SHPËRNDAJE

 
e Policisë Lokale për ta zgjatur pasaportën. Kjo do të thotë se unë, edhe pse po bëhen pesë vjet që kam mbërritur në Suedi dha jam martuar me një shtetase të këtij vendi, çdo vit duhet të paraqitem në zyrën e lartpërmendur për ta zgjatur pasaportën. Sikur të kisha qenë gënjesshtar, edhe unë, si Lefteri që ka ikur ilegalisht nga Shqipëria, do të kisha statusin e azilantit politik dhe do të gëzoja ca privilegje më të mëdha. Mjerisht, s’ jam i pikëlluar për atë punë dhe e ndiej veten krenar që kurrë s’ kam pritur e s’ kam pranuar të marr nga Suedia as dhjetë korona nga thesari i saj. Kam punuar që nga java e dytë e ardhjes time dhe gjithnjë e kam cekur se këtu s’ kam ardhur për arsye se nuk kisha punë apo të ardhura, por kam ardhur që t’ u dëftoj të gjithëve se unë jam shqiptar dhe të gjithë shqiptarët, në cilëndo republikë jugosllave që janë katandisur, janë të shtypur dhe nuk gëzojnë as të drejtat më të vogla njerëzore. Shqiptarët janë rrahur, janë vrarë, janë masakruar dhe janë shpërngulur me dhunë nga vendlindja e tyre. Si i tillë, pra si shqiptar i privilegjuar, as kam kërkuar, as kërkoj tjetër përparësi pos të jetoj si një qytetar i lirë dhe t’ ia them të vërtetën secilit që më pyet. Pas vizitës së lartpërmendur bleva dy pizza dhe, pasi hëngra darkë me Ninën, shikova një film danez. Duke marrë se ajo ka qëlluar e pa vëllezër dhe motra, unë, sa herë që e shoh të pikëlluar, i lëpunët anash dhe ulem e kuvendoj pak me të. Herë mbi Eriun, vëllanë e saj të vedkur, herë mbi prindërit e saj.
Para se të kthehesha nga qyteti, hyra në një librari dhe duke shfletuar katalogjet e librave, e gjeta edhe veprën ”Fajsime” të miqëve Gunesh e Barbro Karabuda, me të cilët zhvilloja një veprimtari humane organizatës Amnesty International. Ai vet, Guneshi, është fotograf, ndërsa Barbruaështë gazetare. Tani s’ po më kujtohet emri i gazetës ku punonte Barbrua, po ajo mund të jetë edhe freelance, si poi thonë këtu.
E lexova librin me shpejtësi të rrufeshme dhe më pëlqeu shumë. Barbro është një gazetare e aftë, ndërsa i shoqi, një burrë i trashë e shtatmadh, duket më i matur. Mbase edhe më i kujdesshëm.
”Fajsimet” flasin për Turqinë e soçme; për Nazim Hikmetin, poetin e madh turk, që mori çmimin ”Lenin” para disa vitesh; përlargpamësinë dhe kontributin e madh që dha Kemal Ataturku në historinë e Turqisë moderne; për burrat që i shesin sytë dhe veshkat për pare, për nuset dhe gratë e reja që, me lejen e burrave, e shesin trupin e tyre për të mirën e familjes. Ato flasin për prodhimet e fshatarve që kalben nëpër ara, dëshprimin e punëtorve të papunë, librat e ndaluar të Jashar Kemalit, etjera, etjera. Me pakë fjalë, një antologji e denjë mbi padrejtësitë që po ushtrohen në shoqërinë turke. Po ta krahasosh jetën e varfanjakëve turq me jetën e varfanjakëve afrikanë, del se këta të fundit janë shumë më të repektuar se vëllezërit e tyre që jetojnë në Azinë e Vogël.Çudi, pra, në shtetet e Evropës Perendimore si Gjermani, Beligjikë, Holandë, Danimarkë, Norvegji e Suedi ata trajtohen si qenë, ndërsa zezakët trajtohen si qenie më të fisme.
Po më duket me vend të cek se gjatë takimeve që kemi mbajtur gjatë vitit 1967 çeshtja e Adem Demaçit është ngritur disa herë. Duke mos dashur të flas për gjërat që s’i dija me saktësi, aq më tepër që Udba sajonte shumë gjëra të paqena, unë e prezantoja Ademin – në dorë të parë – si autor të romanit ”Gjarpijt e gjakut”, si kundërshtar të shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve, si dhe një humanist të qëruar. Mjerisht, Barbro Karabuda kishte opinion tjetër dhe ngulte këmbë që Ademi ishte stalinsit dhe luftonte për prishjen e Jugosllavisë Federative dhe themelimin e Shqipërise së Madhe.Pa marrë parasysh se pse regjimi jugosllav e ka dënuar Adem Demaçin, unë e kam mbajtur këtë qëndrim deri sa u prish grupi ynë i organizatës Amnesty International.Ka mundësi që Barbro Karabuda nuk po flet në ajr, por Xhemalie Demaçi nuk na ka dërguar asgjë tjetër më konkrete.
Po flitet se këtu s’ egziston cenzura. Kjo edhe është, edhe nuk është, e vërtetë. Cenzura e këtushme është e butë, socialdemokrate, dorëfshehur. Ajo s’ priton ta trumbetojë shfrytëzimin e punëtorëve dhe fshatarëve kongolezë por, n’anën tjetër, shtiret se nuk i sheh punëtorët dhe fshatarët çekë e polakë që lërojnë, mbjellin, korrin dhe shijnë drithërat e Suedisë Jugore. Duke na ushqyer me reportazhe nga Hindia, Iraku, Irani, Korea Veriore dhe Afrika Jugore, shtypi suedez sikur do ta frikësojë popullatën duke e bindur se jashta Suedisë po jetohet keq dhe nuk ia vlen bara qirasë me greva, protesta e kryengritje. Më mirë të rrijmë urtë e ta ruajmë standartin e tanishëm ekonomik, se sa të bëjmë si hindusët e të katandisemi në lypës.

46. Pagjumësia

Pagjumësia është vdekja ime e dytë. Kur njeriu krijoka familje, u mësoka të jetë i kujdesshëm dhe t’ i kursejë anëtarët e familjes. Për ta kursyer Ninën, unë e kam vendosur një krevat në dhomën e punës dhe sa herë që dal e bredh nëpër errësirë, hyj e dal me kujdes të madh.
Kot që shtrihem dhe përpiqem të fle. Gjumi nuk më vjen para orës katër të mëngjesit. Në fillim, deri sa s’kisha përvoja nga skiat, lodhesha dhe flija si qëngj, por tani po ndodhë e kundërta. Bie të fle, por sytë i kam çakërr. Tek pas orës katër të mëngjesit unë kridhem në gjumë dhe fle deri më drekë, por ky gjumë nuk më duket i mbarë. Kur zgjohem dhe pi kafenë e mëngjesit, gjysma e ditës ka ikur, ndërsa ajo tjetra që ka mbetur më duhet për të dhënë mësim. Për të qenë e keqja më e madhe, këto ditë ka rënë një borë e re, e përzjerë me fërfëllazë, dhe natyra përsëri ka veshur rroba të bardha.
Nuk e di as vetë pse po e torturoj veten. Përse, vallë, dhe për kend jam duke e përkthyer ”Zonjushën Zhuli”? Rinia shqiptare, në veçanti ajo e Kosovës, e ka të qartë se unë jam kualifikuar për të hyrë në listën e ”armiqëve” të Jugosllavisë dhe s’ kam as më të voglën shansë të bashkëpunoj me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Ani se Esat Mekulin e kam patur si babë. Ani se Esati është një burrë shumë fisnik dhe do përpiqej të më mbronte. Do përpiqeshin të më mprojnë edhe tjerë si Masar Myrtezai, Ymer Pula, Sali Nushi e shumë burra të Gjakovës. Fundja, të kesh talent dhe të kesh dëshirë – janë dy gjëra të ndryshme. Dhe nuk bëhet qameti. Tani bota po sheh lloj lloj talentesh. Talent mund të ketë Ismaili Kadare, që ka lindur nën hijen e Partisë, ka mbaruar albanologjinë, ka studjuar në Institutin Gorkij dhe gëzon përkrahjen e një aparati të fuqishëm për të hipur në altarin e famës, por jo ca tifozë të Kartës së OKB-s për të Drejtat e Njeriut. Ismail Kadarenë ka kush e këshillon, ka kush ia lexon manuskriptet, ka kush ia përkthen, ka kush ia boton dhe ka kush ia nxjerr në treg e ia´shet me valuta të huaja. Ismaili s’ ka tjetër detyrë postë sillet si qytetar i discipinuar dhe të endet rrugëve të Tiranës. Jemi ne, disidentët e mallkuar, që e mashtrojmë veten se po bëjmë diçka të madhe për Kosovën, por kjo nuk është veçse vetëmashtrim.
S’ di pse nuk e shikoj të vertetën në sy dhe të dal nga kthetrat e kësaj qëndrese që, prore, edhe pas kaq vitesh, më mbanë me shpresa se do të mbijetojmë, do ta fitojmë lirinë tonë?! Unë kam vdekur në moshën njezetetrivjeçare, po atë ditë kur Vehbiu më njoftoi se ata ”të zinjtë” më kishin rënë në gjurmë, dhe unë duhej ta qepja gojën. Një Zot e di se si më kanë vizatuar udbashët, edhe pse unë, që nga rinia e brishtë, nuk jam stërvitur për një mision më të rëndësishëm se të bëhem mësues e të punoj në ndonjë tetëvjeçare të humbur. Tani që i kam rënë Atlantikut kryq e tërthorë, kam filluar ta kuptoj se një se një ditë, në një të ardhme, sfida ime do t’ iu duket shqiptarëve të rinj po aq kuptimplotë sa dhe lufta e indianëve kundër zotave të bardhë.
Herë herë, duke shkruajtur në fletore, pyes veten, përse po i shënoj këto mendime të kota: për ta ngushlluar veten apo për të vrarë mallin që kam për vendlindjen?! A s’ ka veprimtari tjetër që ma qetëson shpirtin dhe me le të jetoj në paqë me gratë, shtetet, qeveritë dhe policët evropjanë?
Momentalisht, Evropa është në paqje.Vetëm Azia Juglindore po zien nga puçet dhe revolucionet. Lufta i ka kapërcyer kufijt e Viet Namit Jugor dhe tani po i përcëllon pyjet e Laosit. Djemt e Prezidentit Nikson e kanë vënë në zgarë edhe një popull tjetër aziatik; kuptohet vetvetiu, në ballë të asaj ndërmarrjeje përsëri i kanë nxjerrë parimet e shenjta demokratike, Kartën e OKB-s për Të Drejtat e Njeriut, shtypjen e minoriteteve, por të gjithë e dinë se ajo është një gënjeshtër e pahijshme. Shumë shpejt, mbase më shpejt seç po mendoj unë, flaka do ta përfshijë edhe Kampuçenë e mbretit Sihanuk.
Luftërat që po zhvillohen në Azinë Juglindore më kanë nxjerrë nga takti. Nga natyra kurreshtar për të mësuar sa më shumë për ato që po ndodhin në Rruzullin Tokësor, kam filluar t’ i ndjek reportazhet e drejtpërdrejta dhe ta lë pasdore punën krijuese. Po e ngushlloj veten që edhe Kurdët e Irakut fituan njëfarë autonomie. Po e ngushlloj veten që edhe shqiptarët e Kosovës fituan njëfarë autonomie. Por Faik Konica na mëson se popujt e vegjël janë shpesh herë viktima të një politike këmbëshkurtër.
Tani kemi hyrë në shkurt. Këtu në Suedi muaji shkurt konsiderohet si muaj i gënjeshtrave, sepse secili qytetar suedez, qoftë ai vendas apo i huaj, qoftë ai marangoz apo deputet i riksdagut suedez, duhet t’ i deklarojë të ardhurat e tij. Sipas ligjit ai ka të drejtë të bëjë edhe ca zbritje për shpenzimet që ka bërë gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tij.
Po deklaron edhe ime shoqe. Ka ditë që ulet dhe mbledh, shumëzon, zbret e pjeston për ta fituar të drejtën e saj. Gjatë vitit që iku ajo ka paguar përmbi 25 mijë korona tatim. Nina, sado që përpiqet, nuk ka shansa të marrë shumë korona prapa, sepse ajo është nëpunëse e ndershme, por ka dhe të pandershëm në këtë shoqëri. Ka hajdutër të vegjël e të mëdhenj. Ka asosh që falsifikojne natë e ditë, enden me makina të reja e fitojnë në të zezë, ndërsa qytetarët e ndershëm, jo vetëm që prishin shëndetin dhe nervat, por duhet edhe t’ i betohen pushtetit se kanë deklaruar ndershmërisht dhe me ndërgjegje të pastër.
Dikur, kur unë dhe Nina ishim student të rregulltë, merrnim nga 4 mijë korona për semester, tani paguan gjashtë fish më shumë për ta mbajtur një punë. Po pse? Sepse tani jemi punësuar dhe duhet t’ ia lajmë qeverisë të mirën me një përqindje tepër të lartë. Djersa ynë po shkon në arkën e shokut Palme, që po prodhon topa, gjyle e nëndetëse dhe ato po ia shet shokut Tito, që ky t’ua shesë shokëve e të tij me një përqindje edhe më të lartë.

47. Raporte

Kush e di çka i kishte gjetur ata të Ndërmarrjes së Librit, po ma kishin nisur një vepër të “shokut” Enver me titullin “Raporte”. Ndryshe nga revista “Nëntori” dhe librat tjerë, ky ishte lidhur me letër më të mirë dhe me kopertina të trasha e të kuqe si veprat e Leninit dhe Stalinit.
Po raporte për çka? “Raportet” e Enverit kishin të bëjë me dashurinë e tij të madhe për “shokun” Stalin, për popujt e Republikës së Kinës, Afrikës e Amerikës Jugore. Mjerisht, asnjë raport mbi dashurinë e tij për vëllezërit kosovarë që po lëngojnë nën thundrrat e çetnikëve serbë. Sa më tepër që po i shfletoj këta raporte, aq më tepër po dua të besoj se Miladin Popoviqi naka dashur më shumë se ky palaço i Shqipërisë Jugore. Miladini s’ na ka dashur neve, por të paktën na ka dëftuar me plot gojë se nuk na do dhe t’ ishte në takatin e tij, ne më mire do bënim t’ ishim të vdekur.
Këto që po shënoj në fletore janë vetëm reflektime. Reflektime të paartikulluara të një intelektuali kosovar. Po ndiej kënaqësi që gjendem larg kufijve të Shqipërisë dhe mund të reflektojnë një vend ku dora e Enverit tij nuk depërton dot. Përndryshe, ta dinin sherbëtorët e tij gjakpirës, duke mos më patur mua në dorë, do t’ i maltretojnë ata pak “kosovarë” që gjenden në Shqipëri. Diçka nuk është në rregull me atë shoqëri “ideale” dhe këtë e kishin vënë re Ibrahimi dhe Rexhep Ismajli. Të dytë kishin qenë në Tiranë dhe kishin mbetur te zhgënjyer. As e kishin parë, as e kishin takuar Kallushin. Ç’ u bë,vallë, ai njeri? Ku po e mbanë Shqipëria dhe pse s’ e ka takuar askush nga vizituesit kosovarë?
Rexhepi ma ka dërguar një komplet të Fan S. Nolit. U kënaqa duke e lexuar dhe duke mësuar për gjërat që nuk i kisha ditur më parë.
O, Theofan, o bajrak i gjallë! Nuk e meritoje vdekjen në Amerikë, kur e kishe një Shqipëri ”të lirë” e “të kuqe”. Të mbetën eshtrat në dhe të huaj, sepse ishe tepër i mençur për të hyrë në grackën e Gjuetarit të Gjirokastrës. Aiështë munduar të të fusë në dorë me lajka – ejani zoti Noli, se Shqipëria po ju pret – por e vërteta ishte tjetër. Shqipëria e kishte pritur edhe Sejfulla Malëshovën, por pastaj e kishte flakur në burg. Shqipëria e kishte pritur edhe Lazgushin, por edhe ate po e mbanë në kafaz. Shqipëria e kishte pritur edhe Bulkën, por ia ka thyer duart dhe s’ e le të shkruaj.Të gjithëve ua ka keputur gjuhën me darë. Nuk e di pse djallin po mërzitem kur populli im vetë i ka zgjedhur dhe po ju rri sus?!
Tani ora është shtatë, mëngjes, dhe sapo jam kthyer në shtëpi. Gjithë natën jam endur nëpër pyll, sepse nuk kisha gjumë. Janë njëmbëdhjetëmijë e njëqind arsye që s’ po mundem të fle, por ajo më kryesorja është zhgënjimi. Diçka nuk është në rregull me botëkuptimet tona sa i përket Shqipërisë. Të gjitha insharetet po flasin për këtë punë.
Më pëlqen kjo zonë e Suedisë Veriore. Natyra ishte memece dhe i përngjante një botë të magjepsur. Vetëm një dhelpër që luante nëpër borë. Me sa duket, kishte diktuar diçka dhe ishte përqëndruar aq shumë sa s’ donte të dinte për mua. Ajo e gërvishte borën me këmbë, kërcente, nuhaste dhe përsëri hidhej në ajr. Kush tha që kafsha s’ di të gëzohet e dëshpërohet? Edhe ajo ka botën e saj, po ajo është gjithsesi më e qetë.
Sipas shtypit suedez, Titua përsëri paska dalë nëpër botë. Ai po merret me botën e “tretë”, gjegjësisht me të varfërit afrikanë, sepse atyre po iu duhen pushkë automatike, rroba ushtarake, tanksa dhekundërajrorë. Ai edhe ashtu ka qenë qejfli, por kohët e fundit po gjezdis me parat e Bankës Ndërkombtare. Ai i ka xhepat plot me dollarë dhe po i prishë me të madhe, për arsyen e thjeshtë se ato nuk janë shkruar në emrin e tij, por në konton epopujve jugosllavë. E paska takuar edhe zotin Rogers. Kush i bie në fije atij matrapazi që një anë flet për demokraci e vëllazërim – bashkim, n’ anën tjetër ha e pi me despotët më të mëdhenj që njeh bota, si Haile Selasi, Ahmet Sukarno, Gamal Abdel Neser, etjerë.
Eh, sa naivë që ishim dikur! Shkonim në ”sokollanë” dhe iduartrokisnim xhelatitsikur ta kishim dajë. Edhe kjo flet qartë mbi budallallëkun e shquar shqiptar. Ne, shqiptarët, jemi një turmë e padjallëzuar. Na pëlqenteatri dhe midis teatrit e të vërtetës, gjithmonë e preferojmë teatrin. Kjo po ndodhë edhe në Suedi, edhe në Danimarkë, edhe në Junajtid Stejts.

48. Kujtimet

Tani ora është gjashtë e mëngjesit dhe sapo e kam pirë tasin e parë të kafesë. Po pi kafe dhe po e mashtroj veten me shpresa se një ditë, kur të rehatohem më shumë, do të gjej forca për t’ i hedhur në letër idetë që po më sillen nëpër kokë për një përmbledhje të re të tregimeve.
Merre me mend! Unë kam shkruar mjaft skica e tregime, por nuk kam marrë mund të shkruaj diçka për nënën time, që ka qenë një hambar i vërtetë i vuajtjeve dhe peripecive. Sikur të kisha qenë i mençur, duhej t’ i shkruaja edhe të gjitha rrëfimet e nënës mbi Gjyshën e saj që ishte nga një vend që quhet Masuricë. Ajo grua ishte me shkollë dhe ”shumë e kënduar” sipas nënës time. Dinte të gjitha gjërat që kishin ndodhur në botë. Por nëna nuk na dëftonte shumë mbi hallat, tezet dhe farefisin e babait të saj. Mbaj mend vetëm një gjë. Njëra nga hallat e saj, Hallça Nexhkë, ishte e martuar në Bilaç dhe djali i saj i madh, Sefedini, ishte mësues i gjuhës turqishte në Kumanovë. Ai e mori bijën e madhe të Halil Agës dhe pak më vonë iku në Turqi. Në po atë kohë iku dhe Halil Aga, një burrë elegant dhe mik i gjyshit tim, Rexhep Osman Kurtit.
Im atë u rrit jetim. Mos qofsha gabim, e kam shkruar një rrëfim të shkurtër për te, por ai meriton më shumë. Mos për tjetër, për hir të asaj që ka qenë djalë i përvuajtur dhe i padisponuar për zhurmë të madhe.Ai s’ e donte luftën, s’ i donte vrasjet dhe – sipas fjalëve të nënës – gjithmonë dilte te Udha e Frengut për ta ruajtur vendlindjen me sëpatë në dorë.
Herë – herë, kur uleshim dhe pushonim te Rrafshi i Kroit, ai më dëftonte që pushka e kish lënë jetim. Jo vetëm ate, po edhe shumë djem tjerë shqiptarë. Falë koburës që kishte ndezur i jati, gjegjësisht gjyshi im, ai kishte mbetur i pashkollë dhe i varfër për jetë. Çë hajr kish patur ai nga krenaria e të jatit që e kishte vra një njeri, qoftë edhe me fajin e tjetrit?
Sa e sa herë kam menduar të shkruaj për Detin. Atë detin e madh të cilin Krisotfor Kolombo edhe e donte, edhe ia kishte frikën. Kapedani gjenovez e dinte ate nga fëminia, ndërsa unë u njoha shumë vonë me te dhe i kam rënë kryq e tërthor njëzetetetë muaj tetë muaj me radhë. Kam parë të mira e të kqia në limanet e tij. Të gjitha i kam në kokë dhe fare pak prej ngjarjeve që kam përjetuar më kanë ikur nga mendja. Gjatë asaj kohe që transportonim mallëra nga vendi në vend, ishim dy herë në Londër, pastaj në Norwich, Esbjerg, Kiel, Lübeck, Frederikshavn, Aalborg, Helsingör, Rostock, Köpenhamn, Kristiansund, Molde, Reikjavik, Bornholm, Svinušće, Helsingborg, Bremen dhe Björneborg.
Të gjitha më kujtohen dhe më mbushin me pikëllim. Më kujtohet dita e fundit. Ishte mesverë, aroma e jargavanëve e pat mbuluar krejt Finlandën dhe unë, i gëzuar që shumë shpejt do të ikja drejt fshatit Haparanda, vallëzoja me zonjushën Tuula nga Björneborgu. Ajo ishte e thatë, sykaltër, elegante, ndërsa unë goxha i pasur, se kisha punuar gjatë kohë në detë dhe po ndahesha prej shokëve të dshur. Mjerisht, duhej të prisnim. Ishte mesverë dhe Finlsnda e kremtonte me votka, valle e dashuri. Dhe sa herë më kujtohen ata qytete, nëpër limanet e të cilëve ndalonin shumë anije mëdha, tejoqeanike, më zë inati që nuk kisha kohë e takat të mjaftueshëm për të mbajtur shënime. Ku ta dish, mbase edhe unë orvatesha t’ i harroj brengat që më fanepseshin natën, kur dallgët përplaseshin në ballë të anijes dhe na venin në gjumë neve, detarët e thjeshtë.
Ca ditë më parë më erdhën edhe ”Kujtimet” e Shefqet Peçit. Për ”shokun” Shefqet fliten fjalë të mëdha: atdhetar, antizogist, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, pjesëmarrës i Luftës Nacional Çlirimtare, komandant i Brigadës së Pestë Sulmuese, si dhe komandant i Shtabit të forcave të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare për çlirimin e Kosoves dhe Rrafshit të Dukagjinit. I kam lexuar faqe për faqe kujtimet e tij dhe u dëshpërova shumë. Sikur t’ ishte ashtu si thotë heroi i lartpërmendur, unë s’ do t’ isha sot në pyjet e largta të Suedisë, por në Prishtinë, Tiranë, Kukës apo Tetovë. Mjerisht, shoku Shefqet ishte komandant i Shtabit të forcave të Ushtrisë Nacional Çlirimtare për shtypjen e Kryengritjes së Madhe të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit dhe atë detyrë ai, bashk me dropullitët e tij, e përmbushi par ekselance. Ai, bashk me partizanët e tij, i vrau dhe masakroi vëllezërit e tij për t’ ua dorëzuar serbëve gjysmën e atdheut të tij dhe për atë kryevepër Partia e Shokut Enver e paska shpallur hero.

49. Hipokrizia

Po i shfletoj fjalimet që ka mbajur shoku Enver nëpër mbledhje të ndryshme dhe po i ndiej dhëmbët e vrerit në bark. O bobo, sa hipokrit i madh!.. Sikur të ishte e vërtetetë edhe çereku i atyre që ka thënë Enveri para ”kuadrove” të Partisë, sot Kosova s’ do të vuante në robëri, por do t’ ishte pjesë e pandashme e Nënës Shqipëri.
Enveri është i rrebtë, kritikon shumë. Ai thotë se nga të gjitha të këqiat, byrokratizmi është e keqja më e madhe. Ai ndoshta ka të drejtë, por byrokracia dhe akraballëku janë dukuri të vjetra. Unë s’ e njoh byrokracinë shqiptare,por e di se ajo që lulëzon në Prishtinë, Prizren, Pejë, Preshevë e krejt Republikën Federative të Jugosllavisë është e markës vjetër.Byrokracia e viteve të pesëdhjeta ka qënë shembullore.Ka gjasa që ajo dukuri nuk iu ka lënë mbresa qytetarëve tjerë, por në shpirtin timajo ka lënë plagë të paharrueshme.Papastërtia, balta, rrugët e prishura, mungesa e banjove nëpër shkolla – të gjitha ato përbëjnë sfondin e tregimeve që do të përpiqesha t’ i shkruaj më vonë. Tani që jam larg dhe mund ta shfletojë atë epokë nga distanca gjeografike, pranoj se s’kam qënë 100% i sinqertë, sepse plagët që i prekja me dorëza mundeshin te më infektonin edhe mua. Thuajse çdo herë kur përpiqesha të shkruja për diçka që më bënte përshtypje të madhe, duhej ta dyndja nga e tashmja në të kaluarën, përndryshe s’ e shihte kush me sy. Fatlumnisht, lexuesit s’e kishin vështirë t’ i deshifronin kashelashet e mia. Shtigjet e lagjeve jevge s’ egzistonin vetëm në qytezën time, por në të gjitha qytetet e Kosovës. Paçka se karrieristët e rinj kosovarë e shihnin ndryshe realitetin objektiv dhe shikonin edhe më larg se vetë autorët. Ata kurrë s’do t’ i botonin ato krijime sikur t’ u thoshja se ku i kisha gjetur. Për ata shqiptarë të konvertuar në jugosllavë nuk egzistonte varfëria, prostitucioni, shtypja e robëria. Ky ndoshta është shkaku kryesor që s’ e doja as veten, jo më të tjerët. Nuk durohej robëria e fjalës dhe robëria e atij populli që e kishte rënë mbi supe.
Një kohë mendoja se isha lindur në kohë të gabuar. Ç’ është e drejta, ajo ishte si të gjitha kohërat, por me gojë të lidhur. Tani që po e mas me numrin e plagëvetë marra në shpirt, nuk po mundem veçset’i përbuzë përpjekjet e mia për të hyrë në listën e kalemxhinjëve jugosllavë.
Përse shkruaja, vallë? Çfarë mund t’i thoshja popullit tim? Kurrëfarë. Ajo që përpiqesha t’ i them, ishte e ndaluar të thuhet me zë. Do ta marr si shembull rrëfimin “Lokja”.Lokja ishte një krijim i shkurtër artistik prapa të cilit fshihej një torture e përditshme e malësorve të vegjël shqiptarëpër ta shitur një krah drurësh dhe për ta blerë një bukë furre. Çuditërisht, ata që përbënin Këshillin redaktues gjenin lloj lloj të metash për ta hedhur në shportë. Tani që po i kujtoj reagimet, manevrat dhe saltomortalet e disave nga redaktorët e asaj kohe, po e kuptoj se ata kishin urdhërat dhe interesat e tyre. Nuk po iu zemërohem aspak. Përkundrazi, po ndiej dhëmbje që liria jonë dhe liria e tyre ishte e matur me vizor. Edhe ne që shkruanim, duhej të shkruanim me vizor. Jo si ishte realiteti, por si thoshin tutorët.

49. Kurbeti

Jo të gjithë kanë fat të gabojnë dy herë në jetë. Unë pata fatin të gaboj vetëm një herë dhe humba gjithçka. Në dorë të parë – humba gurrën e inspirimeve të përditshme. Humba vendlindjen dhe njerëzit e saj. Sikur të rrija në vendlindje, unë, edhe nëse s’ botoja gjë, do të shkruaja për ngjarje më të qenësishme, më të vërteta. Fundja, përse duhej t’ i botoja ato? Dhe përse duhej t’ i pëlqente dikush? A nuk mundesha të shkruaj vetëm për ata që jetonin rreth e përqark meje? Më mirë ishte të endesha nga fshati në fshat, si Buda i Hindisë, me lugë e çanak në dorë, dhe të shkruaja për hallet e njerëzve të rëndomtë, se të sorollatem nëpër rrugët e një fshati të huaj.
Ca ditë më parë e pashë filmin algjerian “L’histoire n’ est pa finie”. Kjo vlen edhe për ne. Robëria ynë s’ ka marrë fund. Ajo vetëm petkuan e ka ndërruar, por jo dhe substancën. Edhe etërit tonë, njësoj si popujt tjerë të Gadishullit Balkanik, i rrokën armët dhe luftuan kundër ushtrive të Italisë e Gjermanisë Fashiste, por me të mbaruar lufta, “vëllezërit” jugosllavë i emërtuan ballistë,nacionalistë reakcionarë dhe ua lidhën duart. Nëse pushtuesit italianë e gjermanë ishin të huaj, këta ishin fqinjët dhe vëllezërit tonë. Çuditërisht, në vend se t’ i trajtonin me të njejtat përmasa, fqinjët e tyre serbë e bullgarë i vrisnin në ujë të përvluar kazani.
Të gjitha këto gjëra i dinin komisarët e shokut Enver. Tani që e vranë gjysmën e partiçnëve shqiptarë dhe ia dorëzuan Kosovën Serbisë, ata po lehin pandërprerë kundër Fadil Hoxhës e Xhavit Nimanit, por ate s’ e bëjnë nga dashuria e madhe që kanë për kosovarët, veçse për ta trembur popullin e ngratë shqiptar që po duron për bukë.
Mjerisht, të gjitha janë dëngla. Dallimi midis serbëve tonë dhe atyre përtej kufirit është poaq i trashë sa dhe cipa e qepës. Edhe tani po më kujtohe si jetonin skojevcat kosovarë. Ata kishin kostume të bukur, xhaketa të kadifenjta, “vespa” italiane dhe dashnore serbe. Duke i ulur serbet prapa shpinës dhe duke i gjezdisur nëpër bregoret e Gërmisë, ata e ndjenin veten më të bukur e më të qytetëruar. Motrat e tyre shqiptare s’ i plotësonin standartet. Ato cubelkat tona ishin ¨të egra dhe nuk e dinin artin e sofistikuar të bashkdyzimit. Kur më kujtohen disa fshatarë të rënë nga bregoret e Sharrit, Rugovës dhe Karadakut, them – më mirë larg syve e larg zemrës, se pranë syve dhe larg zemrës. Më mirë që mora botën me sy dhe nuk u bëra pjesë e asaj infrastrukture dhe tani mund ta gjykoj veten sipas kutit tem e jo sipas milimetrave btë tyre. Kjo nuk është e sigurt, por ka shumë gjasa që, po ta lakoja kurrizin edhe më shumë, unë do ta urreja veten më tepër se tani.
Do ta marr një shembull. Ne ishim anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kishim një kryesi. Në krahasim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Suedisë, ajo lidhje kishte një fond të caktuar nga Federata, gjë që s’ishte për t’ u sharë, dhe mundej të organizonte aktivitetet ë ndryshme letrare. Paçka se lidhja ynë s’ kishte opcion më të gjëra se të na çonte rreth e përqark Maqedonisë Perendimore që t’ ua lexonim krijimet tona skojevcave dhe udbashëve serbë e bullgarë. Në mezin e dëgjuesve tonë kishte plot evgjitë, turq, egjiptjanë e rusë, që nuk e kuptonin asnjë fjalë të gjuhës shqipe. Çudi, pra, as zoti Vehap, as Rexhë Surroi, as Aliu, as Azemi, nuk e pyesnin veten pse duhej të mirrnim pjesë n’ atë komedi?!
Unë kam provuar të paktën. Duke mos mundur të protestoj ndryshe, lexoja nja dy faqe të parëndësishme, diçka që s’ i pëlqente askujt dhe qetë – qetë ikja nga tribuna. Sa herë që “duhesha” ta luaj atë rol, e ndieja veten mashtrues dhe shumë të kotë. Kështu veprova edhe me “Grupin Letrar të Studentëve të Prishtinës”. Se kush na kishte propozuar mua dhe Rahman Dedën për udhëheqës të Grupit Letrar të Studentëve dhe ne, sipas porosive të Lidhjes Studenteske, duhej të organizonim mbrëmje letrare dhe, n’ atë mënyrë, t’ ia shtonim famën vetqeverisjes jugosllave. Bënte bënte vaki që n’ ato mbledhje, përpos përfaqsuesve të Lidhjes dhe aty këtu ndonjë docenti, vinin edhe njerëz të Këshillit Krahinor. Rahmani, që ishte sherbëtor besnik i asaj garniture, më kishte akuzuar se unë, Ramadani, isha zgjedhur kotsi udhëheqës i asaj shoqate, kur unë asnjëherë s’ kisha pyetur për programin e saj. Dhe unë s’ e kisha ndër mend të pyes, sepse Jugoslavinë e Dushan Mugoshës nuk e doja, po ate s’ kisha nevojë t’ ia thoshja edhe Rahmanit.
Përse po i hedh të gjitha këto në letër?Të gjitha këto po i shënoj për t’ i nderuar të gjithë ata që – nuk kanë kohë dhe liri – të shkruajnë për një kohë që ishte dhe është në ngjitje drejt qiellit. Askush, as parashikuesit më të mirë botërorë, nuk po marrin mund të na thonë se çfarë do vijë pas kësaj periudhe.
Përjashta po bën ftohtë i madh. Minus njëzet gradë nën zero. Kohë e përshtashme për t’ u mbyllur brenda dhe për të lexuar.
Më në fund, edhe shtypi i përditshëm suedez ka filluar të merret me ”punëtorët e inkuadruar përkohësisht jasht vendit. Veçanërisht me ata që janë punësuar në Malmö, Treleborg, Helsingborg, Geteborg e Stockholm. Josip Brozi dhe garnitura e tij po lavdërohen se shtetasit jugosllavë nuk janë emigrantë, por “punëtorë të inkuadruar përkohësisht në tregun evropjan”. Mjerisht, vetë shtetasit jugosllavë, qofshin ata serbë, kroatë apo sllovenë, deklarojnë hapur se janë kundërshtarë të atij regjimi diktatorial dhe, atë çast që sigurojnë një leje pune, kërkojnë shtetësinë suedeze. Punëtorë të këtillë kam takuar në Gjermani, Zvicër, Francë dhe Norvegji. Jugosllavisë Federative po i konvenon ikja e shtetasve të saj, sepse n’ atë mënyrë edhe po i largon kundërshtarët e saj politikë, edhe po siguron marka e dollarë. Vetë skojevcat e Josip Brozit s’ kanë nevojë të dalin n’e Evropë, sepse pushteti i ka punësuar si oficerë, kapedanë, gjeneralë, drejtor bankash apo slluzhbenikë. Ata s’ kanë nevojë të bëhen hamaj të sistemit ”kapitalist”, por të tjerët, disidentët e kundërshtarët e heshtur të sistemit, mund të blejnë një pasaportë dhe të thejnë qafën.
Sa i përket shqiptarëve të inkuadruar ”përkohësisht” jasht vendit, duhet cekur sa vijon: nëse disidentët e varfanjakët serbë apo kroatë po ikin nga Jugosllavia për të gjetur punë më mirë, shqiptarët po ikin nga shtypja dhe papunësia totale. Dikush prej nesh duhej të zbriste deri në Malmö dhe të shkruante për këtë trend të ri të ”vetëqeverisjes jugosllave”, por kush do ta bëj dhe ku mund të shkruaj? Unë jam ngallmuar në këtë dreq fshati që ka vetëm një postë, një bankë dhe një shitore të artikujve ushqimore, ndërsa ata merhumat që kam lënë në Uppsala janëtë fiksuar në zorrët e barkut.
Këto i paska jeta. Lefteri ka rënë nën kthetrat e një depresioni të heshtur. Sytë e tij qeshin, por zemra e tij qanë. Ai e ka lënë Shqipërinë prapa dhe pushkën ua ka dorëzuar jugosllavëvë. Pa marrë parasysh se ç’mendoj unë, ai veten e konsideron tradhëtar. Veziri ka zënë punë si shofer dhe po jeton me ishen e një maqedonasi. Dulla, Atulla Bendeli, ka blerë makinë dhe po e gjezdisë Vanço Petrovin, lektorin bullgar, me shpresa se ky i fundit do t’ ia shesë ndonjë punim të vetin dhe ky do bëhet film kand i gjuhëve sllave. Ku ta dijsh, Vançua mund t’ ia shkruaj edhe punimin e diplomës, sepse me paratë që merr nga Dulla, mund t’ i blejë dy apartamentenë Sofje.Si përfundim, mund të them se ata që duhet të shkruajnë për këtë kurbet të ri shqiptar gjenden në Kosovë, por sistemi s’ iu jep leje ta prekin atë tabu. Ku je, vëlla, Ali Podrimja? Lere atë Metohinë tënde të vogël dhe kapu për tema të mëdha!..

50. Profesori

Unë s’ jam tifoz i ditëlindjeve të bujshme. Edhe atëbotë kur nuk mundem t’ iu shmangem, kam qejf ta ha një darktë të qetë dhe të shtirem se edhe ajo ditë ishte njësoj si tjerat. Pak a shumë ashtu bën edhe Nina, ime shoqe. Duke qenë se ajo mbush vjet pasnesër, dola pak më herët që t’ ia blej ndonjë libër. Këtu në Suedi jepen lloj lloj peshqeshesh por librat janë peshqeshe klasikë dhe të shumëpreferuar.
Deri sa po e prisja autobusin që qendër të fshatit, doli postjeri nga zyra e tij dhe ma dorëzoi një numër të ri të “Yllit”, revistë e ilustruar shqiptare. Hipa n’ autobus dhe fillova ta shfletoj deri sa po shkonim drejt fshatit Sandarne. Merre me mend, në faqet e asaj reviste gjeta një artikull të ish profesorit tim gjakovar, Dr Zekiria Rexhës.
O, profesori im i dashur! Sikur ta dija se në cilin vend të Shqipërisë gjendesh, do ta dërgoja një përshëndetje të përzemërt. Sa i mirë dhe sa i dashur që ishe me neve, normalistët klasës së dytë. Atëbotë klasa ynë gjendej pranë një shpati dhe ne, pedagogët e ardhshëm të Kosovës, ishim gjithnjë të trembur nga dhuna e policëve jugosllavë. Ti na jepje frengjishte dhe unë e Hasani, Hasan Berisha, rrinim në një bankë. Unë nga Presheva, Hasani nga Istogu. Diçka s’ ishte në rregull me jetën tënde, se e kishim vënë re që Zotrote, i thatë dhe elegantë si Jean Paul Sartri, ishte pakëz i hutuar. Thuajse gjithmonë na nxirje në dërrasë që ta shkrujmë ndonjë fjalë apo fjali të frengjishtes dhe gjithmonë më ngatërroje me Hasanin. Ne dhe i përngjanim njëti tjerit, unë e Hasan Berisha.
Një ditë Zotërote u zhduke nga klasa ynë. Askush s’ na tha se ku dhe pse të larguan nga vendi i punës. Fatlumnisht, në klasën tjetër shkonte Bardha, mbesa yte, një vajzë e zeshkët, simpatike, me flokë të fortë e krrela – krrela. Një ditë, deri sa po prisnim të vinte e të të zëvendësonte ndonjë arsimtar tjetër, Bardha na dëftoi se të kishin përzënë nga Kosova për të vetmen arsye që ishe shtetas shqiptar. Krim i madh ky – të jesh shtetas shqiptar.

51. Shenjëzat

Sot ka filluar një torturë e re. N’ anën tjetër të studios është vendosur një çift i ri: ai quhet Kjel, ajo quhet Ann Luise. Ai është arsimtar i edukatës fizike, ajo shtëpiake. Kanë dy fëmijë dhe zihen thuajse çdo të dytën orë.
U përpoqa të lexoj pak, çfarëdoqoftë, por ishte e pamundur. Atëherë e zura stilografin dhe ia shkrova një letër Rexhep Ismajlit.E kam cekur një herë më parë, po e cekë përsëri, se jam mirënjohës kundrejt Rexhepit sepse, pa informatat e tij, do të endesha nëpër terr. Në letrën e tij të fundit më njoftonte se Rexhepi tjetër, Rexhep Qosja, paska shkuar në Shqipëri për të mbajtur ca ligjërata. Kjo vizitë hyka në një marrëveshje që qenka bërë midis Krahinës Autonome të Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpinim shkencor. Edhe kjo – diçka pozitive, sepse Kosova ka shumë nevojë për përkrahjen e Shqipërisë. Mos po hapet,vallë, Shqipëria? Mos kanë mbledhur mend vëllezërit shqiptarë dhe donë të afrohen me popullin e tyre? Apo edhe kjo është një përpjekje e re, e cila, njësoj si tjerat, nuk do të shkojë më larg se marrëdhëniet jugosllavo – shqiptare, ruso – shqiptare e kinezo – shqiptare? Më duket si herët të lëshohem në spekullime, por hapja e Universitetit të Prishtinës dhe ndarja e tij nga Univerziteti i Beogradit është inkurajuese. Dervishi, profesori ynë i biologjisë, qenka emërtuar si rektor i tij.
Ky hap i Josip Brozit duhet të ketë synime të caktuara. Ai, me sa duket, do t’ ia kthejë shpinën Rusisë, por është i detyruar që përmbysjen ta bëj shkallë – shkallë, përndryshe ushtria ia ha kokën. Ai është kroat dhe manevrat e tij duhen parë në prizmin e kundërthënieve kroato – sllovene dhe serbo – maqedonase. Titua erdhi në fuqi me përkrahjen kroato – sllovene dhe nuk është aspak e çuditshme që, në dorë të parë, i ruan interesat e Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosna Hercegovinës. Tani për tani duket se sllovenët e kanë topin dhe ata, për hir tëçeshtjes, ia kanë dhënë topin Mahmut Bakallit.
Përndryshe, sot mësova se Agjensia Turistike “Nyman och Schultz” ka me dhjetra hotele në rivierën jugosllave. Njëri nga hotelet e saj më elegant qenka Hotel Nakenhet, të cilin e shfrytëzokan nudistat skandinavë dhe gjermanë. Në të vëtetë, hoteli quhet “Iskra” dhe gjendet në ishullin Rovinj. S’ kam ndonjë ide të sakët se ku gjendet ishulli Rovinj por ai qenka i rrethuar me një ambient fantastik pishash e bredhash. Atje diku, pranë ishullit Rovinj, qenka një ishull i vogël në të cilin turistët skandinavë mund të lahen, të theken e të notojnë ashtu si i ka falë Zoti, për pa qenë të detyruar të mbajnë paçavure të panevojshme në trup.
Kështu bëjnë burrat e mençur. Ata flasin për liri, barazi, të drejta të barabarta, vëllazërim e bashkim, socializëm njerëzor, punëtorë të inkuadruar përkohësisht jasht atdheut, por atdheun ua japin me qira agjensive të huaja. Tani s’ po flas nga pozita e klasave, se prore s’ jam anëtarësuar në ndonjë parti politike, por konstatoj se diktatorët, pa marrë para sysh ato që predikojnë, qëllimet i kanë të njejta: donë të hedhin ca dollarë në kontot e tyre. Josip Brozi e quan veten komunist, por s’ dallon fare nga Gjenerali Franko. Edhe Frankua, që dikur e quante veten fashist, e ka shitur pjesën më të madhe të rivierës spanjolle. Agjensia “Nyman och Shultz” është vetëm njëra nga dhjetra e dhjetra ndërmarrjet turistike që çojnë danezë, suedezë e norvegjezë në rivierën jugosllave. Riviera jugosllave shkon nga Istra në veri e deri te lumi i Bunës në jug.Ata që kanë mbaruar klasën e katërt fillore e kuptojnë mirë se funkcionarët që po i mbushin xhepat me dollarë dhe po ndërtojnë vila malore nëpër Slloveni, duhet gjithsesi të jetojnë në vendlindje, ndërsa varfanjakët duhet të ikin jasht për t’ ua pastruar banjot suedezëve, danezëve e gjermanëve.
Shtrohet tani pyetja: A kanë nevojë suedezët të fshihen nëpër ishuj për ta nxjerrë bythën në diell? Edhe po, edhe jo. Ata munden të lahen edhe në plazhet e rëndomtë, sepse pak iu bën që duhet t’i nxjerrin plaçkat në shesh, por qëllimi është i karakterit ideo-politik: populli i rëndomt nuk guxon të shohë si po e përdorin, gjegjësisht po e keqpërdorin pasurinë e popullit drejtorët e shokut Tito.
Përjashta po bie borë. Çudi, pra, jemi në prag të muajit mars, por mua më duket behari shumë larg. Edhe pse jam paqejf, vazhdoj të lexoj gjithçka që më bie në dorë. Kam lexuar ca artikuj të mirë mbi monologun e brendshëm dhe po e shoh se letërsia suedeze ka mjaft romane të mirë. Mjerisht, s’ po kam kohë të merrem me këto aspekte të letërsisë bashkëkohore. Kam marrë nja tre libra nga Shqipëria dhe në mezin e tyre romanin e autorit Petro Marko “Ara në mal”. Me përjashtim të Rexhep Ismajlit, asnjëri nga miqët e vjetër nuk është dëgjuar i gjallë. As ata me të cilët isha në Shkollën Normale të Prishtinës. Kjo po ma kujton një proverb hindus, që thotë: Miku që nuk të do shtiret se ke vdekur dhe nuk ta di adresën.

52. O, moj suedeze e mjerë
Më në fund, era pushoi. Dhe bëri mirë, se tani jam i sigurtë që Nina do vete në Grängesberg shëndosh e mirë. E kanë ftuar prindërit këtë fundjavë dhe ajo ka nevojë të shihet me ta.
O, moj suedeze e mjerë! Pse s’qëllove shqiptare e të lakmoja pak më shumë?! Edhe kështu si je, ti ke po aq kulturë sa dhe motrat e mia shqiptare. Sa keq më vjen që s’ jemi lindur në një tokë dhe nuk e flasim të njejtën gjuhë. Këto ndjenja të mallkuara që ziejnë brenda qenies time nuk e prekin as shtresën më të lartë.Tek tani që do të mbetem vetëm, do të kridhem mirë në pushin e dhembjes dhe do të rrokullisem njëmend n’ atë xingonë të thellë.
Këto ditë kam filluar t’ i lexoj ca tekste në shirit manjetofoni.Qëllimi im është i qartë: shqipja po hynë në një poligon mbarëkombëtar. Jemi një komb dhe duhet të flasim një gjuhë konbëtare. Ata që e quajnë veten shqiptarë, pa marrë parasysh gjininë, moshën apo botëkuptimet individuale, duhet të futen në radhë dhe ta flasin shqipen letrare.Unë kam qëlluar larg, por do të përpiqem ta mësoj gjuhën e popullit tim. S’ ka lidhje që jam larg Kosovës. Suedia nuk më ka ftuar me zor dhe, ashtu si kam ardhur, ashtu dhe mund të iki. Suedia është një mbreteri e madhe, e bukur dhe e pasur me lumenj e liqene. Por Suedia nuk është atdheu im dhe pak herë kam shkruar diçka për këtë vend.
Pak para orës katër vajta në Konsum për të blerë ushqime. Pronarja, një grua e pashme nga Kiruna, është same dhe gjithmonë më flet me mallë për Laplandën. Ashtu bëri edhe sot. Folëm gjatë për pishnajat e asaj zone, për dimërin e gjatë, për klimën e ashpër dhe për kopetë e mëdha të kaprrojve të bukur. Vura re se edhe ajo, që është lindur e rritur në të njejtin vend, është shumë e pezmatuar me qeveritarët e Stockholmit që po e zbrazin Laplandën nga popullata vendase.Duke folur me të, më ra ndër mend se edhe ajo është njëfarë kurbetqare. Duke mos patur mundësi të gjejne punë në trevat e tyre, norrlandezët, që janë suedezë burimorë, ikin drejt Stockholmit, Uppsalës e Geteborgut dhe, pasi zënë punë e krijojnë familje në jug, shkojnë dhe i vizitojnë trevat e tyre një herë në vit. Me sa duket, edhe qeveritarët suedezë nuk dallojnë nga qeveritarët jugosllavë dhe luftojnë për zorrët e tyre. Ç’ është e drejta, duhej t’ ishte e kundërta. Ata, si suedezë që janë, në dorë të parë duhej ta punësonin popullin e tyre e jo ardhacakët grekë, turq e jugosllavë. Por ata arsyetojnë ndryshe dhe pak iu bën për mallin e shtetasve të tyre. Kryesore është që laponët kanë punë dhe mund ta vizitojnë vendin e tyre verë e dimër.
Jysna është një fshat tipik i Norlandës Jugore. Edhe i rëndomtë, edhe i bukur.Ajo më e bukura me Jysnën është se gjendet pranë detit dhe autostradës që e lidhë Veriun me Jugun. Herë pas here, kur mërzitem në dhomën time, ngjitem në Gussiberg dhe e vështroj fshatin nga lartë. Ta kundrosh Jysnënnatën, kur qielli është i ftohtë dhe i shplarë, është një mrekulli e madhe.
Bashkfshatarët e mi janë tradicionalë. Me të rënë terri, ata hyjnë në shtëpitë e tyre, i ndezin dritat, ulen përballë njëri tjetrit, hanë, kuvendojnë dhe tallen me njëri tjetrin, thua se krejt domethënia e jetës gjendet në zorrëtë barkut. Mua, pra, kjo më duket absurde. Të hash, të pish, të jetosh dhe ta presësh vdekjen. Mjerisht, me mijëra e mijëra njerëz e sshkojnë jetën në frymë e këtij absurditeti. Banesë pas banese, shtëpi pas shtëpie, qytet pas qyteti. Banorët e Rruzullit tokësor janë shtuar aq shumë, sa që ai po zien si një strofull thneglash. Si do t’ i zgjidhin problemet egzistenciale, vallë, papunësinë, ndotjen e ambientit, kundërthëniet ideologjike?Ate nuk e di.
Unë jam pajtuar me fatin.Edhe pse jam lindur e do të vdes shqiptar, çdo ditë e pres dhe e përcjell si një udhëtar i largët oriental, krejtësisht i bindur se edhe pasi të vdes, do të kthehem prapa në vendlindje për ta dëgjuar këngën e kumriave n’ oborrin e të parëve të mi. Unë jam rojtar i Truallit dhe e di se ata që do të vijnë pas meje nuk do të dijnë shumë për lumenj e liqene, për pupëza e lejlekë, për kurbet e vendlindje.
Këto ditë kam pare në ëndrra shumë gjarpërinj. Njëri prej tyre, një gjarpër i gjatë dhe i zi përpiqej të më kafshonte. Përtej tij pështilleshin lloj lloj shtërpinjsh, të mëdhej e të vegjël, të gjatë e të shkurtër, të bardhë e të larmë, kobra, anakonda, nëpërka, dhe përpiqeshin të dilnin përjashta, por unë ua kisha zënë rrugën dhe i godisja me një hu gardhi të gjatë.
Atë çast që më doli gjumi, konstatova se isha larë në djersë. Nga vinin, vallë, gjithë ata zvarranikë rrëqethës dhe ç’ bënin në ëndrrën time? Brofa nga krevati dhe vajta në kuzhinë për ta pirë një gotë ujë dhe, papandehur, konstatova se isha njeriu më vetmuar në botë. Nina, ime shoqe, kishte ikur në Grengesberg, te prindërit, dhe unë isha njeriu më i vetmuar në botë. Një vetmi e ftohtë, një vetmi e madhe, mbretëronte n’ atë godinë që dikur kishte qenë shkollë, dhe unë – krejt padashur – e kuptova se njeriu që ndahet nga vendlindja, gjendet në një rrugë të pakëthim.

53. The same procedure

Aty nga ora dhjetë e mbrëmjes dëgjova zhurmën e çelsave. Ishte Nina që e hapi derën dhe hyri Brenda. Ajo më solli nja tre katër libra të mire: një komplet të përrallave “Njëmijë e një netë”, një libër mbi “pakicat kombëtare” në Bashkimin Sovjetik dhe një artikull të të përditshmes “Dagens Nyheter” mbi marrëdheniet kino – sovjetike.
Ec e meri vesh stalinistët! Një anë besojnë Marksin, Engelsin e Leninin, n’ anën tjetër kacafyten si qenët e çartur. Si rusët, ashtu dhe kinezët e vëllezërit e tyre shqiptarë, janë besnikë të Jozef Visiarionoviç Stalinit; megjithate, ata e shajnë, e fyejnë dhe e përbuzin njëri tjetrin sikur t’ ishin armiq të përbetuar.
Pasi ndërruam ca fjalë mbi prindërit e saj, Nina iku në dhomën e saj për të pushuar, ndërsa unë, edhe pse duhet të punoj nesër, prore s’ iu kam ndarë librave që më solli. Po lexoj se rusët, për shkaqe strategjike, janë duke shpërngulur sasira të mëdha banorësh në Lindje. Nga pesëmijë banorë të rinj në vit vendosen në rrethinat e qytetit Habarovsk. Merre me mend, Bashkimi Sovjetik, vendlindja e Vladimir Iliçit, babait të proletariatit botëror, ka dalë në pozita nacionaliste dhe me çdo kusht do ta ruaj territorin e tij nga ”rreziku kinez”. Kjo gjë duket e çuditshme, por është normale. Rusët, që nga koha e Herodotit, kanë qënë të njohur për egërsi dhe, mos qofsha gabim, ishin të parët e tyre që e dogjën Bibliotekën e Kievit. Ishin etërit e tyre që shpërngulën gjysmë milioni baltë në Siberi. Janë po këta rusë që po e vjedhin pjesën me të madhe të pasurive mbitokësore e nëntokësore të Uzbekistanit. Janë po këta rusë që sot, për fjalën më të vogël, të fërfëllojnë atje ku bren miza hekur. Si komunistët jugosllavë, ashtu dhe ata rusë e shqiptarë, kanë dalë nga e njejta nevojtore: komunistët jugosllavë shpërngulen me mijëra e mijëra shqiptarë në Turqi, komunistët rusë shpërngulën me mijëra tatarë nga ishulli Krim në Siberi, komunistët shqiptarë kanë deportuar dhe po deportojnë me mijëra gegë në Toskëri. Libri që kam në dorë na mëson se Stalini ka deportuar përafërsisht dyqindmijë çeçenë në Turkmensitan dhe pesëdhjetë mijë prej tyre kanë vdekur rrugës, për pa mbërritur atje ku duhej të shkonin.
Paradoksale? Jo, jo. Të gjitha këto po ndodhin para syve tonë. Prapa ngjarjeve që po ndodhin larg syve tonë fshihet një strategji e caktuar. Nuk është më i mirë as socialdemokrati Palme, që po shitet si burrë i mirë dhe human. Edhe ky, njësoj si Titua, po i ndihmon miqët e ”Botës Tretë” për t’ i zbrazur magazinat nga armët që janë vjetruar. Ai po ua shet armët shokëve Naser, Çaushesku, Nehru e Kastro, në mënyrë që ata pastaj t’ ua shesin budallenjëve afrikanë me çmime trefish më të larta.Edhe Suedia, njësoj si demokracitë tjera të Evropës Perendimore,po zhvillon një tregëti intenzive me armë, po jo hapur, veçse me ndërhyrës. Këte ma tha Petri, Peter Limquequo, një shok i vjetër i studimeve, që tani është punësuar në Institutin e Studimeve Strategjike.

54. Adis Abeba

Mbrëmë e dhanë një reportazhë të gjatë mbi Adis Abebën, kryeqytetin e Etiopisë. Duke e shikuar atë program të Radiotelevizionit Suedez m’ u duk se pashë Prishtinën, rrugën që ngjitet drejt Gërmisë, shtëpinë e Hivzi Sylejmanit, vreshtat që fillojnë në fqinjësinë e saj dhe vazhdojnë drejt Shkollës Normale, pulat e ngordhura dhe përdheset që memzi mbaheshin në këmbë në krahun e djathtë të rrugës. Edhe qendra e Adis Abebës, njësoj si qendra e kryeqytetit tonë, ishte për ata që kanë të holla. Të tjerët s’ kishin pse zbresin në qendër, pos për të kërkuar lëmoshë. Regjimet, si ai i Haile Selasit e Josip Brozit, nuk duhen ndihmuar po duhen rrëzuar, edhe ate, jo pasi të mbarojnë pasuritë mbitokësore e nëntokësore të vendeve të lartpërmendura, por një ditë e më parë.
Kam vënë re se në shpirtin tim po rritet gjithnjë e më shumë dëshira për t’ u kthyer në Kosovë. Këtë obligim ia kam borxh, në dorë të parë prindërve të mi, nënës dhe babait, por edhe më shumë popullit që më shkolloi me shpresa se një ditë do t’ ia shpërblej me punë të ndershme. Teoretikisht, kjo është e mundur. Mjafton të blej një biletë deri në kufirin e Austrisë dhe të hyjë ilegalisht në Slloveni.
Pyetjen që ia kam shtruar vetes është kjo: çfarë po zgjidhi me atë veprim? Tani që jam larg, kurreshtja e udbashëve për personin tim është barazi me zero. Ata e dijnë se jetoj në Perendim dhe kënaqen që e dëbuan një qen shqiptar nga Jugosllavia. Ashtu na kanë quajtur dikur, ashtu na quajnë edhe tani.
Mjerisht, atë ditë që do të ballafaqohem me ata që mua më quajnë qen, do të fillojë matrapazllëku: do zhvillohen bisedime informative, do kërkohen deklarata dhe, para së gjithash, do kërkohen sigurime që Jugosllavia Federative është parajzë e vërtetë.
Nëse deri sot kam qenë i lirë dhe vegël e egoizmit tim personal, që nga dita kur do shkel në parajsën e shokut Tito duhettë bëhem vegël e verbët e pushtuesve të vendlindjes tonë dhe turp i popullit tim sepse mesazhi që do shpërndaj rreth e përqark meje do jetë: rrini urtë, o vëllezër, se mërgimi ish i rëndë. Mos iu rezistoni këtyre, se ata të Perendimit ishin më të këqinj.Mjerisht, sado të këqinj që më duken mua, këta janë më të mirë, se janë vendas e ne, ardhacakët, jemi përngulës. (vazhdon)

Ramadan Rexhepi