Politika shqiptare uron 79-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë

0
53

Krerët e institucioneve dhe politikanët shqiptarë uruan sot 79-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.

Presidenti i Bajram Begaj, teksa mori pjesë në ceremoninë zyrtare të nderimit të dëshmorëve për Çlirimin e Shqipërisë, iu përcolli shqiptarëve një mesazh për 29-Nëntorin.

Gëzuar festën e Çlirimit Shqipëri! Nderim përjetë atyre që me guximin, trimërinë dhe sakrificën e tyre sublime, na dhuruan lirinë!”- ishte urimi i Presidentit Bajram Begaj.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i urojë shqiptarët për 79-vjetorin e Çlirimit përmes një videoje me flamurin shqiptar që valëvitej.

Bashkë me urimin për festën e madhe të çlirimit, ju uroj të gjithëve një ditë të paqtë“, shkroi Rama krahas videos.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e përcolli urimin me mesazhin se Shqipëria është një anëtare e denjë e NATO-s, kontribuuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë e botë.

29 Nëntori, Dita e Çlirimit, është kurorëzimi i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar. Çlirimi i Shqipërisë është një vepër monumentale e partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga populli, të cilët në Luftën e Dytë Botërore e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë. Lufta e ashpër kundër pushtuesve në malet, luginat, fshatrat, qytetet, në çdo pëllëmbë të territorit të Shqipërisë është një sakrificë e madhe, por edhe një frymëzim i madh. Antifashizmi, liria dhe vlerat demokratike qëndrojnë në themelet e Shqipërisë evropiane, një anëtare e denjë e NATO-s, kontribuuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë e në botë dhe promotore e zhvillimit, integrimit dhe bashkëpunimit në rajon. I bashkohem sot mirënjohjes e nderimit për dëshmorët, veteranët e Luftës, çlirimtarët e Shqipërisë.”- shkroi Nikolla.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se sot duhet të festojmë dhe të nderojmë kujtimet e atyre që luftuan për lirinë.

Gëzuar 79-vjetorin e Çlirimit Shqipëri! Në këtë ditë të rëndësishme, le të festojmë dhe të nderojmë kujtimet e atyre që luftuan për lirinë tonë”, shkroi Veliaj.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, pati një mesazh urimi për ditën e Çlirimit, duke e cilësuar luftën antifashiste Nacional-Çlirimtare si frymëzim për të gjithë brezat.

“Gëzuar 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, një nga ngjarjet më të lavdishme në historinë e popullit shqiptar. Mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata djem dhe vajza të kombit, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare do të mbetet gjithmonë një frymëzim për të gjithë brezat që duan një Shqipëri të lirë, europiane, të zhvilluar dhe të begatë.“- shkroi Meta.

Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, sot u zhvilluan homazhe për të përkujtuar 79-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.


Top Channel