Deliu: Ngjarje të rënda po ndodhin, është krijuar pasiguri e frikshme – Telegrafi

0
61

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, në seancën e Kuvendit të enjten ka folur lidhur me vrasjet e fundit që kanë ndodhur në vend, e të cilat siç ka thënë ajo, i kanë tronditur të gjithë.

Para deputetëve, Deliu-Kodra është shprehur se vrasjet, grabitjet e armatosura dhe pasiguria që është krijuar në vend janë të rënda.

Ajo ka zgjedhur të flasë për këtë temë, përpara se të niste debatin parlamentar në lidhje me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

“Para se të filloj diskutimin tim për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, natyrisht që është e pashmangshme që të flas për ngjarjet e fundit në vend, të cilat na kanë tronditur të gjithëve. Vrasjet, vetëvrasjet, grabitjet e armatosura, qarkullimi i madh i armëve në Kosovë, dhuna dhe pasiguria e frikshme që është krijuar këtu, është vërtetë e rëndë”, ka thënë deputetja e PDK-së.

“Jo më larg se mbrëmë të gjithë ishin dëshmitarë të një tjetër vrasjeje të një gruaje. 33-vjeçarja Liridona Murseli mbeti e vrarë pasi që ajo bashkë me familjen ishin cak i një grabitjeje të armatosur. Vetëm pak orë pas këtij rasti tragjik, një burrë ka humbur jetën pas plagëve të marra nga therja me thikë po në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë”.

Në emër të PDK-së, Deliu-Kodra iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa ka kërkuar që “institucionet e drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse që të marrin menjëherë masa”. /Telegrafi/