Berisha: Kurti po luan lojë të dyfishtë, prolongimi i dialogut interes i Serbisë e dëm për Kosovën – Telegrafi

0
41

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po luan lojë të dyfishtë.

Në RTV Dukagjini, Berisha ka thënë se prolongimi i dialogut është interes i Serbisë dhe dëm për Kosovën.

“Historia e marrëveshjeve ka treguar se pala që nuk respekton marrëveshjen, hapi tjetër është një variant më i dobët. S’ka pse Kosova të ankohet në draftin e statutit, sepse Kosova vetë është dashur ta hartojë dhe kryetari i secilës qeveri është dashur ta iniciojë procedurën për ta hartuar”.

“Qëndrimet e Kurtit i shohim si joseriozitet dhe si një mungesë elementare e një shtetari i cili temat i trajton seriozisht, sepse çdo marrëveshje ndërkombëtare është serioze. Parimi i proporcionalitetit i cili është universal nuk vlen për të. Kurti po luan lojë të dyfishtë, para votuesve paraqitet si një faktor i rëndësishëm, ndërsa para komunitetit ndërkombëtar as nuk pyetet”, tha ai.

Sipas Berishës, mosnjohja nga pesëshja evropiane vazhdon të jetë pengesë për Kosovën në proceset integruese që kanë influencë në ekonominë e vendit.

“Prolongimi i dialogut është interes i Serbisë dhe është dëm për Kosovën. Kosova nuk ka interes ta prolongojë dialogun, sepse Serbia është shtet i njohur anëtar në të gjithë trupat ndërkombëtarë, nuk i kontestohet pavarësia, ndërsa Kosova e ka të pa-përmbyllur këtë proces dhe mosnjohja e pesëshes evropiane është pengesë për Kosovën për proceset integruese që kanë ndikim në prosperitetin e vendit”, shtoi më tej Berisha.

Në anën tjetër, Berisha ka theksuar se Serbia vazhdon të jetë faktor për shkak të Rusisë.

“Sot është 28 nëntori, festa kombëtare e shqiptarëve, dhe kjo festë lidhet me faktin e krijimit të shtetit shqiptar si rezultat dhe insistim i Perandorisë së Asutro-Hungarisë. Historia e 28 nëntorit, në të cilën ka mbetë jashtë Kosova, është pikërisht për shkak të Rusisë. Sikur mos të ishte Rusia, Serbia nuk do ta kishte këtë ndikim”.

“Serbia pa Rusinë do të ishte një shtet që nuk do të kishte aftësi të krijojë probleme. Ky fakt ka ndikuar që Kosova të jetë jashtë shtetit amë dhe insistimi i Perandorisë Austro-Hungareze ka ndikuar që plani rus të mos aplikohet që të mos ketë fare shtet shqiptar, por të jetë një Serbi e zgjeruar. Serbia është faktor për shkak të Rusisë, përndryshe nuk do të merrej askush me të”, u shpreh ai.