Hamasi liroi izraelitët vëlla e motër, gjatë lirimit mësuan se e ëma u është vrarë – Telegrafi

0
40

Noam dhe Alma Or ishin mbajtur peng në Gazë për plotë 50 ditë.

Ata tërë kohën kishin menduar sesi do të shohin të ëmën pasi t’i lirojnë, megjithatë pasi u liruan mësuan se ëma e tyre ishte vrarë, transmeton Telegrafi.

“Motra ime, nëna e tyre, është vrarë më 7 tetor. Fëmijët nuk e dinin. Kemi menduar se janë rrëmbyer bashkë, por jo, i kanë ndarë nga fillimi”, tha për CNN daja i tyre Ahal Besorai.

“Kur kaluan kufirin dhe sërish panë gjyshen dhe vëllain e madh, mësuan se të ëmën nuk e kanë gjallë. Kjo për ta ishte traumatike. Babai i tyre po konsiderohet si i zhdukur, besojmë se mbahet peng në Gazë”, shtoi daja i tyre.

Në anën tjetër Hamasi dhe Izraeli kanë arritur marrëveshje për zgjatjen e armëpushimit, në këmbim të lirimit të pengjeve tjera si dhe palestinezëve të burgosur në burgjet e Izraelit. /Telegrafi/