Grabitja e dështuar sjell rritje të kërkesës për armën e lashtë ‘samurai’ në Japoni

0
44

Arma mbrojtëse japoneze e njohur si ‘sasumata’ po bëhet e kërkuar në vend pasi në një video virale, u përdor nga një pronar argjendarie për të larguar me sukses grabitësit.

Punonjësi i një dyqani bizhuterish në Tokio është vlerësuar si ‘hero’ pasi bëri të ndalej një tentativë grabitjeje, duke ndjekur tre të dyshuarit derisa u larguan.

Por heroi i momentit nuk ishte i armatosur me pistoletë elektrike apo me spraj djegës, por me armën e lashtë ‘sasumata’, që është një shufër hekuri me nje gjysmërreth me dy maja në fundin e saj.

Pas publikimit në rrjet të pamjeve të grabitjes së dështuar, vëmendja në rrjet ishte e madhe dhe një prodhues pjesësh automjetesh tha se kërkesa për mjetin tradicional imobilizues me dy maja, ishte shumëfishuar.

Në pamje punonjësi me bluzë të bardhë shihet që mban sasumata-n e tij duke tentuar të mbajë larg tre grabitësit me kokore motoçiklisti që tentonin grabitjen në zonën Taito të kryeqytetit.

Më pas ai vijon ta përdorë atë për të goditur një prej motoçikletave me të cilat do të largoheshin grabitësit.

Incidenti ka sjellë në vëmendje mjetin që është përdorur fillimisht nga luftëtarët tradicionalë samurai gjatë periudhës Edo (1603-1868) për kapjen e kriminelëve.

Por në vend që të ishte kthyer në një copë për muzeum, sasumata, e cila është krijuar për të ndaluar personat pa i lënduar ata, përdoret ende nga policia në Japoni, shkruan rrjeti vendas  NHK.

Mediat vendase thonin se dy të dyshuar janë arrestuar për incidentin e të dielës, ndërsa një i tretë është në kërkim.

Nga incidenti në video duket se ka përfituar papritur më shumë një punishte metali në Tochigi në veri të Tokios, që ka marrë porosi të shumta nga njerëzit që duan të blejnë sasumata.

Kompania thoshte se më parë shiste vetëm një sasumata në disa muaj, ndërsa tani merr deri në 10 porosi në ditë.

Kreu i kompanisë Takemitsu Sano, këshillonte të mos përdoret sasumata për nisjen e një luftimi, pasi qëllimi i saj është vetëmbrojtja, dhe është më e efekteshme kur je stërvitur për ta përdorur, sipas rrjetit NHK.


Top Channel