24 orë vrap nga Prishtina në Tiranë, Erzeni: Doja të ndjeja në qeliza atë që provuan dëshmorët tanë

0
45

I ftuar në Wake Up, ka qenë Erzeni, një i ri nga Kosova, i cili ka vrapuar nga Prishtina në Tiranë brenda 24 orëve, duke përshkruar 260 kilometra, vetëm për festën e flamurit.

Ai shprehet se e ka bërë këtë gjë me shumë dëshirë dhe pasion, për të përjetuar sakrificat e njerëzve që kanë bërë në të kaluar për këtë komb dhe dëshironte të ndjente veten e tij në rrobat dhe qelizat e këtyre dëshmorëve.

Erzeni: Nuk ka qenë shumë e vështirë për mua sepse unë e kam bërë me shumë dëshirë, vullnet dhe pasion të madh, që të përshkruaja këtë rrugë, të përjetoja ato sakrificat e njerëzve në të kaluarën që kanë punuar për kombin shqiptar. Për mua ka qenë shumë frymëzuese dhe kam qenë i bindur që do arrija në cakun e duhur që prej momentit që e kam marrë vendimin. E bëra sepse e doja ta ndjeja veten në rrobat dhe qelizën e tyre njerëzve që kanë sakrifikuar për këtë vend. Unë e përjetoj shumë atë që njerëzit kanë bërë në të kaluarën, kështu që doja të isha në shpirtin e tyre dhe të vrapoja i lirë në Rrugën e Kombit. Ju e dini që Kosova ka qenë nën regjimin serb dhe e kemi pasur të ndaluar të lëviznim të lirë nëpër rrugët tona. Kështu që për mua ka qenë një ndjenjë shumë e mirë.

Neada Muçaj: Ke patur pengesa gjatë rrugës sepse moti në ato ditë ka qenë shumë i keq?

Erzeni: Vetëm kushtet klimatike ma kanë kushtëzuar pak ritmin e vrapimit, përndryshe nuk kam patur asnjë problem shëndetësor, faleminderit prej Zotit që gjithçka ka shkuar mirë, nuk kam pasur asnjë problem tjetër.

Gjithashtu Erzeni kur mbërriti në Tiranë, ka marrë një medalje nga Bashkia e Tiranës, i cili shprehet mirënjohës dhe falënderues.


Top Channel