SHPËRNDAJE

Kosova, për shembull, mund të bëjë më shumë për shqiptarët e Bujanocit e Preshevës. Jo vetëm në aspektin ekonomik, brengë kjo që s’i ra hise shtetit më të ri të Ballkanit, ta realizojë kundrejt pjesës saj më të dhimbsur, anës lindore të saj.
P.sh, ajo do të mundë të lehtësonte qarkullimin e këtyre qytetarëve nëpër Kosovë. Qysh nëpër pikat kufitare. Ata nuk meritojnë të maltretohen siç maltretohen me vite, duke u nënshtruar nga dy herë kontrolave të panevojshme, nëpër këta kufijtë e ri të integruar.

Mandej, mund t’i lehtësohen procedurat për pajisje të dokumenteve të identitetit, atyre që kanë vendosë të jetojnë përkohësisht në Kosovë, apo studiojnë aty. Përveç mijëra studentëve që vijnë nga kjo anë, në Kosovë, është e vendosur edhe një pjesë e konsiderueshme e kësaj treve që është shpërngulur nga koha e luftës e këndej.
Ata madje duhen të pajisen me këto dokumente pa pasur nevojë për 1 mijë letra e arsye. As edhe shuma të caktuara me para nëpër xhirollogaritë e tyre bankare. Të cilat janë sa cinike aq edhe të pa përballueshme, për këta banorë që e kanë aq të vështirë të integrohen në shtetin e tyre.

Vlen të kujtohet se pak më herët në vite, në vend se të ndihmohet kjo popullatë shqiptare që jeton momentalisht nën kufijtë e Serbisë, autoritetet kosovare vendosën taksa hyrëse në republikën e saj, kinse si masë reciprociteti, e që këto taksa i vuajtën më së shumti shqiptarët e kësaj ane, për disa muaj, e të cilët jo rrallë herë lëvizin drejtë Kosovës. Meqenëse pos historisë e gjeografisë, popullin e këtyre komunave shqiptare i lidhë me Kosovën edhe gjaku e edhe kultura.

Ana Lindore e Kosovës, nuk qe brengë e shtetit të Kosovës, as edhe një herë nëpër këtë historinë e re. Çështja shqiptare e kësaj treve, është dashtë të jetë prioritet i autoriteteve kosovare qysh vite më parë.

Kanë pasur model shtetin e Serbisë, se si ka mundur t’i artikuloj çështjet e popullit të saj që jeton në Kosovë. Ata madje sot janë kategori kushtetuese e Kosovës.
Shqiptarët e kësaj ane, nuk i gëzojnë as të drejtat e minoriteteve, siç i gëzojnë të tjerët në Serbi.
Ata, lëre se nuk u përfshinë as në bisedime mes Kosovës e Serbisë, por problemet me të cilat përballen për ditë shqiptarët e këtyre trevave hasën në veshin e shurdhër edhe të serbëve e madje edhe të ndërkombëtarëve.

Nëse pretendon Kosova të normalizoj marrëdhëniet me Serbinë, ajo duhet së pari të riorganizojë agjendën e saj politike në lidhje me raportin konkret me shqiptarët e komunave të Bujanocit e Preshevës.
E ka obligim moral e politik!
E, nëse, Kosova dëshiron ta mbrojë këtë zonë, nga shpërngulja e përditshme e shqiptarëve, qasjen e saj duhet ta ketë më konstruktive, në raport me popullatën e këtyre komunave. /Drilon Hyseni/