SHPËRNDAJE

Është super e përhapur tendenca tani që të pish lëngje të freskëta të frutave të shtrydhura dhe lëngje të plota frutash dhe perimesh, mundësisht të gjelbra.

Por cili është ndryshimi mes dy lëngjeve?

Thënë shkurt, është fibra. Lëngjet e shtrydhura kanë shumë pak fibër, ndërsa lëngu i plotë me copëzat e grira të frutave dhe perimeve, ose siç njihet ndryshe ‘smoothie’, ka më shumë.

Lëngu i plotë përgatitet duke vendosur të gjithë përbërësit në një enë dhe duke i grirë ato së bashku. Rezultati është fantastik.

Një kombinim frutash dhe perimesh plot me vitamina dhe fibra.

Shtrydhësi i frutave nga ana tjetër filtron fibrën nga frutat dhe perimet duke mbushur gotën me lëng por duke lënë mënjanë tulin e frutit apo pulpin që është plot fibra.

Përse janë të rëndësishme fibrat? Fibrat ndihmojnë tretjen, balancojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe të bëjnë të ndihesh i ngopur. Ka dy lloje fibrash që gjenden në fruta dhe perime të ndryshme.

Fibrat e patretshme që luajnë rolin e një udhërrëfyesi për gjithçka futet në trup, sidomos në aparatin tretës. Fibrat e tretshme që gjenden tek produktet si kastraveci, drithërat, karrotat, arrat dhe farat.

Fibrat e tretshme ofrojnë një sërë përfitimesh, përfshirë uljen e kolesterolit, thithjen e karbohidrateve nga ushqimet dhe ndihmën që u jep baktereve të mira në stomak.

Fibrat e tretshme gjenden edhe në produkte si tërshëra, molla, kumbullat, pjeshkat arrat dhe farat. Mungesa e fibrave tek lëngjet e shtrydhura u jep atyre një disavantazh të vetëm ndaj lëngjeve të plota.

Në një gotë lëng frutash njeriu merr shumë përbërës ushqimorë siç janë mineralet, antioksidantët dhe vitaminat. Këto lëngje mund të jenë të mira për t’u pirë një herë në javë kur ke nevojë për një dozë perimesh ose frutash në një gotë dhe jo në pjatë.

Fibra është e rëndësishme në ushqimin tonë të përditshshëm, ndaj nëse ju pëlqejnë lëngjet, merrni frutat dhe perimet dhe grijini, por mos i shtrydhni gjithmonë, kështu merrni edhe dozën ditore të fibrës. Sipas studimeve, meshkujt dhe femrat kanë nevojë të konsumojnë të paktën dy filxhanë fruta dhe dy filxhanë perime në ditë. Fëmijët kanë nevojë për një.

Të shtrydhësh apo të grish?

Makinat shtrydhëse të frutave heqin lëngun nga tuli e si rrjedhojë largojnë fibrën, siç e thamë edhe më lart. Nëse preferon mund të marrësh pak nga tuli i mbetur dhe ta hedhësh në lëng, ose ta përdorësh për përgatitjen e ëmbëlsirave.

Kombinimi i frutave dhe perimeve në një lëng të plotë është një proçes interesant. Konsumatori duhet të kujtohet se atë çfarë fut në enë, më pas do ta fusë në stomak. Nuk ka arsye të blini një makinë grirëse të shtrenjtë. Hiqni lëkurën dhe farat e frutave ose perimeve, shtoni pak ujë, kos, qumësht, arra ose çfarë pëlqeni dhe futini në makinën grirëse.

Kështu merrni të plota vlerat e secilit prej produkteve. Kështu pra, në garën mes të dyjave fiton lëngu i plotë që është fantastik për stomakun, mendjen dhe lëkurën. Fruti është mbreti Kombinimi i të gjitha varieteteve të fibrave që gjenden në frutin e plotë vonon përthithjen e sheqerit nga sistemi tretës dhe ndihmon mëlçinë që të mos jetë aq e ekspozuar ndaj dozave të larta të sheqerit, shkruan Agroweb.

Sa më shumë fibra të ketë një frut, aq më shumë kohë do t’i duhet të rrugëtojë në aparatin tretës, duke ushqyer stomakun me ushqyesit e nevojshëm që luftojnë sëmundjet e ndryshme. Nga ana tjetër, frutat me fibra të bëjnë të ndihesh i ngopur dhe si rrjedhojë nuk e tepron me ushqimin.

“Njerëzit që konsumojnë pak fibra, hanë më shumë” thonë ekspertët. E thënë thjeshtë: Të gjithë mund të pinë 170 gram lëng frutash në ditë, por të hash tre portokalle në të njëjtën kohë është e vështirë sepse ngopesh lehtë.