Kurti përkujton dëshmorët Hyzri Tallën, Afrim Maliqin e Ilir Durmishin – Telegrafi

0
39

Kryeministri Albin Kurti ka bërë sot homazhe në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, në nderim të dëshmorëve të kombit Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi në 25-vjetorin e rënies së tyre heroike.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se më 2 dhjetor 1998, këta tre veprimtarë nga Llapi, po e kryenin detyrën e radhës në Prishtinë, mes aktiviteteve të tyre ilegale për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore.

“Hyzriu, Afrimi dhe Iliri teksa po lëviznin së bashku në një veturë, rreth orës 16:45, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, u sulmuan duke u atentatuar nga policë specialë të Serbisë (SAJ), që u kishin rënë në gjurmë dhe e kishin përgatitur këtë aksion. Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi ranë dëshmorë për çlirimin e Kosovës, të angazhuar me tërë qenien për lirinë të cilën ne të gjallët dhe brezat e mëpastajmë e jetojmë dhe gëzojmë”, ka shkruar Kurti.

“Lavdi Hyzri Tallës, Afrim Maliqit dhe Ilir Durmishit, sot në 25-vjetorin e rënies së tyre dhe nderime për veprat e tyre të çmuara në historinë moderne të Kosovës”, ka shtuar ai. /Telegrafi/