të Serbisë të Ivica Daçiqit.

Ai i ftuar në Tv Pink tha se ekziston rreziku i formimit të qeverisë teknike dhe se “të gjithë bashkë me SPS-në kanë tre, katër për qind më pak vota se SNS”.

Në përgjigje të konstatimit të gazetarit se deklarata e tij tregon se nuk mund të llogaritesh në besnikërinë e askujt, gjë që vlen edhe për SPS-në, Vuçiq tha se i respekton jashtëzakonisht njerëzit që votojnë për SPS-në dhe se ka një bashkëpunim korrekt me Ivica Daçiqin, por se ai është “njeri realist dhe serioz” dhe se “e di se si shkon”, raporton danas.

I pyetur nëse “Ivica Daçiq për kryeministër” (kështu quhet lista me të cilën SPS shkon në zgjedhje) është ofertë apo një lloj paralajmërimi, Vuçiq tha se nuk e ka menduar as njërën dhe as tjetrën.

Ai shtoi se SPS-në për partner koalicioni nuk e zgjodhi për shkak të krijimit të shumicës, por sepse beson se është e mirë për stabilitetin e vendit dhe theksoi se në të ardhmen do të kërkojë nga presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq dhe udhëheqja e partisë, të zgjerojë frontin me njerëzit me të cilët duhet të punojmë dhe të bashkëpunojmë.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare, rajonale dhe në disa komuna, pritet të zhvillohen më 17 dhjetor. /Telegrafi/