Messi refuzoi të shkonte në emision, Kate Abdo: A e dini pse, a mund ta them këtë? – Telegrafi

0
48

Të mërkurën, Lionel Messi refuzoi të jetë i ftuar në emisionin televiziv CBS Sports të filmuar në Miami në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe arsyeja është komentuesi ekspert dhe mbrojtësi legjendar i Anglisë dhe Liverpoolit, Jamie Carragher.

Prezantuesja Kate Abdo tha në mes të emisionit se i kanë dërguar një ftesë zyrtare klubit të Messit, Inter Miamit.

“A e dini se çfarë u përgjigjën zyrtarisht? A mund ta them këtë?”, ka thënë prezantuesja dhe zbuloi: “Mesa duket Messi nuk do të vijë në emisionin televiziv ku Carragher merr pjesë”.

Ish-futbollistë, tani edhe komentues ekspertë, Thierry Henry dhe Micah Richards, u tronditën dhe Carragher duke qeshur tha se vendimi i Messit i sjell lavdi.

Abdo zbuloi historinë e refuzimit të Messit pasi Carragher argumentoi se Cristiano Ronaldo ishte një sulmues më i mirë, por e konsideroi Messin si futbollistin në përgjithësi më të mirë. Prezantuesja ka kujtuar se si vitin e kaluar Messi i dërgoi një mesazh privat Carragherit, në të cilin e quajti gomar yllin anglez.

Arsyeja për këtë është se Carragher, duke folur për rikthimin e Ronaldos në atë kohë te Manchester United, të cilin e konsideronte të gabuar, deklaroi se e konsideronte dështim edhe shkuarjen e Messit në PSG.

Deklarata e Carragherit nuk i ka pëlqyer Messit dhe duket se ende nuk e ka falur, prandaj nuk iu bashkua as spektaklit të mbajtur në qytetin ku luan tani. /Telegrafi/