Zbardhet vrasja e 14-vjeçares në Shkup! U rrëmbye rrugës për në shkollë, si u tregoi babai intinerarin vrasësve

0
36

Zbardhet vrasja e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska, në Shkup. E mitura rezultonte e zhdukur që prej 27 nëntorit, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Trupi i pajetë i saj është gjetur të dielën.

Shefi i Punëve të Brendshme bëri të ditur se motivi i vrasjes ishte përfitimi material nga e ëma e vajzës së vrarë dhe se në këtë rast, është i përfshirë babai i saj, i cili, siç është shprehur Spasovski, i ka informuar anëtarët tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe lëvizjen e saj drejt shkollës.

“Që të dy personat edhe e mitura nga Shkupi dhe 74-vjeçari nga Velesi dje u gjetën nga policia të vrarë dhe të varrosur njëri në Shkup dhe tjetri në Veles. Masat e ndërmarra nga ana e policisë na sollën deri tek autorët e këtij krimi, ata janë privuar nga liria. Lidhur me dy rastet janë të dyshuar 5 persona, tre prej tyre janë në paraburgim, një është jashtë shtetit dhe personi i 5, babai i të miturës është ndaluar dhe me të po zhvillohet bisedë informative”, tha më herët Spasovski.

Nga ana tjetër prokurori Gavrill Bubevski tha se të gjithë të përfshirët në të dyja vrasjet janë identifikuar dhe se 14-vjeçarja është vrarë 3 ose ndoshta më pak se 3 orë pas zhdukjes të hënën e kaluar.

“Motivi për këtë rast është përfitimi, me ç’rast një nga personat në marrëveshje edhe me një anëtar të familjes, kanë organizuar dhe kryer aktin me qëllim që të marrin para nga nëna e vajzës së mitur që më pas të gjithë të keni përfitime”, ka thënë Spasovski.

Po ashtu, trupi i një 74-vjeçari është gjetur në Veleshtë. Sipas policisë, viktima tjetër nga Veleshta nuk kishte lidhje me vajzën, por kishte hesape të papastruara me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal.

“Sa i përket viktimës tjetër, burrit të moshuar nga Velesi, ai nuk ka asnjë lidhje me vajzën e mitur, por [është vrarë] për shkak të raporteve të papastruara me një nga të dyshuarit, kurse automjeti i tij [74 -vjeçarit] është shfrytëzuar për ta marrë dhe vrarë vajzën. Automjeti është djegur dhe më pas është vrarë personi nga Veleshta”, ka thënë Spasovski.

Për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin në Maqedoninë e Veriut, prokurori publik Gavrill Buvevski tha se do të ketë “dënime të rrepta” bazuar në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut.

“Motivi është përfitimi, por kur bëhet gjatë rrëmbimit, atëherë motivi është vrasja e pastër. Vrasja e të miturve, por edhe motive të tilla, parashikojnë dënimet më të rënda”, ka prokurori Bubevski.


Top Channel