Marrëveshje kundër kriminalitetit/ Shqipëria dhe Anglia do të shkëmbejnë detajet e hetimeve

0
42

James Cleverly, Sekretar Shteti për Çështjet e Brendshme ne qeverinë angleze, priti ministrin e Brendshëm shqiptar, Taulant Ballën.

Bashkëbisedimi mes tyre tyre ishte i lehtë, pasi zoti Cleverly mori pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë, dhe pa nga afër punën e Task Forcës së përbashkët mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, për të luftuar emigracionin ilegal.

Rreth fazës tjetër të bashkëpunimit për çështje emigracionit ilegal në një qasje rajonale tashmë por duket se ministri Balla ka siguruar mbështetje dhe ekspertizë nga Mbretëria e Bashkuar për një reformë të thellë në policinë shqiptare, duke rritur besueshmërinë e Policisë së Shtetit tek qytetarët.

James Cleverly dhe Taulant Balla nënshkruan memorandumin ku Britania e Madhe dhe Shqipëri shprehin gatishmërinë në vijimin e bashkëpunimit për çështje të brendshme, si edhe një tjetër memorandum për të dhënat biometrike dhe fuqizimin e kapaciteteve të policisë shkencore në përdorimin e ADN-S.

“Ky është dhe qëllimi, që do të vazhdojmë të ndajmë mes dy policive tona, informacione të dobishme në luftën kundër krimit. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të konsiderohet si një vend i rëndësishëm partner”, u shpreh Balla.

Gjatë takimit bilateral është folur edhe për rëndësinë e kontributit të komunitetit shqiptar në shoqërinë britanike dhe lehtësimin e procedurave të vizave për shtetasit shqiptarë. Mënyra më e mirë për të luftuar emigracionin ilegal është lehtësimi dhe promovimi i lëvizjes dhe migracionit të ligjshëm.

Ministri Balla ka kërkuar lehtësim të procedurave për bashkimin familjar dhe punësimin sezonal.

“Ne jemi shumë të qartë dhe nuk tolerojmë asnjë deklaratë denigruese ndaj komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, ndërkohë që do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dhe luftës kundër përfshirjes së qytetarëve shqiptarë në aktivitete kriminale”, tha më tej Balla.

Dy memorandumet e bashkëpunimit, nënshkruar nga Sekretari për Çështjet e Brendshme James Cleverly dhe ministri Taulant Balla, intensifikojnë përpjekjet e dy shteteve, jo vetëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të jashtëligjshëm, por edhe në fusha të tjera.


Top Channel