Kurti në Vlorë: Të punojmë për idealet dhe synimet e Skënderbeut, Ismail Qemalit e Adem Jasharit – Telegrafi

0
50

Në shënim të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkrah presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryeministrit, Edi Rama, mori pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit dhe bëri homazhe në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë.

Sipas njoftimit për media nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se Kurti ua uroi të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, këtë festë të madhe të flamurit e të lirisë, të pavarësisë e të bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan, e në mërgatë, në botë.

Teksa theksoi se sot është ditë pushimi dhe feste, ai nga qyteti i Vlorës tha se çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, të Ismail Qemalit nga Vlora, e të Adem Jasharit nga Prekazi.

“Ne ishim këtu për të bërë nderime në Vlorë me krerët institucionalë të shtetit shqiptar dhe pasdite do të jemi në Kosovë, për të bërë homazhe tek varrezat e Jasharajve në krye me kryekomandantin Adem Jashari”, tha Kurti.

Aktivitetet për shënimin e 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit kombëtar shqiptar, kryeministri tha se do t’i vazhdojnë edhe nesër.

“Dje kishim ditën e ushtrisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe për shkak se të gjithë këto aktivitet nuk mund t’i vendosim në një ditë, do të vazhdojmë edhe nesër me ngjarje të ndryshme kulturore, artistike për nder të 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit kombëtar shqiptar”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/