SHPËRNDAJE

Intervistë me Sefer Halili, veprimtarë i dalluar, bëmirës dhe njëherit një sportist i paparë i motorit

“Lugina e Preshevës ka një rini të shëndosh, por fatkeqësisht nga mungesa e kushteve, mungesa e aktiviteteve, që nuk i kanë kjo rini, mjerisht janë të detyruar të largohen për një jetë më të mirë. Siç po shihet ditë për ditë, se Lugina e Preshevës, po zbrabset, kjo tregon se po mungon e ardhmja. Do të duhej të punohej edhe më shumë, që të mos na ikin të rinjtë, sepse atëherë do të bëhet vonë, a gjendja është alarmante. Me veturën time, kemi bërë disa inçizime me regjisorin e mirënjohur Agim Sopin dhe aktorët e mirënjohur si: Shani Pallaska, i ndjeri Ibrahim Krajkova Leci, Rasim Thaqi Cima, Bislim Muqaj, Sabri Fejzullahu, Hysen Binaku, etj”, na tha ndër të tjera, Sefer Halili ( Aga Sefer).
Është interesant fakti, se gjithmonë veprimtarët modest, më së paku dalin publikisht nëpër media, ose edhe hiq nuk dalin, sepse ata kanë punuar e punojnë për të mirën e përgjithshme dhe rrijnë të qetë. Habitem edhe me veten time, se si kam kaluar me qindra e lirisht mundem të them mijëra intervista me lloj lloj personaliteti qoftë në atdhe apo në diasporë, gjatë këtyre dy dekadave në profesionin tim, e nuk jam ndalur të kujtoj disa veprimtarë, që kanë kontribuar në vendin tënd të lindjes, që edhe unë kur isha fëmijë, frymëzohesha nga ata, ose mësoja se çka është motori, se çka është zhurma e motorit, se kush është Adem Mikullovci, Sabri Fejzullahu, Naim Abazi, Mihrije Braha, Cima, Leci e kështu me radhë. Është e saktë, se veprimtarë të tillë kemi pak, sepse nuk vrapojnë pas mediave, ata qetësisht bëjnë punën e tyre dhe më vonë i dëgjohet zëri për të mos i vdekur kurrë. Në ate kohë, kur Kosova kalonte një kohë të vështirë, që e dijmë të gjithë, shumë artistë me zë, të merituar gjenin hapësirë veprimi në Luginë të Preshevës, dhe për shumicën e tyre, sofër bashkimi, apo odë e kullës së mikëpritjes, ishte inervistuesi im, veprimtari i dalluar i Luginës së Preshevës, por edhe më gjerë, z.Sefer Halili. Aga Sefer, që njihet tek të gjithë banorët e asaj ane, gjithmonë e sheh të buzëqeshur, i veshur me modesti dhe i gatshëm për të ndihmuar. Sa e sa vetura kanë mbet rrugës dhe është Seferi, që i ka gjetur zgjidhje. I ka ndihmuar dhe kanë vazhduar rrugën. I ka munguar padyshim shumë familjes, por në sytë e tij dhe në ballin e tij me disa rrudha, kupton, shpirtin e tij të madh, të një veprimtari pa prites për të mirën e përgjithshme. Sefer Halili, ishte frymëzim për shumë gjenerata, ishte derë hapur për të rinjë të shumtë, që mësonin zeje tek dyqani i tij modest, që shpesh, nuk hante drekë për vete për ta rregulluar një veturë dhe i linte të qetë të rinjë që vraponin për të mësuar zejen. Thonin, se Seferi, me të dhezur veturën e dëgjonte 35 sekonda dhe e kuptonte se çka mundet të ketë ajo veturë. Shpesh, nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje gjithandej, me të ardhur te Seferi zgjidhja vinte. Ndër motoristët e parë në Luginë e më gjerë, ai nuk u ndalë kurrë. Është ky personalitet, që bënte lloj-lloj lëvizje me motor, sa të dukej vetja se je duke përcjellur ndoj film. Mblidheshin të rinjë e të moshuar, për të shikuar orën e motorit, se sa shkon motori. E besa edhe disa të tjerë, bënin edhe foto, sepse ishte koha kur nuk kishte gjithkush fotoaparat. E kam të pamundur, që të përshkruaj gjithë të bëmat e këtij bëmirësi, këtij sportisti, këtij veprimtari të dalluar të çështjes kombëtare, që ka ndihmuar në forma të ndryshme çështjen kombëtare, por do të mundohem kësaj here, për herë të parë mos gabofsha që flet për ndoj medium. E luta, kur e takova para disa ditëve në Preshevë, ashtu modest, u përshëndetëm, e përqafova dhe e falënderova për frymëzimin që na pate dhënë, se duhet ecur pa përtesë drejt sukseseve. Pleqëria nuk e ka derën te Aga Sefer, ai si e kam njohur si fëmijë edhe sot e kësaj dite ashtu më dukej. Një burrë i qetë, i buzëqeshur dhe fjalë pakë. Nëse e pyet diçka të kthen përgjigje e nëse jo, të dëgjon. Sa e sa gjenerata kanë kaluar, me zhurmën e motorit të Sefer Halilit. Sa e sa gjenerata kanë kaluar, duke i kënduar këtij burri. Disa rrudha të ballit, dëshmojnë, se Seferi ka kaluar disa vite, por zemra e tij dhe shpirti i pastërt i tij është i fortë dhe mundet të shërbej edhe sot e kësaj dite. E provinca, thuhet se të plakë, por ky provincën e ka mund, nuk u dorëzu, por ka vazhdu. Ndoshta, pas shumë viteve, do ta kujtojmë brez pas brezi, por pse të mos shohim se çka po na thotë ky personalitet i madh, jo vetëm i Luginës por edhe më gjerë, sepse mbajti të gjallë jetën sportive dhe kulturore në ate trevë. Më kutjohen edhe turniret e futbollit, si futbollistët, Furra, Daja, Çuni, etj, etj, që luanin futboll, bëhej vërtet një hare e madhe, e Seferi vinte me motor dhe thuajse të gjithë vraponin për ta parë motorin dhe për ta dëgjuar zhurmën e madhe që e kishte e në mesin e tyre isha edhe unë, e them me shumë sinqeritet. Sefer Halili, do të meritonte një mirënjohje të veçantë, mirënjohjen e Ambasadorit të Luginës së Preshevës, për sport dhe bëmirës e veprimtarë i dalluar. Do të vije koha, po shpresoj, se veprimtarë të tillë, të mos harrohen, por të nderohen dhe të çmohen. Pata nderin, që e realizova këtë intervistë, duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë dhe duke e falënderuar për gjithë ate aktivitet të madh që e ka dhënë në shumë vite për ato troje dhe më gjerë. Mjafton të përmendet Seferi dhe e gjithë Lugina e Preshevës, e dijnë për kë bëhet fjalë. Ky është suksesi, kjo është pasuria, që do të mbetet për jetë të jetëve në kujtesë tek meritorët.

Fillimisht të falënderoj për kohën shumë i respektuar. Jam matur disa herë që te kem një intervistë me Ty, por, ja që kalonin ditët dhe erdhi momenti. Kam dashur të kem një intervistë, sepse keni dhënë dhe kontribu shumë për të mirën e përgjithshme. Na kujtoni, fëmijërinë tuaj.Si u bëtë të filloni zejen për mehanikë të veturave?

Pikë së pari ju faleminderoj edhe juve për interesimin, që keni ndaj meje për këtë intervistë, ndjehem i respektuar dhe ju përgëzoj për punën që po bëni. Rrjedh nga një familje me tradita kombëtare nga fshati Sefer i njohur me prisin e Karadakut tëLuginës së Preshevës, Idriz Seferi.
Që në fëmijëri kam pasur interesim të madh për këtë lloj të zejës, por frymzimin më të madh e kam marrë nga babai im Halili. Që në atë kohë të viteteve 70-ta, kishe një motor të tipit Java, tëcilin e riparoja vet me mjete të improvizuara (të thjeshta), dhe që aty lindi dëshira e madhe për këtë profesion. Pasi që kisha dëshirë të madhe ndaj këtij profesioni regjistrova edhe shkollën e mesme të makinerisë në Preshevë, njëkohsisht kam qenë edhe një shegert ( mësoja zejen) në stacionin hekurudhorë të Preshevës, ku mbarova me sukses. Nga interesimi i madh që kisha isha i dalluar në këtë lëmi, ku e kam treguar, apo dëshmuar me punë deri më sot.

Sa të zgjati kjo zeje? Ishit dhe jeni mjeshtër i dalluar në gjithë ate pjesë, e jo rastësisht, thonë banorët e Luginës së Preshevës, nëse nuk zgjidhet një problem i një veture, shko te Seferi, se ai e gjenë problemin.Komenti juaj?

Me këtë zeje, merrem më shumë se 35 vite dhe vazhdoj të jem ende duke punuar edhe ate e bëj me shumë shpirt, sepse jetoj me këtë profesion, nuk mundem ta shoh veten pa këtë profesion të mirë.
Ishin shume raste ku veturat që vinin nga perendimi në atë kohë për ndonjë problem që kishin drejtoheshin te unë, pasi që kisha një eksperiencë që kisha punuar një kohë të shkurtërt edhe në Zvicër si mehanik. Dhe kjo ishte një ndër shumë arsyet, që klientët e shumtë drejtoheshin tek unë për ti zgjidhur problemet. Për këtë jam shumë i nderuar dhe ndjehem shumë krenarë, që shumicës i kam kryer punë si ata kanë dashur dhe vetura ka ecur pa asnjë problem.

Keni një veturë të veçantë shumë të vjetër, por me vlerë besoj të rëndësishme. Kur e keni blerë këtë veturë të hapur? Duket se kjo veturë është e jashtëzakonshme, sepse është e rrallë. Kur e keni pasur ju, mendoni se ka pasur edhe të tjera në atdheun tonë?

Po e kam këtë veturë edhe tani të tipit BAGI të vitit 1956 me një histori të veçantë. Këtë veturë e kam blerë në vitin 1983, një tip unikat. Nuk kam dëgjuar që në regjionin tonë ka kësi lloj veture. Jetoj me këtë veturë dhe i bie në sy shumë të rinjëve tanë, kudo që shkoj. Shkurt e shqip, kjo veturë ka të veçanta të ndryshme, që nuk e ka asnjë veturë tjetër.

Me këtë veturë edhe shumë skena të filmave shqiptarë janë realizuar, sidomos me ato humoristike, ku edhe i kam parë me sytë e mi?

Po, kemi bërë disa inçizime me regjisorin e mirënjohur Agim Sopin dhe aktorët e mirënjohur si: Shani Pallaska, i ndjeri Ibrahim Krajkova Leci, Rasim Thaqi Cima, Bislim Muqaj, Sabri Fejzullahu, Hysen Binaku, etj.


Je lindur në Luginë të Preshevës dhe të shkoi një jetë e tërë në këte pjesë edhe pse ishe shumë i njohur dhe sikur të ishe në ndoj vend tjetër, do të kishe arritur shumë e më shumë.Pajtohesh me këtë, se provinca të lodhë dhe të harxhon shpirtërisht?

Ndjehem krenar që kam lindur në këtë vend dhe i kam kontribuar kësaj treve të nderuar, ku ka rritë shumë veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Nuk mundem të paragjykoj, se a do të kisha arritur më shumë në vende të tjera, por ndihem krenar që i kam kontribuar kësaj vend, ku kam lindur dhe jam rritur. Mundem të kisha arritur më shumë suksese, por do të isha i varfër në shpirt, e mua më njohin i madh e i vogël në Preshevë e rrethinë, kjo më gëzon shumë, që shumë fëmijë më ndalin edhe në rrugë dhe duan të flasin me mua dhe sinqerisht të ju them edhe duan foto kujtimi të kenë. Edhe gjenerata e gjenerata, e dijnë, se kam pasur motor dhe si e kam ngarë ate, duke bërë spektakël për ata dhe për gjithë qytetarët, që edhe sot habitem, se si e gjeja gjithë ate shpirt për të rrezikuar aq shumë. Por, ajo më flente në zemër dhe ashtu jetoja dhe sot, jam shumë krenarë,që sado pak, kam kontribuar dhe kur shoh, se shumë të rinjë, që i kam pasur në zejen time në qytet të Preshevës, atje rrugës për në fshatin Norçë, në rrugën Idriz Seferi, kanë korrur suksese në jetë, kjo më bënë të jetoj gjatë, kënaqem dhe pse të mos e them të drejtën, sytë më mbushen me lotë, nuk më dhimbset jeta, që e kalova në qytetin më të bukur në jetë Presheva.

Në kohën më të rëndë që përjetonte Kosova, ju kishit takime dhe lidhje të shumta me artistët më me zë të atdheut, duke i ndihmuar që të mbijetojnë financiarisht ata, duke i dhënë hapësirë, të mbajnë mbrëmje të ndryshme, si dasma e koncerte në Luginë. Keni edhe sot e kësaj dite me elitën e artit të asaj kohe apo jo më?

Po është e vërtetë, se në atë kohë edhe sot, kemi lidhje të shumta miqësore me artistët tanë nga Kosova. Përkrahja ime ia lehtësonte sado pak aktivitetet e tyre në Luginën e Preshevës, ku qëlllimi kryesor ishte zhvillimi i aktiviteteteve kulturore në Luginë, që kjo popullatë ishte mjaft e etur për kto aktivitete. Edhe këtu krenohem me gjithë ate angazhim timin shpirtëror. Kam pasur e kam edhe sot e kësaj dite miqë të mëdhenj, të artit, që sot janë shumë të njohur. Kemi kaluar shumë mirë dhe shpesh kur i takoj flasim edhe për ato kohëra.

Me çka do të krenoheshe? Me çka nuk do të pajtohesh? Jeni ndër të parët, që keni pasur motor sportivë. Si fëmijë e mbaj ndërmend, se i kalojshe shkallët e stadiumit te vogël, por edhe portat me motor?

Do të krenohesha me aftësitë dhe fuqitë e mia, që kisha në atë kohë, pasi që isha në moshë shumë të re. Si i ri kisha motorin e parë në Preshevë dhe bëja gjëra shumë interesante dhe të rrezikshme, ku edhe ju i cekët edhe më lartë.

Ku ndjehesh më mirë në veturë apo motor? Kur do ta kemi një shoqatë të motoristave në Luginë të Preshevës? A do të kishe dhënë konribut në këtë drejtim?

Shpirti më fle mëtepër në motor, ende nuk më shuhet adrenalina e motorit, por ja që vitet shkojnë dhe tani ju kam kthyer me tepër karrikes së veturës.
Egziston shoqata e motoristeve në Preshevë, jam i gatshëm të kontribuoj dhe kam ofertë nga kjo shoqate të jem anëtar nderi i kësaj shoqate si motoristi i parë në Luginë e më gjerë. Ju thash, kam shkri jetën time për këtë trevë dhe deri sa të kem jetë, do të kontribuoj.

Nuk kanë munguar edhe këngët kushtuar për Seferin, Seferi, Seferi, motori, motori. Ende je në formë, nuk e besoj, se do të dorëzohesh. Prej nga e gjithë kjo energji pozitive? Na thoni, se si e sheh rininë e Luginës së Preshevës? Çka do të kishe bërë Ti për këtë rini, që të mos largohet nga atdheu?

Në atë kohë kur dilsha me motor, fëmijët këndojshin këngën:SEFERI,SEFERI,MOTORI. Ndiheshin krenarë dhe ndjenin kënaqësi kur dilja në stadiumin e vogël dhe bëja manovrime të ndryshme me motor. Nuk e paske harruar as ti i nderuar. Kur hyja në Preshevë, dëgjohej zëri i motorit, sepse nuk kishte zhurmë të madhe, po flas para disa viteve, sepse tash, është mbushur edhe me motora të ndryshëm. E në ate kohë, zhurma e motorit tim ndjehej në hyrje të qytetit dhe e dinin, se Seferi po vjen. Ka qenë shumë interesant. Kisha një energji të jashtëzakonshme, ku edhe sot e kam ate energji, e them sinqerisht, se edhe sot e kësaj dite, nuk besoj se do të dorzohem lehtë. Nuk është gabim ajo shprehja, se mundesh të plakesh fizikisht, por me mend jo, por unë, as fizikisht nuk jam plakur, sepse jam pozitiv dhe kam punuar vetëm drejt.
Lugina e Preshevës ka një rini të shëndosh, por fatkeqësisht nga mungesa e kushteve, mungesa e aktiviteteve, që nuk i kanë kjo rini, mjerisht janë të detyruar të largohen për një jetë më të mirë. Siç po shihet ditë për ditë, se Lugina e Preshevës, po zbrabset, kjo tregon se po mungon e ardhmja. Do të duhej të punohej edhe më shumë, që të mos na ikin të rinjtë, sepse atëherë do të bëhet vonë, a gjendja është alarmante. Nuk dua të flas për politikë, sepse më njohin të gjithë, unë e dua vendin tim, punoj për të mirën e këtij vendi, por gjendja reale shihet se nuk është mirë si do të duhej të ishte. Ky vend ka rritë shumë trima e veprimtarë të devotshëm, që ja ka parë hajrin e gjithë shqiptaria, bile edhe bota demokratike. Duhet të dhezim alarmin sa më shpejt, e të mbajmë rininë në këto treoje.

Mirënjohje të veçantë meriton, sepse ishe frymëzim për rininë e asaj kohe. Mendoni, se koha e sotme, e ajfonave, kanë mbetur të rinjtë mprapa me sport? Z.Sefer, ku është sekreti i motorit e kam fjalë nëpër gara?

Sekreti i motorit nëpër gara egziston nëpër kthesa. Mënyra se si i kalon kthesat është shumë e rëndësishme për një garues. Pastaj, duhet të rrahë zemra për motorin, unë e njihja motorin tim, sikur nëna që i ndjeh fëmijën gjatë shtatëzanisë. Sinqerisht ua them, se si punon motori unë me vesh e kuptoj, se si është gjendja e tij.

Shohim në diasporë disa shoqata të motoristave, a ka ardhur koha, që edhe në Kosovë apo Shqipëri, ti jepet hapësirë motoristëve, për të realizuar gara e kështu me radhë? Si është një ditë e Seferit? Keni një përvojë të madhe jetësore, me lloj-lloj personaliteti, si e sheh të ardhmen e Luginës së Preshevës?

Deri më tani kanë pasë shumë pakë hapsirë motoristët. Është koha, që ti jipet më shumë hapsirë edhe pse është vonë, por më mirë vonë se kurrë.
Jeta më ka rastësishë me personalitete të ndryshme të takohem e të kem kontakte. Kam një miqësi shumë të madhe me personalitete të ndryshme dhe më lejoni që përmes medias suaj, ti përshëndes të gjithë, prej shkornjës A e deri te ZH. I kam çmuar e do ti çmoj për jetë. Unë jam Seferi i asaj kohe dhe kend e ka marrë malli të më takoj, mundet të më gjej aty ku isha dikur. Unë nuk ndryshoj dhe mbetem ky që jam, i dashur, i sjellshëm, parimorë dhe i drejtë e padyshim edhe humanë.
Çka te them tjetër? E ardhmja e Luginës së Preshevës…, shpresoj, se do të bëhet më mirë, por duhet të punojmë shumë e më shumë dhe të respektohemi mes veti, ti japim dorën e meritës ai që e meriton dhe jo të ngulfasim dhe ai pastaj të largohet nga ky vend.

Na tregoni, recetën e mos plakjes të lutem? Fëmijët tuaj, po merren me zejen që e ke Ti, apo jo? Shumë flm, shëndet e gjitha të mirat.

Fëmijët e mi kanë secili drejtimin e tyre, por jo drejtimin e zejes time.
Është kënaqësi të jem në mesin e miqëve të mi, ku më motivojnë shumë dhe ky motivim ndikon të ndjehem ende i ri ( Një fjalë e urtë: NUK ËSHTË MARRE TË PLAKESH).

Z.Sefer, të falënderoj për kohën dhe shpresoj shumë, se do të kemi mundësi përsëri të flasim për shumë tema interesante, e përjetime që i ke pasur gjatë gjithë karrierës suaj.

Ju jam mirënjohës i nderuar. Më keni kthyer shumë vite mbrapa me kujtesë. Falënderoj familjen time, miqtë e mi kudo që janë ata dhe vendasit e mi të Luginës së Preshevës. Isha me ta deri më sot e do të jem deri në sekondat e fundit të jetës. Krenohem me Preshevën, sepse ka rritë e do të rritë veprimtarë të devotshëm, që i kanë dhënë të mira jo vetëm atdheut, por edhe botës demokratike. Zoti I bekoftë kudo që gjenden. Punoni drejt dhe mos u ndalni!

Intervistoi: Dashnim HEBIBI/presheva.com/