“Integrimi”, blofi i preferuar i Greqisë

0
44

Nga ENDRI ARIZI – Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, gjatë këtyre muajve të fundit janë krisur.

Retorika politike që prej arrestimit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ka marrë tone kërcënuese, pasi Athina zyrtare po kërkon me ngulm bërjen e betimit dhe lirimin e menjëhershëm të kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, që përfaqëson minoritetin grek.

Kërcënimet kanë arritur deri aty sa qeveria Mitsotakis, po përmend integrimin. Një shantazh i hapur ndaj një vendi që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe që krijon precedentë në të ardhmen, pasi Greqia, ashtu si dhe në të kaluarën, vetëm kërkon dhe asnjëherë nuk zbaton.

Pronat e minoritetit mbeten në fokus të deklaratave të lëshuara nga Athina. Edhe pse pa asnjë bazë ligjore, të mbështetur në ligjin ndërkombëtar, grekët ia kanë dalë që t’i japin “shuplaka” Shqipërisë duke i shkaktuar probleme në rrugën e anëtarësimit në BE. Pesha që ky vend ka në arenën ndërkombëtare është bërë shkak, që të bëhet pengese dhe për vende të tjera, përmend këtu Maqedoninë e veriut, që u detyrua të ndryshojë emrin.

Por edhe kësaj here, kur Shqipëria, e cila ia ka dalë të mbledh krerët e të gjithë vendeve europiane dhe të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, si dhe të shndërrohet në një aktor me ndikim në ndërtimin e politikave të paqes e stabilitetit në arenën ndërkombëtare dhe atë rajonale, fqinjët tanë grekë, në pamundësi për të imponuar kërkesat e tyre mbi qeverinë shqiptare, po përdorin edhe njëherë “kalin e trojës”, duke hedhur në tavolinë kartën e tyre më të fuqishme: integrimin.

Kjo “lojë e pisët” duhet të marrë fund. Sepse ligjet shqiptare nuk duhet të ndryshojnë, shkelen apo përdhosen sipas interesave të fqinjit tonë të dashur, Greqisë, që ende ka në fuqi “Ligjin e Luftës”. Madje kur bëhet fjalë dhe për të drejtat e emigrantëve shqiptarë por dhe çështjes Çame, mbledh supet dhe nuk pranon që të ulet të negociojë.

Tashmë ka ardhur koha, që dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, jo vetëm Gjermania, t’i tregojnë vendin Greqisë dhe të mos e lejojnë që të vijojë të luajë të njëjtën lojë sa herë bëhet fjalë për çështje që i takojnë ligjit shqiptar për t’u gjykuar. Kjo pasi një vend që tashmë ka nisur hapjen e kapitujve të BE, dhe që aspiron të anëtarësohet në union, nuk mund të mbahet nën presion më për këtë çështje.

*Departamenti i Informacionit Top Channel


Top Channel