SHPËRNDAJE

Afishja e publikuar në vitin 2011 nga SVP me tekstin tashmë të famshëm “Kosovarët therin zviceranin”, edhe pas afër gjashtë vitesh vazhdon të shqetësojë shpirtrat në Zvicër.
Gjykata e Lartë e Kantonit të Bernës e kishte shpallur atë tekst si diskriminues dhe i kishte dënuar dy krerë të SVP-së me dënime me gjobë, duke e shpallur tekstin, diskriminues ndaj kosovarëve, shkruan derbund.ch.

Por, dy të dënuarit, Baltiser dhe Bär nuk janë pajtuar me vendimi, duke bërë ankesë në Gjykatën Federale, që është shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër. Kjo e fundit do të zhvillojë të enjten një seancë publike për të gjykuar lidhur me tekstin e kontestuar, transmeton albinfo.ch. Lëndë e procesit të pritshëm është: a mund të konsiderohet afishja në fjalë si tekst me përmbajtje diskriminimi në bazë race.

Për Gjykatën e Lartë të Bernës çdo gjë është e qartë: afishja si e tërë e identifikon etninë kosovare si të barabartë me ushtruesit e dhunës, me ç`rast është bërë një reduktim i padenjë për dinjitetin njerëzor dhe shprehje me përmbajtje raciste diskriminuese. Ndërsa sipas Baltisser dhe Bär në afishe vetëm është shkruar për aktin e dhunës që kishte ndodhur në Interlaken në gusht 2011. Siç dihet tashmë, një shtetas i Kosovës i shoqëruar nga një tjetër person, pas një zënke kishte therur me thikë një zviceran (i cili nuk kishte marrë plagë të rënda, v.j.), përcjell albinfo.ch Dhe, sipas tyre, është e qartë se me këtë rast nuk është menduar për kosovarët si tërësi.

Por cilën mënyrë të leximit do ta zgjedhin si të drejtë gjykatësit e Gjykatës Federale? Gazeta shoshit argumentet pro dhe kundër njërit dhe interpretimit tjetër. Ajo që do të vlerësohet me vendimin që do të sjellë gjykata në fjalë është se si kuptohet ky tekst nga vështruesi ose lexuesi mesatar, transmeton albinfo.ch Pra, vendimi duhet të argumentojë nëse vëzhguesi mesatar e kupton atë sikur të gjithë kosovarët identifikohen si therës ose jo, thuhet veç tjerash në artikull.

Sidoqoftë, mbetet të pritet dita e enjte, 13 prill për të kuptuar vendimin.