SHPËRNDAJE

Kryeministri i Serbisë dhe kandidati për president të këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka dëshirë që në kuadër të kampanjës së tij ta vizitojë Kosovën, dhe se këtë mund ta bëjë pa lejen e Prishtinës zyrtare, por shton se nuk do të shkaktojë probleme për serbët e Kosovës.

Ai u shpreh se mund të futet në Kosovë përmes rrugëve alternative, por se nuk i do ekceset.

Vuçiqi thotë se dëshiron vazhdimin e dialogut në Bruksel dhe se nuk e kupton presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, se pse ngutet me formimin e Ushtrisë.

Në pyetjen se a pret ndihmë nga BE për “pronat” e ish-Jugosllavisë në Kosovë, ai tha se nuk pret ndihmë por deklarim se a po shkelen marrëveshjet a jo.

Ditë më parë Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kishte thënë se ai nuk mund të shkojë në Luginën e Preshevës pasi që nuk lejohet nga Serbia.

“Unë nuk lejohem nga Serbia që të shkojë në Preshevë. Ne e mbështesim vullnetin e tyre kombëtarë dhe demokratikë dhe se unë jam në kontakt të vazhdueshëm me liderët të cilët marrin vendime në bazë të kapaciteteve që kanë”, ka thënë ai. /presheva.com/