Robotët e vegjël të lëvizshëm të krijuar nga qelizat njerëzore befasojnë edhe shkencëtarët – Telegrafi

0
47

Një ekip shkencëtarësh kanë krijuar robotë të vegjël të lëvizshëm nga qelizat njerëzore, që një ditë mund të jenë në gjendje të ndihmojnë në shërimin e plagëve ose indeve të dëmtuara.

Eksperimenti u krye nga shkencëtarët e Universitetit Tufts dhe Institutit Wyss të Universitetit të Harvardit, SHBA.

Robotët e vegjël, të emëruar si antrobotë, janë krijuar nga qelizat e trakesë së njeriut, të marra nga donatorë anonimë të moshave dhe gjinive të ndryshme.

Shkencëtarët e përdorën qelizën trakeale, për shkak të funksionit të saj që ka për të vënë grimcat në kanalet e frymëmarrjes në lëvizje, në mënyrë që të inkurajojë edhe lëvizjet e antrobotëve.

Ndryshe, antrobotët kanë mbijetuar deri në 60 ditë në kushte laboratorike.

Eksperimentet e bëra ende janë në fazë të hershme, por për qëllim kanë që të zbulohet nëse kjo teknologji e re mund të aplikohet në mjekësi për shërim.

Sipas Michael Levin, profesor i biologjisë në Vannevar Bush në Shkollën e Arteve dhe Shkencave Tufts, antrobotët nuk paraqesin ndonjë shqetësim.

Kjo për faktin se nuk ka mundësi që ata të dalin jashtë laboratorit ose të jetojnë jashtë tij.

Baza e këtij hulumtimi është në punën e mëparshme të shkencëtarëve mbi ksenobotët, që janë robotët e parë të gjallë, të krijuar nga qelizat embrionale të bretkosës me kthetra afrikane. /Telegrafi/