SHPËRNDAJE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri si dhe ish-deputeti nga kjo parti, Glauk Konjufca mbajtën një konferencë për media ku u bë e ditur se kjo partia garon përfundimisht e vetme në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Ymeri ka thënë se LDK ka qenë më shumë e interesuar të bisedojë si të ruhet LDK’ja, sesa të bisedojnë për qeverisje të mirë apo rrëzim të qeverisjes së PDK’së.

“Afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja Vetëvendosje është duke u përgatitur që të garojë e vetme. Edhe Asociacioni edhe Demarkacioni ishin gabim”, tha Ymeri, duke shtuar se program i kësaj partie i bënë ata subjektin më të besuar partiak në vend.

Ymeri, ‘koalicionet e natës’ i ka quajtur ‘koalicione të panikut’.

“Zgjedhjet e 11 qershorit janë mundësi vetëm nëse përdoren për ta ndryshuar politikën e keqe të koalicionit PDK-LDK”, tha Konjufca.

Sipas tij, qytetari ka nevojë për ndryshim rrënjësor të politikave qeverisëse, e këtë nuk mund ta bëjnë ata që ishin deri sot në pushtet.

Ai tha që edhe pse u ofruan poste nga partitë e tjera, ata asnjëherë nuk hynë ne koalicion me PDK’në.

“Një hapësirë e re politike do të lind vetëm atëherë kur qytetari ta ndryshojë politikën e koalicionit PDK-LDK”, tha Konjufca, përcjell gazetametro.net

Ai ftoi votuesit e zhgënjyer të partive që ishin në pushtet të votojnë për Vetëvendosjen.

“LDK’ja dorëzohet shumë shpejt nëse i jep pushtet”, shtoi Konjufca.