Çdo gjë ka një çmim: U parandalua një situatë e pakëndshme tek Barcelona, lojtarët u ‘heshtën’ me para – Telegrafi

0
64

Të besuarit e trajnerit Xavi Hernandez do të përballen me Almerian më 20 dhjetor (19:30) në atë që supozohej të ishte ndeshja e tyre e fundit e vitit 2023, para pushimit të Krishtlindjeve.

Planet megjithatë ndryshuan pasi drejtuesit e klubit katalanas i njoftuan futbollistët se duhet të shtyjnë planet e tyre të pushimeve, sepse do të duhet të luajnë kundër Club America në Dallas më 21 dhjetor (20:00 me orën lokale).

Ndeshja miqësore do të sjellë 4 milionë euro në llogarinë e Barcelonës, por lojtarët nuk ishin aspak të kënaqur me idenë për të udhëtuar në Amerikë nga frika e rrezikut për t’u lënduar dhe një orari të ngjeshur.

Lojtarët e Barcelonës kanë njoftuar Xavin dhe zyrtarët e klubit se nuk janë dakord me zhvillimin e kësaj ndeshje, ​​por shumë shpejt ndryshuan mendje ka raportuar gazeta katalanase Sport.

Ata kanë marrë një propozim në këmbim të mosngritjes së zërit, të shkojnë në heshtje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të luajnë dhe të kthehen në shtëpi me buzëqeshje.

Për t’i bindur ata të udhëtojnë në Teksas, zyrtarët e klubit u kanë ofruar atyre një bonus prej 100 mijë euro secili, kështu që lojtarët ndryshuan shpejt mendje, shkruan burimi në fjalë.

“Gjithçka ka një çmim për botën kapitaliste. Dhe pjesa financiare është gjithmonë përpara asaj që është logjike, e matur apo e këshillueshme. Rezultati është se lojtarët shfrytëzohen dhe lejojnë veten të shfrytëzohen për gjithnjë e më shumë para,” përfundon gazeta katalanase në raportin e saj.

Barcelona sot (e martë) do të jetë nikoqire e Portos në kuadër të Ligës së Kampionëve, ndeshje shumë e rëndësishme për fatin e tyre në këtë kompeticion.

Blaugranasit momentalisht renditen në pozitën e katërt në La Liga me 31 pikë të grumbulluara, katër më pak se rivali i tyre Real Madridi që është lider me 35 sosh./Telegrafi/