SHPËRNDAJE

Si kundërpërgjigje koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma), LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje po zhvillojnë negociata që partia e Albin Kurtit të shkrihet në listën zgjedhore të koalicionit LDK-AKR-AL.

Nga burime brenda këtij takimi, mësohet se LDK po e shqyrton mundësinë që ta tërheq Avdullah Hotin nga kandidati për kryeministër dhe këtë post të ja premtojë liderit real të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Ky kombinim do ta dërgonte garën në vetëm dy tabore, dhe Vetëvendosje do të kishte gjasa shumë të mëdha që të merrte drejtimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Por, kjo do të ishte fitore për Albin Kurtin, dhe rrezik shumë i madh për Lëvizjen Vetëvendosje.

Pasi afati për koalicione parazgjedhore është mbyllur mbrëmë në mesnatë, Vetëvendosjes i duhet që kandidatët e saj për deputetë t’i fus në emër të LDK’së, pa qenë prezente zyrtarisht në koalicionin LDK-AKR-Alternativa.

Në shikim të parë nuk duket problem shumë i madh, por praktikisht kjo do t’i kushtonte Vetëvendosjes, jo vetëm në zgjedhjet e 11 qershorit, por edhe më vonë.

Gjatë këtyre zgjedhjeve, Vetëvendosje e cila tashmë do të jetë në listat e votimit të KQZ’së si e vetme, do të duhej ta ftonte elektoratin e saj që të mos e jap votën te vendi i cakktuar për partinë e tyre, por atë ta rrumbullakësojë aty ku është i shkruar koalicioni LDK-AKR-Alternativa.

Pasojat e mëvonshme do të ishin edhe financiare. Paratë që u ndahen partive, pjesa që i takon Vetëvendosjes, nuk do të shkonte më në adresë të tyre, por te LDK-AKR-Alternativa.

Ndërsa, në fund, për zgjedhjet tjera, ta zëmë në ato të pas katër viteve, Vetëvendosje nuk do të kishte fare komisioner në zgjedhje, pasi zyrtarisht nuk do të figuronte si parti parlamentare.