SHPËRNDAJE

Kreu i LR-PDSH, Zijadin Sela u godit mbrëmë nga paramilitarë të maskuar që bastisën Kuvendin e Maqedonisë fill pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në krye të tij.

Nga videot amatore duket se si u sulmua Zijadin Sela nga një numër i madh huliganësh, ndërsa më pas u deklarua se ai ishte dërguar në spital.

Intervista
Albeu: Llokman, na vjen mirë që paskeni shpëtuar me aq! A mund të na shpjegoni se çfarë ndodhi mbrëmë në Kuvendin e Maqedonisë?

Selimi: Unë jam komandanti i një “team-i” në Forcat Speciale. Ndërhym për të mbrojtur deputetët pa bërë asnjë dallim të kujt krahu ishin. Ndërhym që t’i nxirrnim në një vend të sigurtë dhe ia arritëm.

Albeu: Sa shqiptarë ka në skuadrën tuaj?

Selimi: Ka disa shqiptarë, por tre jemi plagosur. Ne kemi qenë më aktivët për të shpëtuar deputetët duke u përballur gjoks më gjoks me huliganët.

Albeu: Si është gjendja juaj dhe e kolegëve të tjerë të plagosur?

Selimi: Për momentin jemi mirë. Është stabilizuar.

Albeu: Si paraqitet situata aty? A ndjeheni të rrezikuar?

Selimi: Ne jemi të përgatitur për çdo situatë sepse jemi profesionistë. Por, nuk besoj të agravohet më tepër.

Albeu: Ju ndërhyt vetë pas pat që i rrezikohej jeta deputetëve shqiptarë apo kishit urdhër?

Selimi: Për këtë s’mund të flas sepse është pjesë e sekretit të punës sonë. Për këtë janë në dijeni personat me grada më të larta se ne.

Albeu: Ju jeni hero sot mes shqiptarëve, a keni një mesazh për ta?

Selimi: Shqiptarët duhet ta dinë se në Maqedoni ka njerëz që mbrojnë gjakun e tyre. Mesazhi im është që të jemi të bashkuar e të mos përçahemi.

Albeu: Llokman të falenderoj! Zoti ju ruajt!

Selimi: Gjithashtu!