SHPËRNDAJE

Juventusi ose Real Madridi do të festojnë trofeun e Ligës së Kampionëve në fushë, ndryshe siç jemi mësuar të shohim në vitet e fundit.
UEFA ka bërë të ditur se prezantimi i trofeut të Ligës së Kampionëve këtë edicion do të bëhet në fushë, ndryshe prej viteve të kaluara, ku fituesi festonte fillimisht në tribuna – në një vend enkas të ndrequr për festë.

Juventusi dhe Real Madridi do të luftojnë për këtë trofe me 3 qershor në finalen e Kardifit, ku Bianconeret synojnë të fitojnë për herë të parë që nga viti 1996, derisa Los Blancos duan të bëhen skuadra e parë në histori që fiton dy herë me radhë Championsin.

Vendimi, që nga ky sezon të festohet trofeu i Champions League në fushë, është marrë nga numri një i UEFA-s, Aleksander Ceferin

“Trofeu i Ligës së Kampionëve, Ligës së Kampionëve për femra dhe Europa League, do të prezantohet në fushë. Ky vendim është marrë nga numri një i UEFA-s, Aleksander Ceferin”, bëhet e ditur në sajtin zyrtar të UEFA-s.

“Rikthimi i prezantimit të trofeut në fushë do t’ua mundësojë më shumë fansave në stadium të kenë pamje më të qartë të festimit, derisa edhe audienca do të kenë pamje më të mirë”, thuhet më tej në këtë njoftim

“Fusha është vendi i vetëm ku lojtarët luftojnë për trofe dhe për këtë duhet të festohet aty”.

“Ka më shumë kuptim që zyrtarët të zbresin në fushë për t’i uruar lojtarët (në arenën e tyre) dhe t’i përgëzojnë për arritjen, ku fillimisht do të ndahen medaljet”, shkruhet më tej në njoftimin e UEFA-s.