SHPËRNDAJE

ka qenë. Që nga koha kur filluan t’i gërvishtin fjalët më të para në baltë, synimi i krijuesve sumerë ishte ta imitonin Krijuesin e Gjithësive që, përpos njerëzve e kafshëve e bimëve, kishte krijuar edhe gjithëçka tjetër që egzistonte mbi rruzullin tokësor.
Nëse pajtohemi me këtë pohim, krijuesit, që nga autorët e Gilgameshit e deri te Kawabata, disponojnë me të dhëna të pakufishme. Megjithate, unë mendoj se ata, gjatë procesit krijues, tërë kohën e pyesin veten se sa të pakufishme janë dituritë e tyre kur provojnë t’ i pasqyrojnë ndjenjat dhe mendimet e personazheve. Përderisa nuk i kanë nxjerrë veprat e tyre në treg, si ata që janë të përsosur në zanatin e tyre, ashtu dhe ata që janë amatorë, mund ta përpunojnë tekstin e tyre si të donë vetë. Mjerisht, atë çast që t’ i nxjerrin krijimet e tyre në vitrina të librarive, pushteti i tyre kalon në duart e lexuesit.
Tani që kanë kaluar thuajse shtatë vjet nga koha kur merresha me rrëfime, kam përshtypje se, pas arratisë time vullnetare nga faqet e prozës kosovare, unë s’ isha shumë i përgaditur për misionin që ia kisha caktuar vetes. Ajo që dua të them është kjo: dëshira ime për të treguar mbi vuajtjet e Kosovës Verilindore ishte një dëshirë fisnike për ta lagur letrën me gjakun e populli tim, por ajo sikur s’ ishte mjaftueshëm e fortë për ta gdhendur në faqen e gurit, pasi që shumë shpejt do të përfundonte nën faqen e lëmyshkut. Nëse natyra nuk më kishte paisur me ndonjë trimëri më të madhe,ajo të paktën më kishte paisur me aq sinqeritet sa të mos e ngarkoja veten me merita më të mëdha se ato që kisha marrë në Shkollën Normale. Unë s’kisha shumë arsye ta qortoja veten as si krijues, as si njeri, sepse që nga shtatori i vitit 54 e deri në majin e vitit 59, nuk jam sjellë si ndonjë djalë mendjemadh aponarcisoid. Por diploma ime për të punuar si mësues nuk më kualifikonte për t’ iu sulur Letërsisë. Bash përkundrazi, edhe atëherë kur isha i ngarkuar më shumë se Jezu Krishti, shpesh herë e pyesja veten nëse vërtet kisha dituri të mjaftueshme për të shkruajtur mbi popullin tim në një kohë kur ai ishte gjithnjë nën thundrrat e Jugosllavisë Titoiste dhe shumica e karieristëve shqiptarë – edhe ata që konsideroheshin si burra të mirë – duhej t’ i shërbenin sistemit me besnikëri. Unë, nëse s’ dija tjetër, e dija të paktën se ”Udhëkryqi”, të cilin e kisha filluar si novelëkurrë nuk do të shihte dritë gjatë kohës që Kosova ishte koloni e Republikës Federative të Jugosllavisë.
Kjo që shkrova më sipër ka të bëjë me këndvështrimin e shkrimtarit, për të cilin arsimtarët e Shkollës Normale nuk patën mundësi të na flasin sepse romani i vetëm që kishim në dispozicion ishte ”Rrushi ka nisë me u pjekë”. Për hir të vërtetës duhet cekur se ishte dhe një roman tjetër, ”Gjarpijt e Gjakut”, por regjimi e tërhoqi menjëherë nga vitrinat, sepse autori ishte katandisur në burg. Është e vërtetë se regjimi nuk na ndalonte të lexonim rrëfime, novela e romane në gjuhën serbishte, po sa prej nesh e zotëronim atë gjuhë që më vonë të bëheshim edhe shkrimtarë. Dhe qysh ishte e mundur të bëheshimshkrimtarë ur nuk e zotëronim gjuhën tonë amtare? Ne, sipas pushtuesve, nuk ishim shqiptarë si shqiptarët e botës, por ”shiptarë” si një pakicë kombëtare që kishte rënë nga qielli dhe ishte katandisur në një koloni të lashtë të Republikës së Serbisë.
Duke qenë se gjithnjë jam pedagog, po filloj me një parim të moçëm pedagogjik që na mëson se mësuesi i mirë, për ta bërë lëndën më të kuptueshme, duhet shkojë nga e njohura te e panjohura. Kjo është arsyeja që po më nxit të filloj me veten.
Unë, sëpaku nja dy tre vjet para se bëja shkruaja tekstin e parë të ”Udhëkryqit” kisha vendosur se cilën temë do ta trajtoja n’ atë rrëfim. Në fillim termi ”udhëkryq” për mua pasqyronte vendin ku kishte ngecur motra ynë shqiptare, e cila, në krahasim me vëllezërit e saj, ishte trefish e shtypur; ajo s’ kishte të drejtë të shkonte në shkollë, s’ kishte të ardhura personale dhe s’ kishte të drejtë ta merte atë burrë që donte vetë. Nëse ishte aq guximtare sa ta çonte zërin e saj kundër shtypjes që ushtrohej mbi te, asaj do t’ ia mbyllnin gojën meshkujt e familjes si dhe nëna e saj, që ishte mbrojtësja më e fortë e traditës familjare. Atëherë, kush ishte aleati i saj? Thuajse askush. Nëse motrat e saj fierake apo vlonjate kishin patur fatin t’ iu bashkangjiten vëllezërve partizanë dhe kishin fituar ca të drejta ”klasore” duke u puthur me vëllezërit e tyre jugosllavë, shqiptarja e Kosovës, pa marrë parasysh barrën që pushonte mbi supet e saj, kishte aq burrëri sa kurrë të mos ankohej kundër vëllezërve të saj. Aleatë të saj ishin mësuesit ose ata intelektuaalë të pakët që e kishin trashguar atdhedashurinë nga rrethi i tyre familjar.
Me pak fjalë: unë e dija për çka do të shkruaja, por nuk isha i sigurtë në gradën se sa ishte i njohur mendimet dhe ndjenjat e pathëna të personazheve të mia. A isha vallë i familjarizuar me njërën prej tyre, me dy apo me të gjitha? Cilës figurë duhesha t’ i qëndroja pranë? Dhe a isha në gjendje të arsyetoj nga kënvështrimi i saj?Unë mundesha gjithësesi të arsyetoja si Ilir Kelmendi, personazhi im kryesor, një i ndjekur politik, por a isha në gjendje të arsyetoja si Shega, që ishte e shtypur nga burri, familja dhe pushteti diktatorial që kishte bërë çmos për t’ i përzënë me dhunë vëllezërit dhe motrat e saj nga vendlindja e tyre?
Dilema e shkrimtarit në zgjedhjen e këndvështrimit është e madhe dhe e arsyeshme. Unë do të mundesha ta marr si shembull cilindo roman nga ata që kam lexuar në gjuhën shqipe, por duke qenë se të gjithë janë në shkruar në veten e tretë, preferoj të vazhdoj me kapitullin e parë të ”Udhëkryqit” që zhvillohet që në ambientet e Prishtinës. Personazhi kryesor është Ilir Kelmendi, një ish i burgosur politik, që fill pas daljes së tij nga burgu i Nishit, përpiqet ta gjej një vend pune dhe të kthehet rishtaz në jetën normale. Kapitulli është pak a shumë një histori mbi jetën dhe përpjekjet e tij për ta gjetur një çfarëdo pune dhe shkrimtari, në këtë rast Ramadan Rexhepi, nuk i ndahet për asnjë çast përderisa ai qëndron dhe e vëzhgon korzon e Prishtinës, shkon pastaj drejt Shtëpisë Botuese Rilindja, zihet me një shokun e tij që punon si gazetar n’ atë institucion të rëndësishëm të pushhtetit jugosllav, etj. etj. S’ ka mëdyshje se në këtë kapitull Iliri është një autoritet pasiqë ne – si lexues – me sytë dhe veshët dhe shpirtin e tij i mbërthejmë skenat që e ndërrojnë njëra tjetrën. Kjo, pra, nuk do të thotë se ngjarjet që zhvillohen në atë kapitull përjetohen nga këndvëshrimi i Ilirit. Përkundrazi, shkrimtari vëzhgon me syte e tij aq sa ka nevojë për ta përshkruar atë ambientine lartpërmendur, por me të mbaruar kapitulli, ai e ruan të drejtën e tij të ndërroj këndvështrim dhe ta angazhhojë veten me vuajtjet dhe brangat e një fshatari.
Krijuesi, pra, gëzon të gjitha të drejtat të përvidhet brenda personazheve të tij dhe të reflektojë mbi jetën me sytë dhe kokën e tij. Por ai mundet të përvidhet edhe në sytë, zemrën dhe trurin e personazheve të tij dhe të reflektojë me sytë dhe mendjen e tyre, pa patur nevojë të shkrihet me ta. Ndërkaq, atë çast që ai fillon të rrëfejë në veten e parë dhe jo rastësisht, por qëllimisht, e bashkon këndvështrimin e tij me ate të personazhit, puna merr tjetër kahje. Në këtë rast ndodhë identifikimi i plotë i këdvështrimeve dhe shkrimtari përfaqëson njerin pol të kulturës tregimtare, asaj më të resë, ndërsa ai tjetri,ku autori vetëm e ka ndjekur personazhin e tij kryesor, përfaqëson ate polin tjetër, ku hyjnë shumica e krijuesve socrealistë apo edhem më të vjetër.
Unë do të mundesha të thellohesha shumë më tepër në këtë temë, por nuk po lejon mungesa e kohës dhe moti që ka marrë me borë e po më joshë përjashta.

41. Mirënjohja
Gjatë kohës që po endem nëpër pyjet e këtij fshati të vogël norlandez, ku kemi zënë punë unë dhe ime shoqe, gjëja më e shtrenjtë që kam mësuar nga rrjedha e ditëve të zymta është – mirënjohja.
Mirënjohja paska fis të madh. Njeriu qenka mirënjohës kundrejt prindërve që, me dashjen apo mosdashjen e tyre, na sollën në jetë. Ata na rritën e na shkolluan me shpresa se rrisku ynë do jetë më e mirë se jeta e tyre, por aty nuk ia qëlluan, sepse për jetën tonë po vendos një faktor tjetër që më së paku ka të bëjë me të Madhin Zot. Ky faktor është faktori sllavo-bizantin.
Njeriu ndieka mirënjohje kundrejt fqinjëve që na kanë pritur e përcjellë me fjalë të bukura, edhe pse prindërit tanë herë pas here ziheshin me njëri tjetrin. Njeriu ndieka mirënjohje edhe kundrejt atyre që s’ i ke gjë, mbase as shokë të shkollës, por ta nisin një paketë cigare në shenjë respekti që ua ke bërë një nder. Njeriu ndieka mirënjohje kundrejt të gjithë atyre që të kujtojnë, edhe pse ti, me zemër të përgjakur apo pa zemër të përgjakur, ua ke kthyer shpinën dhe ke ardhur në një fshat të largët bregdetar që gjendet me mijëra kilometra larg Gurit të Madh dhe Lëndinës së Rrethit.
Unë ndiej mirënjohje edhe atëherë kur marr kartolina për vitin e ri. Që ta them të drejtën, nuk jam tifoz i madh i kremteve fetare apo laike, por gëzohem që tjerët janë më pedantë se unë dhe i ruajnë doket dhe zakonet e tyre të moçëm.Mbase pikërisht për këtë arsye e ndiej veten shumë të lumtur kur e hapi derën e shtëpisë dhe përpara vetes, në dysheme, shoh pisha, babadimra apo ndonjë zarf të bardhë, në qoshen e të cilit shkruan – par avion. Atëbotë jam i sigurtë se lajmet më vijnë ose nga Qerim Arifi, poeti i ri preshevar, ose nga Rexhep Ismajli ose nga daja Shaban, njëri nga dajallarët e gjyshes time nga ana e babës. Këta janë ata që më shkruajnë rregullisht, ndërsa vëllezërit dhe motrat më shkruajnë më rrallë dhe zarfet e tyre janë më të trashë e më të rëndë me përmbajtje.Këta, përpos halleve të përditshme, janë plot e përplot me ankesa dhe akuza kundrejt njëri tjetrit dhe të cilat unë, si më i madhi nga fëmijët, duhet t’ i pres e t’ i përcjell si zyra e Prokurorisë publike.
Më së shumti më gëzojnë letrat e Rexhep Ismajlit. Ato, me buzëqeshjen e tyre të kuqekaltër, sikur vijnë për t’ ia nxjerrë gjumin një epoke që ka fjetur shumë vjet me radhë, si Borëbardha, dhe ma kujtojnë kohën kur ulesha pranë dritares dhe i sodisja mollat, dardhat, arrat dhe manat e veshur me borë të bardhë. Atëbotë, nëna e digjte ndonjë lëvore molle mbi stufë dhe krejt shtëpia lëshonte një erë që ishte po aq e ëmbël dhe po aq misterioze sa dhe dashuria e të parëve tanë për t’ i marrë me të mirë zotat e tyre paganë. Kush e kishte menduar që do të katandisesha kaq larg dhe do ta sodisja oborrin e një shkolle të boshatisur nga banorët e vegjël të këtij fshati?Edhe këtë javë janë të lirë dhe gjithë ditën e gjatë iu grahin skiave mbi akullin e Detit Baltik. Kush e kishte mentuar se në këtë pjesë të Suedisë akulli është aq i trashë sa mund ta kalosh detin me skia dhe të dalësh deri në Finlandë?
Tani që do fillojë një semestër i ri shkollor, ne duhej të iknim nga Uppsala dhe të vijmë prapa në fshat. Kemi ardhur pardje dhe, përpos urimeve tjera, gjeta edhe dy letra të gjata. Më shkruanin Rexhep Ismajli dhe im vëlla, Rahmani, që tani po punon si arsimtar. Këtë herë Rexhepi kishte fare pak të reja, ndërsa im vëlla më shumë. Letrat e tim vëllai gjithmonë ziejnë nga skamja e varfëria sepse ai s’ ngopet me pak. Më njofton se të gjithë janë shëndosh e mirë dhe sivjet paskan shitur afro 3000 kilo mushmolla. Çuditërisht, as ato të holla që paska marrë nga im atë, pronari i vërtetë i bahçës, nuk i paskan dalë tim vëllai për të blerë dy thasë miell dhe pak zarzavate.
Kështu ka qenë që rinia më e hershme: im atë ankohej, ime nënë ankohej, im vëlla ankohej, vetë motrat e mia që heshtnin. Edhe tani ankohen të gjithë, ndërsa unë, me atë rrogë që marr nga ABF-ja, duhet ta mbaj veten dhe ndonjërin prej tyre. Ky shqetësim i mallkuar i mallkuar, që po më therr si hanxhar në shpirt, nuk dëftohet me fjalë.Vështirë qenka me një rrogë të vogël e shumë nevojtarë. Im vëlla po e gënjen veten dhe të tjerët se këndej bien koronat nga qielli, por e vërteta është pak më e vrazhdë.
Këtu dielli të ha me dhëmbë. Në mëngjes, deri sa po i lanim rrobat, ra fjala për semestrin e dytë. Me çka do të merresha, vallë, gjatë këtij termini të gjatë? A s’ ishte mirë të dilja në qytet e të bleja një palë skija?
” Kam qejf t’ iu grah skijave, por te ne ato janë shumë shtrenjtë. Kushtojnë sa qimet e flokëve,” i thash Ninës.
” As këtu nuk janë të lira, po kemi kursyer aq sa t’ i blesh një palë,” tha ajo. ” Mos tjetër, do të ushtrosh nga pak.”
” Për Zotin, me gjithë qejf,” i thash dhe vendosa të dal në qytet.
Unë s’ di t’ iu grahë skiave, por do të mësoj me qykë të zorit. Deri më sot s’ kam dështuar me asgjë. Dëshiroja të bëhem pedagog – u bëra. Dëshiroja të mësoja pak gjuhë të huaja – edhe ato i mësova.Dëshiroja të studjoj në një univerzitet të huaj, i mbarova studimet. Dua t’ iu grahë skiave, edhe ate do tabëj. Problemi është se deri më sot unë s’ kam patur as skia, as këpucë të hajrit. Por asgjë s’ është e pamundur. Me ndihmën e zotit Arnesen, që merret me shitjen e artikujve të sportit, edhe atë problemin e zgjodha për mrekulli dhe, në shenjë mirënjohjeje, e ftova Ninën për darkë në restorantin e fshatit.
Tani që po i shkruaj këto fjalë, jam më i qetë. Ndonëse rroga ime është tejet e vogël, unë, para se të dilnim në qytet, ktheva deri në postën e fshatit dhe ia dërgova Rrahmanit një sasi të hollash. Jo sa donte ai, por aq sa më lejonte xhepi. As Osmanin s’e harrova. Osmani është i papunë dhe e pi duhanin. Pastaj u ula dhe ia shkrova një letër të gjatë Veli Veliut, kushëririt të time gjyshe në Paris. Edhe Rexhep Ismajlit ia nisa ca radhë, por jo ashtu si dua t’ i shkruaj, se më mungonte koha. Rexhep Ismajli e neglizhon rrezikun, por të dytë e dijmë se Udba i cenzuron të gjitha letrat që hyjnë në Jugosllavi. Posaçërisht ato që hyjnë në Kosovë dhe Kroaci.
Pasditja e soçme ka qenë përrallore. Tek tani kemi hyrë në dimër dhe ka gjasa që moti do çilet në javën e ardhshme. Sa herë që bie fjala për motin, banorët vendas më njoftojnë se janari është i sertë, por me diell, dhe unë kam përshtypje se informatat e tyre janë të sakta, pasi që okita i ka mbështjellë pemët me gëzof të bardhë dhe degët e tyre t’ i kujtojnë koralet e Oqeanit të Qetë. Sot ajri ka qenë i pastër dhe për herë të parë i painfektuar nga aroma e rëndë që vijnë nga fshati Sandarne.
Para se t’ i bëja këto shënime dola në fshat. Ndonëse e vogël dhe mjaftë i shëmtuar si vendbanim, Jysna është e madhe në sipërfaqe dhe shtrihet në të dyja anët e lumit. Përderisa njëra pjesë e saj, ajo më e vjetra, është e ndërtuar nëpër një bregore të veshur me pisha, kjo pjesa tjetër, që gjendet pranë Detit Baltik, pushon në rrafshirë të veshur me mështekna dhe natën, kur del hëna në qiell, t’ i kujton ata filmat e vjetër amerikanë që shkonim e i shikonim në kino ”Rinia”. Tani ka ikur ajo errësira e mërzitshme e muajit dhjetor. Yjet janë të rrallë e të largët, ndërsa lumi, që kalon nëpër midis të fshatit, për pak nuk del nga shtrati. E madhe është Jysna dhe ushtima e dallgëve të saj është e thellë, e huaj, rrëqethëse, për njeriun që s’e do acarin.
Ç’ u bë, vallë, ai Ramadani i vjetër, që dikur, kur i mbaronte orët e mësimit dhe, në vend se të shkonte te shtëpia, ngjitej Gurishtës përpjetë e kuvendonte me lisat, gjembat dhe shkozat e vendlindjes? Kohëve të fundit, shtypi i përditshëm kanë filluar të shkruaj shumë mbi stresin dhe tronditjet shpirtërore. Gazetat thonë se egzistenca e robit është ndërlikuar dhe shumë njerëz po bëjenë vetëvrasje. Sa herë që ndodhë ndonjë luftë apo konflikt i papritur, ata e kanë vështirë të flenë dhe mënyra e vetme për t’ u qetësuar janë drogat e pilulat e gjumit. Ka dhe tronditje tjera. Mua, fjala vjen, më ka mbërthyer një tronditje e veprimit. Kjo fazë i mbërtheka ata që kanë ngecur në të shkuarën dhe nuk donë të shqiten prej saj. S’ jam aq i paralizuar deri në atë gradë sa të çoj dorë nga puna, por s’ po kam takat të hyj nëkohën së tashme. E djeshmja po më ndjek si një shakë e tërbuar.
Ja: po mbushet motmoti që jetoj në këtë fshat. Kush e di se sa qindra herë kam kaluar nëpër këto rrugë. Unë e kam gërvishtur çdo kthesë të këtij vendbanimi dhe çdo lak të tyre, në trurin tim… U e hekurt mbi lumë… Pellgu i zaptuar me shkëmbinj të mëdhenj… Faqja e pjerrët e digës… Hidroçentrali i vogël… Fabrika Playwood… Shkritorja e plumbit… De pishaku i madh që e ndjek lumin deri te vilat e fshatit Sandarne… Ka kohë që s’ kam qenë në Sandarne. Atëbotë kur mbërritëm këtu, Jysna ta kujtonte një shatërvan të shplarë në flori, kurse tani ajo është e bardhë dhe e ftohtë.
Të gjitha këto do të duken absurde një ditë, kur unë do të kem ikur nga kjo botë, por tani janë të vërteta. Ka mundësi që pesëdhjetë vjet apo njëqind vjet më vonë Evropa do të shkundet nga kjo terminologji gjeografike. S’ ka dyshim se mendimi komercial, uria e njerëzimit për ta vrarë e plaçkitur njëri tjetrin, si dhe hipokrizia e banorëve të këtij vendi do të ngushtohet. Shoqëria nuk do të jetë kaq tolerante sa sot. Ka gjasa që suedezët e ardhshëm do të kënaqen me një çati mbi kokë, një krevat, ca libra dhe pakë të holla për ta ngrënë një drekë apo darkë me ndonjë motër të bukur, por kjo nuk guxon të jetë e tëra. Unë s’ po qahem se kam halle ekonomike, por shpirtërore, dhe këto do të shtohen për të gjithë ata që shkëputen nga ambienti ku janë lindur dhe shpërngulen në ambientet ë huaja. Unë, për vete, e di vetëm një gjë: shpërnguljen s’ e ka shpikur një njeri apo dy. Kjo gjë ka ndodhur qysh n’ atë kohë kur të parët tanë, duke kërkuar rënjë e arrashka të shijshme nëpër tokë, i lanë savanet e ngrohta të Afrikës dhe u turrën drejt viseve më të ftohta e të pabanuar nga njerëzit. Përderisa të egzistojë kjo planetë e larme, pak e bardhë dhe shumë e kaltër, do të ketë jo vetëm shpërngulje po dhe konflikte për arashkat e saj.
Im Osten nichts neues. Izraelitët, që deri dje ishin vetë të ndjekur, tani janë shndërruar në ndjekës. Donë me çdo kusht ta vrasin Gamal Abdel Naserin sepse ky është lidhur me rusët dhe po paiset me armë të reja. As eritreasit nuk janë rehat. Po lexoja se njëri nga liderët e tyre, një poet, qenka këtupari me familjen e tij. Ka mundësi që e shoqja të jetë suedeze, përndryshe do të zhvillonin edhe ndonjë intervistë me të.

42. Fëminia e vonuar

Kam filluar t’ iu grah skiave. Ky është luksi i vetëm që po përjetoj në agun e këtij viti. Ah, sa kënaqësi e madhe të ngjitesh në pyll e të endesh me orë të tëra nëpër heshtje, për pa ta prerë rrugën askush pos ndonjë lepuri apo dhelpre! Sa kënaqësi e madhe të hipësh në Gussiberg dhe ta puthësh me bebzat e syve gjelbrimin që ke rreth e përqark teje: një anë pylli, i gjelbër si smerladi i pastër, n’anën tjetër Baltiku, i bardhë e i veshur me një akull që vende vende është tri metra i trashë.
Çdo mbrëmje, pasi kthehem nga pylli dhe i laj ato dy pjata që i përdorim për darkë, unë ulem dhe përkthej ndonjë faqe të ”Zonjushës Zhulí”. Pak nga pak, po rritet numri i faqeve të përkthyera, por unë s’ kam aspak të ngutur sepse e di se, si ata të Prishtinës, ashtu dhe ata të Tiranës, nuk janë të interesuar të merren me krijimtarinë e një zotërie si August Strindbergu. Ata, edhe nëse kanë dëgjuar për veprimtarinë e tij, nuk kanë as më të voglin interes për novelat, dramat apo romanet e këtij shkrimtari borgjez. Për ta janë interesantë ca burra si Ostrovskij, Gorkij apo një maçok që quhet Josif Visarionoviç Stalin.
Një lajm mbarëkombëtar për banorët e Suedisë: Radiotelevizioni ka filluar të emitojë edhe një program të dytë televiziv, që mua më duket më interesant se programi numër një. Rrjedhmisht, ne që jemi më kurioz duhet të paguajmë dyfish. Kjo është një e keqe e vogël. E keqja më e madhe quhet valium-opia. Valiumi është hap për fjetje. E përdorin të gjithë nga pak, por më së shumti ata që vuajnë nga pagjumësia. Sikur të mos i lente disa copa ime vjehërr, sot do t’isha pak më i lumtur, por ja që ajo kishte harruar disa copa dhe netët e mia janë shndëruar në një skëterrë që i përngjanë asaj të DanteAligjerit. Skëterra e Homerit është e verdhë, e molepsur, ndersa kjo që po përjetoj unë është e gjallë dhe danteske: unë lexoj e lexoj tërë natën e lume, por kur bietë fle, gjumi im zgjatë nga dhjetë orë. Unë duhet të ndërroj shprehi.
Sot ishte e djelë dhe fshati ishte i qetë. Moti vazhdon të jetë i zymtë, i veshur me mjegull, dhe kënaqësia e vetme që kanë fshatarët e ngratë janë shetitjet e gjata me skia. Reth e përqark tyre nuk shihej ndonjë gëzim tjetër pos qiellit të zymtë që, me pak mundim, preket edhe me dorë. Megjithate, unë, pas shëtitjeve të gjata nëpër pyll, kam filluar ta ndiej veten më të motivuar për punë. Ç’ është e drejta, po matem ta bëj një verzion të shkurtuar të romanit ”Udhëkryqi”. Sugjerimet e Jakov Xoxës më duken të mira e të dobishme. Skenat e gjata dhe përshkrimet mastodontale, qoftë edhe ato Lev Tolstoit, e lodhin lexuesin që s’ ka durim për proza të gjata.
Ndonëse po sorollatem çdo të dytën ditë nëpër pyll, unë gjithnjë s’ jam liruar nga trazirat shpirtërore. Ku ta dish, ka mundësi që ato kanë zënë fill në fëmininë e hershme, kur im atë dhe ime nënë ziheshin me njërit tjetrin dhe im atë, duke mos dashur ta shihnim ne, zbrazej mbi motrën time binake, që gjithmonë, gjatë kohë para se atij t’ i hipnin xhindet, e luste – mos babë, të lutem babë, mos i bjer nënës, se s’ kemi tjetër. Psikologjia e lidh këtë dukuri me edukatën autoritare në familje dhe përfaqsuesi i saj më i shquar, zoti A.G. Maslow, thotë se autoritarët e shohin veten si të përsosur dhe të njejtën e kërkojnë nga tjerët. Ata s’ janë të tillë vetëm në punët e përditshme, ata përpiqen ta shndërrojnë edhe ambientin rreth e rrotull sipas botëkuptimeve të tyre. Çdo gjë, duke filluar nga perdet, mobiljet, shtretërit, çaraçafët, krevatët e gjithçka tjetër, duhet të kenë pamje të caktuar. Se si e ndiejnë veten të tjerët në atë ambient, ajo s’ ka rëndësi.
Më në fund, erdhi dhe ”Nëntori”, revista letrare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, dhe nga faqet e saj mësova disa gjera që s’ i kisha ditur më parë. Shqipja me të cilën u ballafaqova duke e shfletuar atë revistë më trembi keq sepse, vende – vende, m’u duk si shqipe dhe, vende – vende, si rusishte. Thua se ishte një gjuhë e re botërore. Veçanërisht më dëshpëruan ato hyrjet e gjata dhe idioteske.
Sonte u prish moti. Era, një erë e fortë siberiane, desh na i zhguli dritaret nga vendi. Ajo erdhi me një miellazë bojë hiri dhe hove – hove na dukej se shkolla do rrëzohej për toke. Me miljona flluska bore reshën nga qielli dhe mbuluan çdo gjë: rrugët e fshatit, oborrin e shkollës, pullazet e shtëpive, si dhe bredhat e mështeknat që e rrethojnë Kishën protestante.
Aty nga ora njëmbëdhjetë dola përjashta. Bora e kishte kaluar gjysëm metërshin dhe ajri, nga era që frynte, dukej i kaltër. Thua se dikush ia kishte vënë flakën dhe ai lëshonte tym. Unë bëra ca hapa nëpër oborr dhe, papandehur, pash se dy veta po flenin në makinën që e kishin parkiruar përskaj rrugës. Ata bënin mirë që ishin strukur nën batania sepse autostrada ishte e bllokuar dhe – të paktën deri nesër në mëngjes – ata s’ kishin ku shkonin.
Pandehur e ndjeva veten si protogonist të përrallave arabe. Këta,si rëndom të përralla, dalin për një punë dhe papritur katandisen në një botë tjetër. Pak më parë isha njeriu i vetëm në botë që endej nëpër borë dhe e lusja qiellin e cakërdisur të më ngrinte, të më shndërronte në akull, sepse isha i mërzitur. O, ju, malet me dëborë, a po i shihni hallet e mia?! Kështu ankohej shqiptari dikur, kur i dhimbnin plagët që kishte marrë nga jeta. Edhe unë, njësoj si ai, përpiqesha t’ ua dëftoj dhembjet mështeknave që fishkëllenin nën kamxhikun e erës, por ato s’ i kuptonin fjalët e mia. Megjithate, ecja nën degët e tyre krejtësisht i sigurtë se edhe ajo stuhi do të pushonte deri nesër, në lindje do të çfaqej dielli dhe bredhat e pishat do t’ iu përngjanin kërpudhave të botës fantastiko-shkencore.

43. Qung Msing Nang

Këto ditë më ka rënë në dorë një libër mbi konfuçianizmën. Autori quhet Qung Msing Nang dhe, për mendimin tim, ai është një përfaqsues i shkëlqyeshme i asaj rryme filozofikr.
Konfuçianizmi nuk është fe, por rrymë e moçme filozofike që mbështetet në tri shtylla kryesore: në familjen, edukatën familjare dhe lumturinë kosmike. Për ushtruesit e kësaj filozofie, mirësia vjen në vend të parë dhe çdo orvatje e jona duhet ta ketë si synim pastërtinë shpirtërore.
Sa i përket relacioneve jashtfamiljare, konfuçianizmi ndjek idealet e një fataliteti oriental. Jeta e njeriut është e qartë. Njeriu lind dhe vdes njësoj si dielli që lindë dhe perëndon benda ditës. Ecja e jetës është e pandryshueshme dhe konfuçianët nuk e shohin të nevojshme që t’ iu luten qiejve dhe perëndive për gëzim, pikëllim apo dëshprim. Njeriu që gabom mund të pendohet. E bëra është në dorë të fatit, kurse jeta duhet të vazhdojë, të jetohet. Autori thotë se kjo filozofi njëmend e ka mbajtur popullin kinez të prapambetur, por jo si mendojnë filozofët evropjanë. Populli kinez, përkundër spekullimeve të egra, ka mbetur i paprekur në epërsinë e tij morale.
Sotpasdite jam ngjitur në kodrën më të lartë të fshatit.Qielli ishte pa diell, me ca re të holla sa petat e bakllavasë, dhe më një që ishte e hershme, e afërt, e madhe. Tamam sa një sofër e argjendtë. Pylli ishte i qetë, me ca akuj që vareshin si stalagtite të mbinatyrshëm në degët e bredhave dhe pishave.
Ah, sa gëzim i madh për trupin të ngjitesh shpatit përpjetë dhe ta vështrosh detin prej së larti! Sa dëfrim i rrallë për shpirtin ta vështrosh qilimin e gjelbërt të pishave që fillon para këmbëve tua dhe zgjatet deri te bjeshkët e Norvegjisë! Sa hare e këndshme për gjymtyrët e trupit ta ndjekësh vargun e dritave që gjarpërojnë nëpër pyll dhe ta dëftojnë rrugën që duhet ndjekur! Ajo pistë vete me dhjetra kilometra: herë ngjitet, herë ulet, herë lakon djathtas, herë lakon majtas dhe, tërë kohën duket e zhduket prapa ndonjë kthese! Sa lezet i madh për shpirtin e plogshtuar të fluturosh përmbi këtë çarçaf të bardhë dhe t’ i vëzhgosh shkurret e kërrusura nga bora, çerdhet e mëdha të sorrave dhe gjurmët e freskëta kafshëve të egra! Edhe më kënaqësi është të lëshohesh shigjetë drejt fshatit, ku shquajnë oxhaqet e dy fabrikave të larta dhe hekurudha që e lidh veriun me jugun! Kurse mbi tërë atë mrekulli lëshon dritë një hënë e zbehtë, e mbuluar me re të bardha.

44. Daja Shaban

Sot jam marrë me punë praktike. Me t’ u zgjuar në mëngjes, i paketova librat që m’ i kishte nisur Nazmi Havolli dhe ia dërgova me postë, pastaj pagova qiranë e shtëpisë dhe lexova një letër që ma kishte nisur daja Shaban nga Franca.
Daja Shaban është djali i tretë i Isuf Norçës. Ai sëbashku me dajën Nazmi, dajën Nezir, dajën Zahir, dajën Metë, dajën Bakë, dajën Bakë e dajën Sali është njëri nga dajallarët e gjyshës time, të cilën ata, që nga fëminia e tim ati, jo vetëm e kanë pritur mirë, por edhe e kanë fejuar e martuar me gjyshin tim. Gjatë kohës së luftës, daja Shaban, si të gjithë shqiptarët tjerë, mori pjesë aktive në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës Verilindore kundër çetnikëve serbë. Menjëherë pas hyrjes së brigadave partizane në Karadak, dajën Shaban e lidhën në pranga dhe e dënuan me burgim të rëndë. Historia se si ai burrë guximtar, bashk me një shqiptar nga Shqipëria, u hodhën nga një tren i mallrave dhe, ashtu të lidhur me njëri tjetrin, arritën deri në Preshevë, ua kalon të gjitha aventurave që kemi parë në filmat amerikanë. Çuditërisht, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga ajo kohë, unë gjithnjë e mbaj mend dajën Shaban dhe zërin e tij të fuqishëm. Sa herë që vinte në Preshevë, daja Shaban ”lakonte” edhe te ne dhe gjithmonë më thërriste prej sëlargu. Ai e mbante një automatik të shkurtër dhe, para se të pinte kafe me tim atë, armën e varte në degën e një molle që e kishim para shtëpisë.
Po më duhet të cekë se, sado që po përpiqem ta mbaj një ritëm të natyrshëm, fryma ime krijuese nuk është në nivelin e duhur. Ajo kthina, të cilën socrealistët shqiptarë po e quajnë studio, është sa ”bira e Harushës”. Zgjohem unë në mëngjes, i ziej nja dy tasa me kafe, e pi filxhanin eparë dhe, pasi përkthej ndonjë faqe të Zonjushës Zhulí, dal në krahun tjetër të banesës dhe e ndezi një cigare. Do t’ isha pak më i lumtur sikur ta kisha një shqiptar këtu e të kuvendoja pak, por jam qind për qind i vetëm. Në mungesë të të afërmive, unë e thith cigaren dhe reflektoj për letrat që më vijnë nga Kosova, Shqipëria, Anglia, Gjermania dhe Franca. Eeeh, sa shumë ankesa, pikëllime e njoftime të trishta më vijnë nga atdheu…
Ka tri ditë që jam në gara konstante me kohën. Nuk jam mirë me shëndet sepse, përkundër përpjekjeve të pareshtura që ta mbaj në kontroll ritmin e punës, nuk jam aspak i kënaqur me punën time. Po më mungon ajo energjia e thjeshtë shpirtërore për ta filluar dhe mbaruar një punë brenda kohës së caktuar. Kinezët e marrin kohën ashtu siç ua dergon i Madhi Zot, ndërsa unë, edhe pse kam qëlluar i me trup mesatar, po provoj ta zë me dorë çdo minutë të saj. As vetë nuk e di pse po ngutem.
Sot paradite moti u ngroh pak. Këtë ndryshim nuk do ta veja re sikur të mos gdhihesha herët dhe të mos e filloja një faqe të re të ”Zonjushës Zhuli”. Sapo hyra në dhomë dhe iu afrova dritares, pash se era që frynte mbrëmë kishte pushuar. Kisha ca dhembje të çuditshme në shpatulla, në shpinë dhe në pulpa. Kush e di se ku i kisha marrë ato dhembje, por në këtë qoshe të Evropës ftomat dhe sëmundjet janë më të rëndomta se te ne.
S’ kanë mbetur veçse edhe dy ditë që të hyjmë në muajin shkurt. Edhe sot jam zgjuar vonë dhe po e nisi punën me shumë përtesë.Sa i vogël është kjo mikrobota ime! Tamam sa një lëndinë nën të cilën gërmon urithi i tokës. Përjashta saj dhe pasqyrës së bakërt të Detit Baltik, lëvrijnë me mijëra njerëz që kanë halle shumë se unë.
Sapo kam filluar me kurset e gjuhëve. Ditën, deri sa ime shoqe ua mëson anglishten dhe gjermanishtën fëmijve të fshatit, unë bëj po atë punë që kam bërë gjatë semestrit të vjeshtës: shkruaj, përkthej, ha drekë dhe pasdite vete në qytet për t’i mbajtur kurset e gjuhës. Herë pas here, kur rraskapitem shumë, ulem në kolltuk dhe e studjoj një hartë të Kosovës që ma ka dërguar Rexhep Ismajli. Nuk e di nga më vijnë këto shpresa, por jam i sigurtë se do të vijë një ditë kur Kosova do të lodhet nga robëria. Ato demonstratat e Tetovës nuk nxorën gjë në dritë. Dolën shterrpa. Nga sa po mësoj nga librat e Zonjushës Durham, populli ynë, aq sa është trim e i papërkulur, aq është edhe i përçarë e armiqësuar me veten. Ai bie lehtë nën ndikimin e faktorëve të jashtëm. Atëbotë kur nuk pret shumë prej tij, ai jep prova të jashtzakonshme trimërie. Por ndodhë dhe e kundërta. Mu atëherë kur duhet dëftuar qëndresa e trimëria, ai i çon duart dhe iu dorëzohet romakëve, turqve, serbëve, grekëve e italianëve. Papandehur, të gjitha ato këngët e tij që bien erë baruti shndërrohen në fantazira. T’i shikosh nga jashtë, ato mburrjet e tyre t’ i verbojnë sytë, por kam të dhëna se atojanë të lehta si fluturat që bredhin nga lulja në lule.
Shqiptarët e pëlqejnë kafazllukun, thotë Faiku. Fjala “kavaz” duhet të ketë prejardhje turke ose arabe. Në kohërat e Lidhjes së Prizrenit kafazë quheshin shqiptarët që visheshin në tesha kombëtare dhe punësoheshin si rojtarë të legatave të huaja. Atë punë, sipas Faikut, shqiptarët e bënin me krenari, sepse ishte një zanat që nuk donte shkollë. Për fattë keq, shteti s’ bëhet duke luajtur kapuça e duke i ruajtur legatat.
Këto ditë po përkthej ditën. Nuk e di për ç’ arsye, por natën më pëlqen të vishem trash dhe të dal nëpër rrugët e fshatit deri sa ai është në gjumë dhe mbi shtëpitë e tij shkëlqen një hënë e buzëqeshur si Mona Liza Leonardo Da Vinçit. Si pasojë e asaj drite, gjymtyrët e pishave janë të zeza, qielli është i shplarë dhe llamburitja e yjeve të nxitë për udhëtime imagjinare. Tani ora është një pas mesnatës dhe po e ndiej veten të lodhur. Po e shfletoj librin ”High Albania” dhe s’ po gjej fjalë të përshtatshme për ta ngushlluar veten.
O, i Madhi Zot, e pyes perëndiun. Çka na mbajti gjallë si popull: fati, rastësia apo ajo hordhia mongole që erdhi nga lindja dhe na shndërroi në myslimanë?
Harrova të shënoj. Këto ditë Jysna ka shterruar fare. Shtrati i saj është më i dukshëm, por akulli është trashur edhe më shumë dhe po sjell një erë që është edhe erë peshku të hedhur nga varkat, edhe erë kalbësie.

45. Raga

Në dhomën time po jep shpirt melodia e një rage hinduse. Ashtu lindet dhe vdes një mëngjes, një drekë apo një mbrëmje. Melodia e qetë e fyellit po më nxitë edhe mua të nisem drejt vendlindjes dhe të qaj për popullin tim.Ah, sikur të mundesha ta puthë atë kallam që tani po derdh lotë… Sikur të mundesha ta ledhatoj me dorë atë kërcell të gjatë që dikur është lëkundur në erë dhe tani, pas vdekjes së tij,nga mushkëritë e tija nxjerr kaq lotë e ngashërim…
Këto ditë po e lexoj romanin ” Mbretëria e borës”. Nuk po kam shumë kohë të lexoj, se po duhet të përkthej dhe të djersitem për kafshatën e bukës.
Kam marrë edhe dy letra të reja: një nga im vëlla, Rrahmani, tjetrën nga Rexhepi. Rexhepit ia ktheva menjëherë, ndërsa Rrahmanit duhet t’ i shkruaj më vonë. Isha i detyruar t’ i lë të gjitha anash se Nina kishte dhembje barku dhe duhej ta çoja në Hudiksvall. Pastaj, pasëm ca barna në apotekë, ajo iku të flente, kurse unë e ndoqa një reportazhë të gjatë mbi mbi kurdët e Irakut… Program interesant dhe edukativ. Fati i popullit kurd po ma kujton fatin e popullit shqiptar. Edhe pse Turqia po i quan malsorë, faktet thonë se kurdët janë kurdë dhe kanë territorin ku kanë jetuar me qindëra vjet, kanë gjuhën e tyre dhe kanë historinë e tyre, të cilën nuk e kanë shkruar. Izolimi shekullor, mungesa e aleatëve dhe përçarja fisnore i ka lënë prapa.
Përndryshe, po gdhihem vonë. Jo vetëm librat që kam marrë nga Biblioteka e Uppsalës, por edhe programet dokumentare, po më torturojnë e lënë pa gjumë. Po lexoj gjithçka që kam porositur nga Uppsala: Cvijiqin, Gjorgjeviqin, Çubrilloviqin, Tucoviqin…. Të gjithë këta, me përjashtim të Tucoviqit,armiq të përbetuar të popullit shqiptar. Çudi, pra, për arsye që s’ kam shumë të dhëna të sakta, disa nga figurat tona më madhore, për hatër të unit të tyre, kanë bashkëpunuar me serbët dhe malaziasit. Nuk janë vetëm Ahmet Zogu e Esat pasha tradhtarët tanë. Tek pasi kanë mbetur me gisht në gojë, ua kanë kthyer armën, por një çikëz si vonë.
Nëse duhet t’ i vëmë një emër këtij shekulli, duhet ta quajmë – Shekulli i Luftërave Nacional – çlirimtare.”Kush nuk po lufton sot kundër kolonializmit? Po luftojnë palestinezët. Po luftojnë angolanët dhe mozambikasit. Po luftojnë vietnamezët. Po luftojnë kurdët. Po luftojnë arabët. Të gjithë me shpresa se do të çlirohen dhe do t’ i realizojnë aspiratat e tyre kombëtare. Po luftojnë dhe po vdesin pranë altarit të lirisë.Vetëm Kosova që ka rënë në heshtje. Po e shohin kosovarët se askush në botë, as Shqipëria,as Papa i Vatikanit, as Turqia, as shtetet arabe, as Organizata e Kombeve të Bashkuara, askush s’ do të dijë për hallet e tyre. Radio Tirana s’ ka tjetër brengë pos qysh t’ua nxjerrë gjumin popujve jugosllavë që të çohen në kryengritje dhe ta kthejnë stalinizmin prapa.
Shtrohet pyetja: Kush do ta çojë zërin në mbrojtjen e të drejtave tona? Përgjigja: Askush. Kam vënë re se qeveritarët e këtushëm suedezëbetohennë kokën e Titos dhe çdo dhunë që ka ndodhur deri më sot në Kosovë, në sytë e tyre ka qenë ndërmarrje e ligjshme e shtetit për ta ruajtur territorin e vet.
Eci mbi urë të lumit dhe mbaj vesh: atje poshtë shtyhen dhe zihen valët e xhindosura të Jysnës, të turbullta e të ngarkuara me gurë, degë, lëvore e plaçka që kanë hedhur fshatarët e pandergjegjshëm, ndërsa qielli e vështron atë lojë dhe pret lindjen e diellit.Reflektimet janë e vetmja kënaqësi që më ka mbetur në këtë botë. Sa e ftohtë, dhe – njëherit – sa indiferente është shoqëria ku kam ardhur. Çdo gurë i kësaj bote, çdo plep, çdo pishë qëndron ashtu si ka qëndruar njëqind vjet më parë. Përjashta s’ ka njeri. Vetëm shiriti llamburitës i dritave elektrike, parku i plepave, banka e fshatit dhe mështeknat e mbuluara me rroba të argjenta.
Ndiej keqardhje që s’ di shumë për gjenezën e këtij fshati të vogël, po kështu është kur je”jabanxhi” si ai poeti i dashuruar nga Elbasani. Përndryshe, këtu jetojnë nja 3 – 4000 banorë dhe të gjithë sëbashku janë farefis e të njohur me njëri tjetrin. Mjerisht, unë e ruaj njëfarë distance, se kam punët e mia. Herë pas here i përshëndes me oborrësi, flas me ta, diskutoj, por preferoj të mos e ndaj vetminë time me askend.Kjo s’ do të thotë që ky fshat nuk ka dashuri, fejesa, martesa, dasma, zënka, ndarje, vdekje dhe vetëvrasje. Mjerisht, të gjitha këto s’ kanë asgjë të parbashkët me dhembjen time. Ky është shkaku pse jeta e jusnarëve është thuajse e panjohur për mua.
Ditën e djeshme e kalova duke shkruar letra. Pa marrë para sysh vlerat artistike të “Lumit të vdekur”, kam përshtypje se ca nga replikat e atij romani janë të ngarkuara. Replikat e gjata iu kanë hije romaneve të tipit “Lufta dhe Paqja”, por jo “Lumit të vdekur”. Për mendimin tim, ritmi i jetës së përditshme nuk i le personazhet të zhvillojnë biseda akademike. Përkundrazi, replikat e gjata ndërpriten vetvetiu sepse njerëzit bashkëkohorë s’ kanë durim të presin me orë që ta thonë mendimin e tyre. Në këtë drejtim, Ismail Kadare është më I arsyeshëm.
Kujt i kam shkruar këto ditë? Po, dajës Shaban, Miskës, motrës time, Rexhep Ismajlit dhe një shoku suedez që quhet Ulmar Kvik.Gjatë kohës që bëja ndonjë pauzë të shkurtër e vrisja kokën me tekstet që këndon një këngëtare amerikane me emrin Joan Baez. Joan Baez duhet të ketë prejardhje latino-amerikane, sepse e flet dhe artikullon spanjishten për mrekulli.
Këto ditë, duke i shfletuar librat që ka botuar Miss Durham, kam filluar ta pyes veten mos vallë edhe ne, shqiptarët e rinj, kemi rënë në sitën e indoktrinës dhe po shohim ëndrra në midis të ditës?! Gjykuar nga gjuha që flasim, jemi gjithsesi pasardhës të një populli të vjetër, s’ ka lidhje se si quhej ai popull – ilir, thrrakas apo pelazg – por gjykuar nga historia e Gadishullit Balkanik, ne mund të jemi nje legurë që ka dalë nga përzjerja e popujve dhe memorja ynë të jetë sakate në shumë kuptime. Si duket puna me mitologjinë tonë, për shembull? Ndryshe nga asirët, mesapotamët,egjiptasit, persët, arabët, grekët e romakët, ne s’ kemi mite të qartë mbi zotat që e krijuan botën dhe daljen e njeriut në skenën historike.
Lidhur me këto punë kam diskutuar edhe me Rexhepin, por tani që kam ikur nga Uppsala, mundësitë e mia për të gjurmuar në Fakultetin Teologjik janë thuajse të ngordhura. Populli ynë, sipas asaj që mua më duket e arsyeshme, ka një botëkuptim modern mbi gjenezën e llojeve. Ai e ka të qartë se njeriu, çfarëdo ta ketë lëkurën, përbëhet nga dy gjymtyrë kryesore: trupi dhe shpirti. Trupi është korraca,gjegjësisht mburroja,dhe mund të thehet në cilindo çast. Brenda trupit jeton shpirti, të cilin askush s’ e di qysh duket. Ai delnga korraca dhe endet nëpër botë, shikon, studjon, dashuron, vuan, qanë dhe, kur mërzitet, kthehet prap në vendin e tij sepse atje është strofulli që ka zgjedhur për të pushuar. Zonja Durham e cek se Shqiptari, kur e sheh një ëndërr të keqe dhe zgjohet në ankth, shpjegimin e ka në maje të gjuhës: shpirti s’ ka arritur të kthehet prapa. Kjo do të thotë se trupi dhe shpirti nuk bëjnë pa njëri tjetrin dhe egzistenca e tyre është e përbashkët.
Njeriu është qenia më fatkeqe e rruzullit.Ajo di të mendojë mirë, madje shumë më mirë se qeniet tjera, por është në natyrën e saj ta keqpërdorë trurin deri në maksimum. Të gjitha qeniet tjera, duke filluar nga fluturat e deri te elefantët, edhe pse nuk mendojnë si ne, kudesen për trupin e tyre. Ato e ruajnë trupin, sepse brenda trupit jeton shpirti që manifestohet herë si gëzim, herë si pikëllim, here si frikë, herë si agoni.
Po nisem nga vetja. Ditë për ditë e vras mendjen se ç’ po ndodhë me vendlindjen tonë, si i kanë hallet të burgosurit politikë, si po mbijetojnë ata preshevarë të ngratë që vit pas viti mbjellin nga pesëdhjetëmijë, nga tetëdhjetëmijë fije duhani?Ndoshta më mirë do t’ ishte të gjallëronin si këta lepujt e urtë suedezë që gjithë ditën kullotin nëpër lëndina dhe s’e vrasim kokën për armët bërthamore dhe zhdukjenkolektive të popujve… Po ja që bota nuk është krijuar sipas konceptit tonë.
Kështu si na ka skalitur natyra, në dorë të parë jemi trupa. Me duar, me këmbë, me sy, me veshë, me vetulla dhe me një varg gjymtyrësh tjera. Pastaj jemi shpirtra. Paçka se ndodhë nganjëherë që, në dorë të parë,jemi shpirtra, e pastaj trupa.Përndryshe, çka do të ishin shpirtrat tonë, mendimet tona, dëshirat tona, sikur mos të egzistonin trupat? Çka do të ndodhte sikur mos të egzistonte kjo makinë e jona me duar e me këmbë e me sy e me veshë? Pa këta sy e këto duar që shkruajnë në fletore nuk do të funkciononte as truri ynë. Atë çast që ligshtohet kjo makinë,ligshtohet edhe shpirti ynë. Le të jetë mendja mendja sado e shëndoshë, por atë çast që fillon shprishja jonë organike, fillon edhe shprishja jonë mendore.
Ka mundësi që gjithë ky pesimizëm është rezultat i moskujdesit tim për korracën. Trupi ynë, me gjithçka që gjendet brenda, është mburroja e shpirtit. Nuk ka dyshim se ate e drejton mendja, kjo qendër shumëdimenzionale, që gjithnjë, edhe kur flejmë, ajo s’ di të ndalet, por trupi është sirtari magjik që e mbanë të shëndoshë këtë kryengritës të palodhur.
Psikologu J. Dyer thotë se trupi është një makinë e sofistikuar të cilën e drejton truri. Tek kur të mësohemi ta ruajmë trupin dhe t’ i përdorim mundësitë e tij fantastike, ne do jemi qenje të gjalla, të shëndoshadhe të lumtura. Kur të vdesim, ka mundësi që truri ynë mbase ndërron korracë, pamje, hapsirë gjeografike, por nuk është më Hasan, Hysen apo Hysnije që ka qenë. Përderisa jemi gjallë, identiteti ynë është i lidhur me korracën që kemi mbi shpinë dhe ate duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Sikur aga Can, fqinji ynë, të mos e ruante atë trupin e tij të çeliktë, ai nuk do të mundej të ecte nga Jemeni e deri në Preshevë, por do të vdiste rrugës nga etja dhe uria.
Ah, sa mëkat i madh që s’ e kam as një fotografi të tij, që ta shöh makar një here në ditë.

Fragmente të nxjerra nga veprat ” Reflektime të pathëna të një shkrimtari” dhe ”Gjymtyrët e një vetmie”

Shkruan: Ramadan Rexhepi