SHPËRNDAJE

Nga të gjitha fjalët e gjuhës shqipe që fillojnë me tingullin (ç), fjala çlirim është padyshim njëra nga më të rëndësishmet. E kundërta e çlirimitt është robëria, nënshtrimi, përulja.

Sikur të mos egzistonte çlirimi, njerëzimi vështirë se do t’ ia dinte kuptimin fjalës luftë. Të gjitha luftërat e mëdha, duke filluar nga Lufta e Trojës, luftërat greko – persiane, luftërat punike, luftërat iliro – romake, kryqëzatat, Beteja e Kosovës, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Vietnamit e deri te këto luftërat e soçme, janë zhvilluar për hir të çlirimit. Me miliona njerëz kanë preferuar më parë të vdesin e të çlirohen, se të jetojnë në robëri.

Ndonëse fjala “çlirim” mund të na duket e rëndomt, ajo ka një domethënie të madhe. Ajo është dhe do jetë bibla e secilit popull. Ajo del nga rrënja e fjalës “liri” dhe domethënia e saj praktike është – të çlirohesh nga një vuajtje e gjatë, t’i japësh lirinë një vendi a një populli duke e dëbuar pushtuesin e tij.

Nga ajo që u tha më sipër del se të gjithë trimat e botës nuk janë çlirimtarë. Çlirimtarë janë vetëm ata që kanë luftuar dhe e kanë çliruar vendin e tyre nga zgjedha dhe sundimi i huaj. Çlirimtari i popullit suedez ka qënë Gustav Vasa, sepse i dëboi danezët nga trevat e atdheut të tij. Çlirimtar i popullit shqiptar ka qënë Gjergj Kastrioti, Skenderbeu, sepse i dëboi turqit nga Kruja dhe Shqipëria Mesjetare. Çlirimtar i popullit turk ka qënë Kemal Ataturku, sepse i dëboi italianët, grekët dhe anglezët nga trevat e Turqisë Oksidentale. Nga ajo që u tha më sipër del se Aleksandri i Madh ka qenë trim dhe strateg i madh, por jo çlirimtar. Ai nuk e ka çliruar vendin e tij nga robëria e huaj. Përkundrazi, ai ka pushtuar vende të huaja duke i shtypur popujt që e donin lirinë e tyre. Çlirimtar nuk ka qënë as Murati i Parë, ai që ra në Betejën e Kosovës, sepse nuk erdhi t’ i çlironte shqiptarët, por t’ i zaptonte tokat e shqiptarëve, serbëve dhe bosnjakëve. Çlirimtar nuk ka qënë as Mehmet Aliu i Egjiptit, që me dhunë ua mori të drejtën egjiptjanëve të kenë shtetin dhe qeveritarët e tyre. Çlirimtar është vetëm ai që lufton për ta çliruar vendin e tij nga zaptuesi i huaj. Çlirimtar është vetëm ai që s’i përkulet të huajit por përpiqet natë e ditë të jetë zot i vetvetes.

Fjala “çlirim”, pra, është fjala më e dashur dhe më e shenjtë që njeh njerëzimi. Me miliona njerëz, që nga Japonia e deri në Spanjë, e kanë bërë veten theror për hir të saj. Sa është konkrete domethënia e saj, aq është edhe filozofike, sepse të gjithë e donë, por jo të gjithë janë në gjendje të vdesin për hir të saj.

Sa për shembull do ta marr rastin e vëllezërve çifutë. Çifutët janë një popull krejtësisht i vogël. Pas vdekjes së Jezu Krishtit dhe përhapjes së doktrinës së krishterë nëpër Evropë ata thuajse mbetën pa asnjë mik në botë. Nga lindja i sulmuan selxhukët, nga perëndimi kryqtarët. Megjithate, edhe pse ishin një popull i vjetër, shtetformues e fanatik, ata u shprishën para armikut. Disa ikën në drejtim të Spanjës, të tjerët ikën në drejtim të Rusisë, ndërkaq shumica u vendosën në qendër të Evropës Perendimore. Vendlindjen e tyre e pushtuan arabët myslimanë dhe askujt s’i shkonte ndër mend se një ditë, pas një shprishjeje aq të gjatë, stërnipërit e tyre, gjysmë rusë, gjysmë gjermanë, gjysmë spanjollë, do të ktheheshin dhe do ta ringjallnin një formacion shtetëror që kishte perënduar shekuj më parë. Paçka se ata, me një vonesë prej dymijë vjetësh, e çliruan atdheun e tyre. Ai çlirim do t’ ishte krejtësisht i pamundur sikur çifutët të mos ishin njerëz të arsimuar dhe të mos e gërshetonin domethënien e çlirimit me jetën e përditshme.
Janë të pakët ata popuj që e kanë të qartë se çlirimi kombëtar është nëna e të gjitha lirive dhe të drejtave njerëzore. Një popull që nuk ka kufij të vet shtetërorë, që nuk ka ushtri dhe polici kombëtare, që nuk ka shkolla dhe institucione kombëtare, ai nuk ka asgjë. Rasti më i mirë i kësaj varfërie janë shqiptarët. Shqiptarët, pas prishjes së ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, janë aktivizuar mjaft por si ata të Maqedonisë, ashtu dhe ata të Kosovës, janë popuj të palirë dhe robëria e tyre fillon nga koka. Tek se nuk e kanë shtetin kombëtar, tek se nuk e kanë policinë e tyre kombëtare, tek se nuk i kanë shkollat, mediat dhe institucionet kombëtare, secili serb apo bullgar mundet t’ i plaçkisë e t’ i rrahë kur t’ i teket. Kush i kontrollon shqiptarët kur dalin nga aeroporti i Prishtinës, Shkupit apo Podgoricës? Policia serbe, maqedonase dhe ajo malazeze. Kush i veshë dhe çveshë shqiptarët në doganë? Gjithënjë policia serbe e maqedonase. Në mëshirën e kujt janë shqiptarët kur hyjnë e dalin nga dogana? Në mëshirën e policëve serbë, maqedonas apo malazezë. Ku drejtohen shqiptarët kur donë të ankohen nga shtypja dhe padrejtësitë? Në gjykatat serbe, maqedonase apo malazeze. Kujt i drejtohen për leje, dokumente personale, viza të hyrjes e viza të daljes? Kuptohet vetvetiu: byrokratëve serbë, maqedonas e malazias. Me djersën e kujt po e mbajnë serbët, maqedonasit e malaziasit gjithë atë aparat të shtypjes? Me djersën e shqiptarëve. Shi për ate, çlirimi kombëtar është detyra kolektive e të gjithë shjqiptarëve.

Historia e njerëzimit na mëson se çlirimi kombëtar nuk blehet me pare por me dhunë. Kjo nuk ndodh për shkak se popujt e vegjël janë të prirur për dhunë, por për shkak se zaptuesi nuk kupton tjetër gjuhë pos gjuhës së dhunës. Për ta pushtuar territorin e një populli tjetër, për t’ i shfrytëzuar begatitë e tij natyrore e njerëzore dhe për ta arsyetuar dhunën e vet, zaptuesi kapet për mite, gënjeshtra e tradhëti tjera, të cilat i shpikë dhe i aplikon me ndihmën e dhunës.

Filozofi dhe qeveritari i madh kinez, Mao Ce Duni, ka të drejtë kur thotë se politika del nga gryka e pushkës. Sikur të ishte e kundërta dhe politika të dilte nga arsyeja e shëndoshë, sot shqiptarët do të jetonin brenda kufijve të vet etnikë dhe në harmoni të plotë me fqinjët e tyre serbë, grekë e maqedonas. Sikur politika të dilte nga arsyeja e shëndoshë, sot kurdët duhej të kishin shtetin e tyre kombëtar dhe të mos i vriste as ushtria turke, as ushtria irakiane, as ushtria perse. Mjerisht, përvoja e moçme na mëson se kombet e lirë, për arsye të ndryshme, shpesh herë radhitën në anën e pushtuesve dhe qëndrimin e tyre e arsyetojnë me dredhí diplomatike. Mjafton çeshtja “shqiptare” dhe ajo “bosnjake” që ta kuptojmë se bota dhe, në dorë të parë Fuqitë e Mëdha, e dinë se cilët janë aktorët kryesorë të tragjedisë shqiptare. Megjithate, ata jo vetëm që e trajtojnë Serbinë me doreza të mëndafshta, por tërë kohën përpiqen ta kompenzojnë me gjymtyrë të vendlindjes tonë etnike. Dikur e kompenzuan Greqinë, Serbinë e Malin e Zi, tani i erdhi radha edhe Maqedonisë që, pa egzistencën e faktorit dhe trojeve shqiptare, kurrë s’ do të bëhej shtet.

Shpesh herë – dhe thuajse gjithnjë – në skenaret e zaptuesve të huaj ngatërrohen bajraktarët vendas. Këta janë burra të uritur për para e pozita dhe nuk e kanë për turp ta shesin lirinë kolektive për ato individuale. Mu për këtë arsye, është detyrë e shkrimtarëve shqiptarë të mos e ngatërrojnë popullin e thjeshtë me politikanët e tij. Populli shqiptar është një popull liridashës dhe këtë cilësi e ka dëftuar shpesh herë. Mjerisht, ky popull i ngratë kurrë s’ i ka patur politikanët e tij në nivelin e duhur.

Kushdo, që e ka shfletuar historinë tonë kombëtare, ka vënë re se këta bajraktarë figurojnë edhe në kohën e Skenderbeut, edhe në kohën e Ali Pashës, edhe gjatë epokës së Lidhjes së Prizrenit, edhe gjatë Kryengritjes së Përgjithshme, edhe gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare, edhe pas Demonstratave të 81-shit. Lista fillon me Hamzë Kastriotin dhe vazhdon me Omer Vrionin, Abdullah Drenin, Esat pashë Toptanin dhe – për fatin tonë të keq – nuk do të përfundojë as me Rahman Morinën. Thash – Rrahman Morinën – sepse ka gjasa që ajo listë do bëhet edhe më e gjatë.

Sot po flitet dhe po shkruhet shumë për Faik Konicën. Po ceket kontributi i tij si gazetar, lingvist, shkrimtar, përkthyes, etjera, etjera, por shumë më pak po flitet dhe po shkruhet për kontributin e tij si strateg të çeshtjes kombëtare. Njëqind vjet më parë, që nga numrat e parë të revistës “Albania” e deri në agun e luftërave balkanike, Faiku i trumbetonte dy çeshtje: bashkimin kombëtar dhe arsimin. Në kundërshim me zëdhënësit e “Shkollës bizantine” që me çdo kusht donin t’ i mirnin malet dhe t’ i imitonin komitaxhinjtë bullgarë, Faiku ishte më i përmbajtur dhe nuk e merrte me mend çlirimin tonë me një popull të paarsimuar. Ky ishte kyçi i çeshtjes. Sipas mendimit të tij, çlirimi kombëtar i një populli fillonte me arsimin. Një popull i pashkolluar, një popull mercenar, një popull fanatik, nuk ishte në gjendje ta kuptonte rëndësinë e çlirimit kombëtar. Çlirimi kombëtar ka tagrin e madh, thonte ai. Ai që hynë n’ atë valle dhe nuk di të lexojë, nuk di të shkruaj, nuk ka topa, nuk ka oficerë, nuk ka miq të fortë, ai e ka humbur luftën pa e filluar fare.

Fatlumnisht, sot jemi pak më mirë. Dijmë të lexojmë e të shkruajmë, por nuk kemi topa, nuk kemi oficerë dhe nuk kemi miq të fortë. Ata që i dijmë si vëllezër dhe miq të fortë, po ia lëpijnë dackat Milosheviqit dhe po na këshillojnë të kënaqemi me të drejta njerëzore. Në këto rrethana s’ kemi opcion tjetër pos të heshtim ose t’ i rrokim armët. Alternativa e dytë është më e lehtë. Të vdekur se të vdekur, më mirë të vdesim si burra se si cjepër.
Po kur do të vijë ajo ditë, pyesin militantët shqiptarë. Ajo ditë do të vijë kur populli shqiptarë ta dijë përmenç abetaren e çlirimit dhe ta ketë të qartë përse lufton. Duke qënë se jemi një popull i mençur dhe të gjitha shpresat i kemi mbështetur te miqët tonë natyralë, kemi shpresa se lirinë do ta fitojmë pa derdhur shumë gjak. Dikush prej jush, lexues të nderuar, thot: “ Zotrote nuk je më vete. Askush nuk e ka fituar lirinë pa gjak. Nuk e fituan as algjerianët, as palestinezët, as vietnamezët, as çeçenët, as afganët. Të gjithë janë përgjakur për lirinë e tyre.”

Duke mos patur ndonjë përgjigje më të ëmbël, po i jap fund këtij artikulli të shkurtër me këtë konkluzion: algjerianët janë algjerianë, çeçenët janë çeçenë, afganët janë afganë, por askush s’iu ka faj që s’ janë të mençur si ne, shqiptarët, dhe ta fitojnë lirinë për pa derdhur shumë gjak. Atë zotësi e kemi vetëm ne, shqiptarët, dhe liderët që na kanë drejtuar nga disfata në disfatë.

*
Këtë artikull e kam shkruar në vitin 1996, kur po e përgadisnim emisionin informativ Radio ABC dhe populli shqiptar akoma s’ e pat zënë pushkën me dorë. Që nga ajo kohë kanë kaluar njëzet e sa vjet, shqiptaret e çliruan një pjesë të territorit të tyre, por politikanët e tij ishin dhe kanë mbetur butakë, kameleontë dhe tregtarë të flamujve.

Shkruan: Ramadan Rexhepi