SHPËRNDAJE

Se me shqiptarët e Luginës, vazhdojnë të tallen politikanë lokal e qendror serb, edhe ata shqiptarë e ndërkombëtarë, kjo nuk diskutohet.

Përveç një morie problemesh, me të cilat përballet popullata shqiptare e kësaj treve etnike, ajo që duhet më së tepërmi ta shqetësojë e brengosë politikën shqiptare në përgjithësi, është çështja e pazgjidhur e diplomave universitare, që vijnë nga republika e Kosovës për në Serbi.

Çështja e njohjes së diplomave, sot, është aq jetike për popullatën e gjerë shqiptare të kësaj ane, e aq e turpshme për spektrin politik, i cili kurrsesi nuk diti ta artikulojë këtë problem jetik të kësaj zone të banuar me shqiptarë.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, e që po bëhen gati 10 vite, Universiteti Publik i Prishtinës, i cili lëshon diploma me vulën e kësaj republike, autoritetet serbe, në pjesën e banuar me shqiptarë të Luginës, nuk i njohin sot e kësaj dite këto letra të mundit e sakrificës, edhe pse para opinionit të vetë publik e atij ndërkombëtarë, arsyetohet me arritjet e marrëveshjeve me autoritetet e Kosovës, e të cilat nuk respektohen në plotni.

Në këtë kontekst, u bënë disa vjet, që Kosova ka nënshkruar de fakto një marrëveshje me Serbinë, edhe për Diplomat, por që de jure Serbia nuk e zbaton as edhe sot e kësaj dite.

Problemi i diplomave paraqet dështimin më të madh të spektrit politik shqiptar të kësaj ane, i cili kurrë nuk dha as edhe përgjegjësitë më të vogla në këtë aspekt, e që në të njëjtën mënyrë heshtë para këtij fenomeni që paraqet njëkohësisht edhe një element bazik të spastrimit etnik shqiptarë të kësaj zone.

Ky faktor politik, duke nuhatur një realitet të zymtë e mos reflektues të qytetarëve shqiptarë të kësaj ane, vazhdon të luaj me ndjenjat dhe nervat e këtij komuniteti, i cili ndodhet para kërcënimit serioz të zhdukjes në masë.

Meqenëse problemi i diplomave prekë në plotni rininë e kësaj ane, e cila njëkohësisht edhe pse e margjinalizuar dhe e diskriminuar tej mase, nuk ka mundësi dhe hapësira të reagimit.

Realisht, me rininë e kësaj treve, kanë kohë që tallen të gjithë. Si partitë politike, ashtu edhe organizimet e tjera shoqërore e institucionale.
P.sh. forumet rinore të partive shqiptare që veprojnë në këtë anë, as edhe njëherë nuk e kanë ngritur substancialisht çështjen e diplomave, sepse realisht nuk e kanë as kauzë reale të politikave të tyre, dimensionin e ardhmërisë së kësaj treve.
Realisht nëpër këto forume rinore, ka më së paku të rinj të diplomuar.

Ata që nuk janë të përcaktuar politikisht, e që paraqesin një shumicë absolute të të rinjve të kësaj ane, e vuajnë më së shumti problemin e diplomave të Kosovës.

Politikanët shqiptarë të Luginës, duke mos shfaqur realisht interes për të zgjidhur këtë problem tejet të rëndësishëm për të ardhmen e kësaj ane, në mungesë të strategjive konkrete dhe statistikave momentale, ata as nuk e kanë idenë se sa të rinj kanë të mbaruar fakultetet e sa të tjerë vazhdojnë të studiojnë në Universitetin Publik të Prishtinës, i cili paraqet kaq shumë probleme për të rinjtë e kësaj zone, sa të vetmet mundësi që i ngelen atyre që kanë studiuar apo studiojnë në këtë vatër problematike universitare, është mundësia e migrimit apo shpërnguljes diku nëpër qytetet e Kosovës.

Zgjidhja e këtij problemi, pa dyshim se do të ndërronte kursin aktual të shpërnguljes së heshtur të Luginës dhe do të zbuste mendimet e këqija se e ardhmja e kësaj treve parashikohet të jetë e shkatërruar.
Kjo madje është edhe obligim e përgjegjësi e politikanëve shqiptarë të kësaj treve, të cilët më shumë brengosen për kalkulimet e koalicioneve lokale se sa për kauzat e vërteta të shqiptarëve më të diskriminuar në rajon e botë.

Drilon Hyseni