Real Madridi fiton pa probleme ndaj Granadas dhe merr kreun e tabelës – Telegrafi

0
80

Real Madrid ka shënuar fitore me rezultat të pastër 2-0 ndaj Granadas në kuadër të xhiros së 15-të në elitën e futbollit spanjoll.

Madrilenët që në fillim shfaqën forcën e tyre duke mbajtur posedimin e topit pothuajse gjatë tërë kohës dhe duke mos lejuar kundërshtarin që të krijojë raste për gol.

Los Blancos kaluan në avantazh në minutën e 26-të përmes Brahim Diaz i cili shfrytëzoi për mrekulli një super asistim nga Toni Kroos për të realizuar për 1-0.

Me epërsi minimale të vendasve përfundoi 45 minutëshi i parë.

Të besuarit e Carlo Ancelottit vazhduan dominimin edhe në pjesën e dytë dhe gjetën golin e radhës në minutën e 57-të.

Ishte Rodrygo ai që shënoi për rezultatin 2-0 pas një topi të kthyer nga pritja që bëri portieri mysafir Andre Ferreira.

Real Madrid pati edhe një mundësi tjetër me Valverden në minutën e 75-të por goditja e uruguaianit u ndal nga portieri.

Me këtë fitore Real Madridi rikthehet si lider i La Ligas me 38 pikë aq sa ka edhe Girona në vendin e dytë, por që madrilenët kanë fituar përballjen direkte dhe u takon vendi i parë.

Real Madridi do të rikthehet në aksion përsëri vikendin e ardhshëm, ku do të përballet me Real Betisin në udhëtim./Telegrafi/