SHPËRNDAJE

 

ekziston një distancë e brishtë midis përrallave që kemi dëgjuar gjatë netëve të dimërit dhe rrëfimeve që ne, krijuesit bashkëkohor, gdhendim gjatë netëve të verës. Por përrallat, si ato që m’ i dëftonte gjyshja Habibe, ashtu dhe ato që kanë shkruar vëllezërit Grimm, kanë fillim të ngjashëm.
Na ishte një herë një peshkatar dhe kishte një grua… Duke filluar kështu, gjyshja Habibe sikur më paralajmëronte – se tani vjen përralla dhe të gjitha aktivitetet tjera marrin fund. Vetë folja ”jam”, në kohën e pakryer, s’ ka të bëjë me rrëfimin që kishte ndërmend të na dëfonte plaka, por ajo e luante rolin e çelësit që na tërhiqte drejt një bregdeti të panjohur ku jetone një peshkatar i varfër dhe gruaja e tij mendjelehtë. Fjalët që vinin pas atij kumtimi teatral ishin si një fanar i zbehtë që na dëftonte rrugën të cilën duhej ta ndiqnim nëpër errësirë. Ndonëse me sy në ballë, ne, në atë fazë të përrallës, s’ kishim ndonjë ide të qartë, se ku po shkonim, çka do të ndodhte me njerëzit e përrallës dhe si do ta përjetonim fundin e saj.
Një autor i njohur thotë se hyrja duhet ta frymëzojë lexuesin me kurreshtje për ate që kemi ndër mend të dëftojmë. Ajo duhet ta ekzaltojë deri n’ ate gradë, saqë ai apo ajo t’i harrojnë hallet e përditshme. Kjo do me thënë se ajo që vjen pas hyrjes është harta që duhet t’ i dëftojë lexuesit se ku gjendet dhe çka mundet të presë nga aventura ku e kemi ftuar. Në dramaturgji, ky moment quhet ekspozim, ndërsa në kinematografi prezantim. Në këtë fazë të përrallës nxiren në pah cilësitë e jashtme dhe të brendshme të personazheve, si dhe konflikti që duhet të zgjidhet.
Shtrohet tani pyetja: Mirë, po kur dhe si ta bëjmë prezantimin?
Sa i përket kësaj gjymtyre, autori ka një varg mundësish për të na njohur me cilësitë fizike dhe morale të personazheve të tij dhe ate e bën në përputhje me qëllimin që ia ka vënë vetes. Me dijeninë time, të gjitha përrallat, që nga ato sumere e deri te ato islandeze, janë dëftuar në veten e tretë. Atë model e kanë ndjekur të gjithë rrëfimtarët botëror, pa i përjashtuar orvatjet e tyre për ta kompletuar dhe përsosur këtë gjini. Po atë model po e aplikojnë edhe prozatorët shqiptarë duke na i prezantuar heronjtë apo heroinat e tyren në lëvizje, ashtu siç po bën kinematografia amerikane, por secili duke këputur apo shtuar diçka të vetën origjinale.
Rëndom, ai që e bën prezantimin është – autori. Nuk është e thënë që këtë ndërhyrje ta bëj në faqen e parë apo të tretë të rrëfimit, por herëdo kurdo, rrjedha e ngjarjes do ta shtrëngojë t’ i prekë cilësitë dhe virtytet e heronjëve të tij. Unë, fjala vjen, isha i detyruar ta aplikoj këtë ndërhyrje që në rreshtat e parë të ”Konstantinës” sepse heroinën e kisha gjetur në njërën nga këngët e preferuara popullore dhe, duke përdorur rreshtat e parë të rrëfimit, kisha për qëllim që sa më parë ta prekë bukurinë e saj. Për t’ ia arritur qëllimit, m’ u desht t’i imitoj fotografët e vjetër dhe ta ulë atë motrën në një karrigë të vjetër, t’ ia vë një tufë livando pranë, t’ i dëftoj si duhet ta mbaj shtatin dhe përafërsisht kur duhet të shikojë drejt meje.
A është e thënë që këtë ndërhyrje ta aplikoja në rrëfimet tjera? Jo, dhe kategorikisht, jo. Secili rrëfim dhe secila novelë është krijesë më vete. Ka me dhjetra e dhjetra rrëfime të shkëlqyeshëm, me subjekte e drama të ndryshme, që s’ kanë asnjë përshkrim të personazheve për arsyen e thjeshtë se prezantimi është gatuar në brumin e përrallës.
Ajo që me çdo kusht dua të nënvizoj është – fuqia e jashtzakonshme e këndvështrimit. Duke e regjistruar një ngjarje që zhvillohet në rrugë, tren, kishë apo qendërn e një fshtai, autori s’ ka nevojë ta bëj regjistrimin e skenës me sytë e tij. Përkundrazi, ate mund ta bëj edhe me sytë e ndonjërit nga personazhet kryesore apo një personazhi të tretë, të cilin e shpikë apostafat për atë qëllim. I njejti efekt mund të arrihet edhe me përdorimin e foljeve pësore, me ç’rast skena veshë një ton më të distancuar.
Sidoqoftë, nuk duhet harruar se me ecjen e dramës, elementetet që u prekën më lartë ecin dorë për dore me shprehjet e fytyrës, qëndrimin e trupit, gjestet, mënyrën si artikullohen replikat, veshmbathjen, si dhe zbukurimet që e kompletojnë dramën që luhet para syve tonë. Përndryshe, të gjithë e dimë se shkrimtarët bashkëkohorë janë më të kursyer me fizionominë e njerëzve dhe kjo ka të bëjë me shmangjen e tyre të qëllimshme nga pasqyrimi i realitetit objektiv.
Jo rastësisht dua të ve në pah se shumica dërmuese e krijuesve bashkëkohor, në mesin e tyre edhe shkrimtari Per Lagerkvist, po deklarojnë hapur se pamja e një personazhi dhe analiza e gjesteve që dikur përdoreshin për shpjegimin e dukurive sot janë të parëndësishme. Tani ato janë gjuajtur përtej një fasade të rrafshuar dhe memece. Të shkruash sot për realitetin objektiv dhe ta pasqyrosh me sytë e një mjeku, dentisti apo parukieri është t’ i nxjerrësh punë vetvetes, sepse realiteti objektiv, me të gjithë tipat e mjekrrave, parukave, drogave, sëmundjeve, barnave, rrobave e artikujve që po zbarkojnë në limanet e Gadishullit Skandinav e kanë lënë krijuesin prapa dhe ai është tepër i molisur për t’ u kthyer prapa në bankat e shkollës dhe për t’ ua mësuar emrat.

74. Vila e bardhë

Përjashta frynte një erë e vrazhdë dhe, pak nga pak, po e mbulonte fshatin me një shtresë të re bore. Njerëzit, të gërmuqur dhe të zhgënjyer nga veset e këtij behari, iknin drejt shtëpive të tyre. Suedia ka mbetur prapa me bujqësi, arat janë mbuluar me gjole dhe toka s’ po shkilet me këmbë. Kështu si ka marrë moti, ka rrezik të mos kemi patate të reja për mesverë.
Edhe sot isha n’ anën tjetër të lumit. Tri çupa të reja, të veshura për dimër, me kësula e pantallona leshi, vraponin drejt fshatit Sandarne dhe memzi që i mbanin qurrat mbi buzë. Herë pas here kalonte ndonjë maune e ngarkuar me pisha të prera dhe zhdukej në oborrin e Fabrikës së letrave. I bezdisur nga skllotirat e ujit që hidhnin, mora më të djathtë dhe u ngjita në katin e tretë të Vilës së Bardhë.
Askush s’ më ka thënë pse quhet e bardhë. Ajo është një godinë e lartë, trikatëshe, e rrethuar nga të katër anët me taraba. Me sa duket, pronarët e sj e kanë braktisur prej kohës, por askush nuk merr mund ta riparojë e të shpërngulet në oborrin e saj, sepse këtu prona private është e shenjtë. Kjo, pra, nuk do të thotë se hyrja është e ndaluar. Përkundrazi të gjithë ata që duan munden të ngjiten në kati e tretë dhe ta shijojnë pamjen që mbretëron përjashta. N’ anën kundërt të Vilës horizonti mbyllet me pishat e veshura me borë. Pak më pranë, këtej murit të përhimtë të Digës, zverdhet shtrati i thellë i lumit, i mbjellë me shëmbinj që ai ka sjellë dikur, kur kjo pjesë e gadishullit pushonte nja katër kilometra nën akull. Dallgët e lumit janë të larta e të përngutura dhe kundërmojnë nga ca kemikalje që s’ e di as si i quajnë, as përse përdoren.
Ndonëse duken të njejtë, sepse të gjithë derdhen në detë, asnjëri nga lumenjtë e Suedisë s’ është i ngjashëm me njëri tjetrin. Secili ka shtratin dhe huqet e veta. Do të dëshiroja të kem kohë e t’ i shoh të gjithë lumenjtë e këtij vendi. Suedia ka shumë lumenj dhe ca prej tyre i lagin të gjitha krahinat e vendit. Ca prej tyre i kam parë, i kam prekur me dorë, e kam shijuar ujin e tyre, por shumicën jo. E kam parë Tornion, një lum i madh e i përngutur, që ndanë vendlindjen e laponëve në dy gjysma… E kam parë edhe lumin Dala… E kam parë edhe lumin Fyris… Por nuk i kam parë ata tjerët që burojnë në bjeshkët e pashkelura të Laplandës dhe të cilët, sipas një vendimi të marrë vite më parë, rrokullisen drejt Baltikut të kaltër. Nuk do të çuditesha nëse dikush më thotë se jam i pari shqiptar që e vras mendjen për lumenjtë dhe liqenet e këtij vendi. Ata tjerët, miqët e mi, merren me mirëmbajtjen e ambientit. Fshijnë zyrat, ndërmarrjet dhe banjot e Uppsalës.
Mjerisht, unë s’ jam ndonjë guximtar i madh. Guximtarë të vërtetë kanë qenë greku Herodotos, italianët Marco Polo e Kristofor Kolombo, portugezët Vasko de Gama e Ferdinand Magelan, anglezët Richard Burton e David Livingstone, francezi Jaques Cartier, por jo një mërgimtar si unë. Unë duhet t’ ua mësojë pilotëve suedez frengjishten e rusishten, sepse ata do ta shohin botën me sy, edhe ate, duke e shpuar qiellin me një shpejtësi që ia kalon zërit.
S’ ka gjë. Edhe kjo që kam është punë. Unë mund të lavdërohem se ua kam mësuar të tjerëve një gjuhë të re.

75. Paketa

Sot më erdhi një paketë me libra. Ma kishte nisur miku im Rexhep Ismajli. Shumicën e tyre si – ”Gjeniun” e Teodor Drajzerit, ”Çoçarën” e Alberto Moravias dhe ”Çelsat e Parajsës” të Kroninit i kam lexuar sa isha në Uppsalë, por jo të tjerët. Në mesin e librave që mora gjendej edhe romani i Hivzi Sylejmanit ”Njerëzit”.
Më erdhi keq që ishte harxhuar, po tani është vonë ta qortoj. Për të qenë e keqja më e madhe, unë e kam humbur dashurinë për vargje. I dua shumë poetët si Heinrich Heine e Wolfgang Goethe, Sergej Jesenjin e Vladimir Majakovskij, Lord Byron e William Shakespeare, që kanë shkruar vepra epokale, por jo dhe eksperimentuesit. Mendoj se poezia shqiptare, edhe nëse s’ botohet asnjë varg më shumë, mund të mbijetojë me veprat e Naimit, Çajupit, Lazgushit, Nolit, Fishtës dhe Migjenit. Por Migjenin nuk e dua. Jo se ka shkruar keq, por Migjeni është idol i atyre që e kanë zaptuar organizatën e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Më në fund e paskan ribotuar romanin e Hivzi Sylejmanit. Dikur për zotëri Hivziun thoshin se ishte shkrimtari më i madh i Kosovës, por unë s’ kisha ndonjë ide të saktë se çfarë kishte shkruar gjatë kohës që shkoja në Shkollën Normale. Sa isha në Prishtinë, ai banonte në një vilë trikatëshe që gjendej në krahun e majtë të rrugës që çonte për në Gërmi dhe shpesh herë e shihja duke gropuar në oborrin e vilës ngjyrë portokalli.
Një herë, duke kaluar atejpari, e pashë që ishte i lirë. Sapo e kishte krehur barin dhe po pinte kafe në këmbë. Me sa duket, e kishte ndër mend të vazhdonte.
” Zoti Hivzi! Mund t’ ua shtroj një pyetje,” i thash, pasi e përshëndeta dhe kërkova falje që po e shqtësoja. ” Kam dëgjuar shumë për romanin tuaj ”Njerëzit”. Ç’ u bë me botimin e tij, se kam dashur ta lexoj e s’po e gjej dot n’ asnjë bibliotekë.”
Ai më zhveshi me një shikim të pingultë dhe, pasi i tha diçka zonjës së tij, ma hapi derën. Se çka mendoi në atë çast, nuk mundesha ta dija, por Zeqir Balaj, babai i një shoku tim, më kishte thënë se ai ishte komunist dhe shumë i afërt me Fadil Hoxhën.
” Eja ta pish një kafe,” tha. ” Po ti, ç’arsye ke që interesohesh për te? Mos shkruan vet?”
” Nga pak,” i thash me zë të pasigurtë.
” E mora vesh,” tha, dhe shtoi se Kosova kishte probleme më të mëdha se botimi i një romani. Pastaj shtoi: ” Ai do të ribotohet një ditë, xhanëm, po tani kemi halle tjera. Ka njerëz këtu që po durojnë për bukë.”
” Ajo që thoni është e vërtetë, po njeriu s’ rron vetëm për bukë. Ai ka nevojë edhe për dije, për art. Mua m’ intereson tematika që keni trajtuar,” i thash.
“Luftën… Ate kam trajtuar,” tha ai, por nuk mori mund të më njoftonte pse s’ gjendej romani i tij në vitrinat e librarisë. Asaj që gjendej përballë Teatrit Krahinor.
Tani që e kam në dorë dhe lexova ca faqe, po konstatoj se edhe vuajtjet e personazhit të tij janë si ato të komesarëve politikë që i kanë shërbyer Stalinit, por në një ambient ballkanik. Edhe zotni Hevziu, njësoj si Sinan Hasani me shokë, duhet të jetë shkrimtar i mirë, por romanin e ka shkruar me duar të lidhura. Të gjithë këta që regjimi po i bën yje të letërsisë së re ”jugollave” e kanë lënë shpirtin peng te Djalli. Vetëm Adem Demaçi është autentik. Të tjerët mrizojnë në Parnasin e Letërsisë Jugosllave dhe zhvillojnë dialogje me vetveten. Jam jugosllav apo s’ jam? Nëse jam, përse s’ jam? Isha patriot apo s’ isha? Nëse isha, përse s’ isha? Pak a shumë si shoku Enver që po zhvillon monologje me vetveten dhe kurrësesi të çlirohet nga trauma e Stalinizmit. Jam apo s’ jam Stalinist? Jam Stalinist, po dua të jem maoist. Nëse jam maoist, përse s’ mundem të jem Stalinist?
Jo, rrofshin ata tjerët si – Ramiz Kelmendi, Anton Pashku, Din Mehmeti e Rifat Kukiqi – si dhe të rinjtë si – Sabri Hamiti, Ibrahim Rugova, Zejnullah Rrahmani, Jusuf Buxhovi, etj. që po dalin në Evropën Perendimore e po frymëzohen me botëkuptime të reja, se letërsia socrealiste ka ngordhur. Një talent i veçantë është Anton Pashku, por kam përshtypje se ai ka ngecur në kostumin e Franc Kafkës. Përndryshe, nga ato që kam lexuar kohët e fundit, shoh se Shqipëria ka me qindra inxhinier dhe dy tre shkrimtarë të vërtetë. Dhe të tretë, kush më shumë e kush më pak, janë në shërbim të Satrapit të Gjirokastrës.
Do të dëshiroja të ulem e ta falenderoj Rexhepin për librat që m’ i ka nisur, por s’ jam në gjendje të mirë shëndetsore. Kam zënë një ftomë të keqe dhe po mjekohem me çaj.

76. Kujdestarët
Me sa duket, po vjen behari. Akulli që i pat hipur detit ka filluar të shkrihet dhe lumi është enjtur tej mase. Gjykuar nga çirrmat e stërqokave, çafkave e pulëbardhave, pranvera po vjen me hapa të nxituar, por ende s’ po duket në fshat.
Dje e mora Lefterin në telefon dhe ai më njoftoi se një grup i ri të burgosurish politikë ishin nxjerrë në gjyq dhe të gjthë kishin marrë dënime të rënda. Në mesin e tyre gjendej edhe një shqiptar nga Turqia, të cilit ia kishin prerë 15 vjet. Po pse e paskan dënuar vallë? Për asgjë. Duke kaluar nëpër Kosovë, ai gjoja paska lënë materiale propagandistike kundër Jugosllavisë Federative.
Kjo akuzë, si të gjitha të tjerat që kanë rënë mbi supet ë shqiptarëve, është absurde dhe e qelbur. Jugosllavia Federative nuk po kënaqet që përzuri më tepër se gjysmë milioni shqiptarë në Turqi, veçse tani po bën çmos që ata të mos kalojnë fare nëpër territorin e saj. Kam takuar një varg shqiptarësh nga Turqia, në mesin e tyre edhe preshevarë, që kanë kohë për gjithëçka, po jo dhe për veprimtari politike. Ata janë zotni djem, shumica të martuar, mjerisht me prindër të papunë, dhe për t’ i mbajtur gjallë familjarët e tyre, punojnë natë e ditë në Gjermani, Zvicër apo Austri. Kuptohet se të gjithë nuk janë engjuj. Ka në mesin e tyre edhe tregtarë, narkotrafikanë, ish policë e matrapazë. Por këta të fundit janë spiuj dhe përdoren për t’ ua ngarkuar shqiptarëve krimet e Sigurimit jugosllav.
Jugosllavia po i quan vëllezërit tanë armiq. Armik po e quan Adem Demaçin e Metush Krasniqin. Armik po e quan Ali Aliun e Kadri Halimin. Armik po e quan Mehmadali Hoxhën e Faik Mustafen. Por Ademi, Metushi, Aliu, Kadriu, Faiku e Mehmedaliu me shokë janë kujdestarë të ëndrrave tona.
Ëndrra është një litar, ka thënë Budha. Nëse do të ngjitësh në majen e një vodhëze apo lisi të lartë, duhet të kesh një litar dhe, sëpari duhet ta gjuash litarin në degë, pastaj të ngjitesh përpjetë.
Ashtu veproi Budha kur e gjeti dharmën dhe i shliroi ndjekësit e tij nga ankthi. E hodhi litarin lart dhe, pasi u sigurua që kishte të drejtë, iu tha ndjekësve të tij: ngjituni. Ashtu vepruan edhe profetët tjerë. Ashtu veproi Jezu Krishti, kur i thirri ndjeksit e tij të çojnë dorë nga dhuna. Ashtu veproi dhe Muhameti kur i thirri ndjekësit e tij të vëllazërohen me sherbëtorët e tyre. Çoni dorë nga zangoçëria dhe bëhuni popull, iu tha. Pa marrë para sysh se ata nuk e ndoqën deri në fund dhe u ndanë në sekte, ëndrra e tij e mundi kohën dhe arabët u bënë një popull i madh e i qytetëruar.
Kushdo që i quan armiq kujdestarët e një populli, gabohet rëndë. Pajtohem me ata që thonë se ka kujdestarë të mëdhenj e të vegjël. Ka kujdestarë të arsyeshëm e të paarsyeshëm. Sikur t’ ishte Hitleri një kujestar i arsyeshëm, nuk do ta joshte popullin e vet në katastrofë. Mjerisht, ata nuk arritën ta bëjnë zapt dhe u katandisën në një luftë me pasoja katastrofale. Kjo është për të ardhur keq, sepse gjermanët janë qenë të punës, dhe kanë bërë shumë për njerëzimin.
Po matem të kthehem n’ Uppsalë. Jeta në këtë fshat është e qetë, e rehatshme dhe pa kuptim. Duke marrë parasysh se Nina ka një shtëpi n’ atë qytet dhe s’ kam nevojë të paguaj qira, do të mundesha të vazhdoj me gjuhët romane apo nordike. Kjo, pos tjerash, do më ndihmonte t’ i thelloj kontaktet me miqët suedezë. S’ di çka dreqin të bëj këtu. Kush po e vret mendjen për mua, pos Rexhep Ismajlit? Dikur ndieja nevojë të pushoj pak, ta marr veten, por tani kam mallë për Uppsalën. Mjafton të hyjsh në Carolina Rediviva dhe ta gjejsh një revistë interesante. Mjafton të hyjsh në Menzën e Studentëve dhe ta takosh një doktorandë të ri, që të debatosh deri në ditën e nesërme. Tani jam me bisht ndën shalë, sepse po jetoj në kurriz të gruas dhe rroga që po më japin nuk mjafton as për librat që kam porositur nga Tirana.
Ashtu si dhe poçari që mbyllet në shtëpinë e vet dhe e ndrydhë, e ndrydhë baltën, deri sa krijon një substancë të re, edhe unë po i zbraz mendimet e mia në fletore me shpresa se do të vijë një ditë kur do t’ i pasqyroj me një nur më të qartë. Një shkrimtar që punon pa laps e pa gomë, s’ mundet të jetë i mirë. Ai duhet t’ i gdhend gjërat ashtu si janë në realitetin objektiv dhe të na dëftojë se në cilën kohë të ditës duhet të lexohen.

77. Malli

Edhe sot isha në bibliotekë. Vajta për ta huazuar ”Apologjinë e Sokratit”, të cilën e kisha porositur ditë më parë. Rrugës, deri sa po ngjitesha shpatit, vura re se bora ishte shkrirë dhe të rinjtë kishin dalë në rrugë për t’ i provuar motocikletat.
Ah, sa shumë e kam pritur këtë behar! Po e ndjek ardhjen e tij me ngazëllim të madh, thua se jam student i botanikës dhe duhet me çdo kusht ta shoh mbirjen e çdo vjollce dhe ta dëgjoj cicërimën e çdo shpurdhjaku. Behari i këtushëm është i shkurtër dhe të gjithë vendasit e presin me gëzim. Javën e kaluar dolën edhe detarët e po i ngjyrosin lundrat e tyre, po i lajnë saksitë dhe po e lërojnë tokën ku do të mbjellin qepë e zarzavate.
Tani dua të shtrihem në krevat dhe, pasi t’ i mbyllë sytë nja tre katër minuta, të arratisem në Athinën e Lashtë. Si lum zoti Sokrat që ishte aq i mençur dhe dinte të ndërtonte aq fjali të bukura. Atë aftësi s’ e ka patur askush në botë. Për ate po i shkruaj këto të miat si po më vijnë në kokë, sepse jam i bindur që jeta e tyre është e shkurtër. Me këto kotësira ushqehet mola, një kandërr që ha herë letër, herë rroba të leshta.

78. Tronditja

Kjo nuk ndodhë secilën ditë: të gdhihesh në mëngjes dhe, ashtu i përgjumur, të dëgjosh se njerëzit, kafshët e shpezëria, të gjithë janë zgjuar nga gjumi dhe kuvendojnë përtej dritares sate. Zhurma që vjen nga jashtë është e nxehtë, i nfektuese, dhe depërton deri në qoshet e largta të dhomës. Po bën ngrohtë dhe cicërima e tushave, që me qindra janë mbledhur në degët e pishave, oshtinë si një ujvarë e shurdhër e goglave. Tushat janë pak më të vogla se mëllenjat, sqepverdha, por kanë bisht të shkurtër dhe sa herë që dalin në diell lëshojnë një shkëlqim metalik. Kostymi i tyre, i spërkatur me pika të bardha, ma kujton natën e spërkatur me yje. Tani që e kanë zaptuar pishakun, ato edhe po hanë, edhe po zihen. Ato kanë të ngutur, se i pret një rrugë e gjatë për në veri.
Këto ditë u mbajt një simpozium i madh mbi stresin. U fol dhe u shkrua shumë për këtë sëmundje të shoqërisë bashkëkohore që, në mungesë të epidemive tjera, po përhapet gjithnjë e më shumë nëpër Evropën Perendimore.
Në mesin e atyre që dolën me kumtesa ishte dhe antropologu i shquar amerikan Dr Levy Strauss, që dha një intervistë të gjatë mbi këtë dukuri të re. Ai tha se tronditja nervore është shndërruar në një gjymtyrë të pestë të shoqërisë moderne dhe po çfaqet atje ku s’e ka pritur askush: nëpër çerdhe të fëmijve, shkolla, fabrika, institucione, shitore, ministrí, banka dhe jetën e përditshme të familjes. Nëse shoqëria njerëzore do të shlirohet nga kjo epidemi, duhet të studjohen shkaqet dhe simptomat e saj. Një metodë efektive për t’ u mbrojtur prej saj është – krijimtaria. Përndryshe, barna ka, por ato lënë pasoja të panjohura.

77. Zënkat

Sonte jam ngjitur lart, në katin e tretë të shkollës, dhe po përpiqem t’ i shtroj mendimet e mia. Atje poshtë, në studion time, është e pamundur të punohet: çirrmat dhe ulurimat e çiftit Persson janë bërë të padurueshme. Në fillim janë të buta, spontane, pastaj Bengt-i e ngreh zërin, ngjallet, ndërsa Birgita vazhdon me zë të qetë, ironik, deri sa e prekë në një vend ku s’ duhet. Atëbotë ai merr flakë, shkumon, xhindoset dhe e ngre zërin në kupë të qiellit. Sikur të kënaqej me aq, do t’ ia bëja hallall por ai, për ta shpënë inatin në vend, shkon dhe e merr shishen e wiskyt dhe e fton të pijnë sëbashku; përndryshe do t’ i bëj mobiljet copa –copa.
Birgita nuk lëshon pe dhe shkon në dhomën e saj për t’ i marr rrobat e për t’ u shpërngulur te prindërit e saj. Kjo e revolton aq shumë, saqë ai nuk e lejon ta kërcej pragun dhe, papritmas, shkrehet në vaj. Pastaj hapet qielli dhe nga plënci i tij reshin sharjet, mallkimet e akuzat më të rënda.
Tani është natë dhe qielli ka veshur një rrobë ngjyrë kokoçeli. Jam mbështetur në kolltuk dhe kam përshtypje se prapa shpinës time përhimtet ylberi i Rrethit plak. Atje poshtë – Presheva, ajo sofër e mbushur me rrëfime, viktima, mikëpritje e legjenda; rreth e përqark saj – Rahovica, Shoshaja, Bushtrani, Lerani, Zhunica, Gerajt dhe Udha e Frengut, që dikur na përcillte për në Shkup ose Prishtinë. Atëbotë ishim të rinj dhe kishim vetëm dy qytete.
Eh, sa larg që kam ardhur, mendova. Sa shumë kam humbur duke e hedhur litarin në majë të vidhit. Ata varfanjakët, preshevarët e mi, nuk e dinë sa të pasur që janë. Nuk e dinë se nëpër qiellin e tyre endet një diell i madh si Perëndia. I madh – i ngrohtë – dhe i shijshëm si buka e çerepit. Ata nuk e dinë sa hyjnore është shija e cigares kur njeriu hipën në maje të Rrethit dhe q’ atej e vështron fushën e të parëve dardanë dhe kodrat e gjelbra të Pçinjës, që e ndajnë vendlindjen tonë prej vendlindjes së tyre… Ata që do vijnë pas nesh do të jenë të varfër e të tronditur… Do të dijnë më shumë se Krishti e Muhameti sëbashku, por bota e tyre nuk do të jetë si e jona… Nuk do të dijnë se njerëzit, pa marë parasysh gjenezën e tyre, do të vriten për një bisht gruaje… Fatlumnisht, në botën e tyre s’ do të ketë të burgosur dhe askush s’ do të dënohet me pesëmbëdhjetë vjet burg… Kush s’ i ka menduar këto, duhet t lexoj librin ”Si të jetosh” të shkrimtarit Lin Ja Tsen.

78. Filozofia e një butaku

Papandehur bie zilja e telefonit. Ështe daja, Atulla Dembeli. I gëzuar, i qeshur, i entusiazmuar. Aq i entuziazmuar, sa që flet me një frymë dhe s’ më le ta pyes për familjen, të cilën e ka nja dhjetë fish më të mirë se veten.
“Hë, dajë. Ça kemi të re?” e pyes.
” Sa të duash,” ma kthen. ” Jo një e dy, po sa të duash. Si n’ daç me dijtë, Republika e Maqedonisë ka zhvilluar një javë të fuqishme kulturore në Stockholm… Ça s’ kishte… Disqe, libra, kaseta e artikuj të ndryshëm… Kaurrët e dhanë edhe një program me këngë e valle popullore…”
” Dhe ti shkove?” e pyes me një theks të lehtë ironie. Sepse kaurrët nuk më kishin rrahur mua, po Tullën.
” Pse të mos shkoj,” më pyet ai.
” Thjesht, sepse t’ i kanë dhënë nja gjashtë okë qytek. Apo na gënjeve?”
” Jo, jo,” më thot ai.” Më kanë arrestuar, më kanë marrë në pyetje e më kanë dhënë dajak. Hala e kam atë këmishën e përgjakur në garderobë.”
” Megjithate, ti i paske marrë te shtëpia dhe iu paske dhënë darkë,” ironizoj unë.
” S’ ka gjë,” thot ai. “Ata më dhanë qytek, po unë s’ ua marr për të madhe, se bënë detyrën e tyre. Mos harro se edhe unë kam do plane. Kam një grua, kam katër djem. Çka mund të bëj me ta? Duhet t’ iu gjej punë dhe opcionet janë të pakëta. Po dhe ajo punë do zgjidhet. Do të shkoj atje poshtë dhe do t’ i hapi nja dy picerí. Çunat gatuajnë pica, unë punoj në dërzhavë.”
Ec e bjeri në fije butakut. Më hipi një inatë dhe s’ e përmbajta veten.
“More, vëlla,” i them. “Deri dje s’ dije se ç’ është subjekti e predikati, ndërsa tani dashke të punosh për dërzhavën. Për këte më kërkove?”
” Jo, jo,” ma kthen ai.” Deshta të njoftoj se pak ditë më parë kishin ardhur nja tetë familje shqiptare dhe këta i paskan vendosur në një anije përballë qytetit Nortelje. Duhet të shkoj e t’ i vizitoj, se përndryshe koritemi.”
” S’ di pse duhet të koritesh, kur ata i ka marrë qeveria nga kampet e refugjatëve,” i them. ”Sidoqoftë, përpiqu t’ i njoftosh para se të shkosh, se s’ dihet a donë të të takojnë. Mos qofsha gabim, ata paskan kërkuar strehim…”
” Ani çka,” thot Tulla. ”Pse duhet t’ i lajmëroj ata katundarë, që nuk e dinë asnjë fjalë të suedishte? Se mos po më presin me pajton?”
” Jo, jo,” i them. “Por ka mundësi që ata s’ janë të interesuar t’ u shkosh. Sipas tëndes, ata qenkan katundarë. Po ti çka je, o Atulla? Ke mbaruar dy vjet të Shkollës Bujqësore dhe mendon se ke prekur Zotin me dorë. Shko e vozite atë lektorin bullgar, që t’ ia marrësh një notë kaluese, se ata shokët arrnohen edhe pa ne. Unë jam i sigurt se me këtë mende që ke, ti do të shkosh larg. Si mjerë gruaja, që gjithë ditën pastron banjot e botës për ta mbushur makinën me naftë. Se t’ ishte për ty, ti edhe sot do të ecje mbi gomar.”
Përtej kufjes mbretëroi heshtja. Por ajo nuk zgjati shumë dhe Tulla ma ktheu xhevapin.
“Përherë më ke pritur me këmbë të para,” tha. “Kjo dëfton se po të vjen inatë që po bëj qejf.”

79. Demonstratat e Tetovës

Përjashta po bie një borë e përzjerë me shi. Duke mos patur ndonjë rekreacion më të përshtatshëm, e kam marrë një artikull të gazetës “Le Monde” dhe po lexoj mbi demonstratat e vitit 1968, kur për herë të parë u shtruan kërkesat e shqiptarëve për të drejta të barabarta me popujt e Jugosllavisë Federative.
Autori thotë se shqiptarët s’ kanë të drejtë të kenë republikën e tyre, pasiqë Lidhja Komuniste e Jugosllavisë e ka flakur dëshirën e tyre qysh kur zhvilloheshin luftime të rrebta për çlirimin e Kosovës. Rrjedhimisht, qeveria jugosllave paska deklaruar menjëherë pas demonstrataive se prapa tyre fshihen përpjekjet e nacionalistëve shqiptarë për t’ i ratifikuar kufijt e vjetër, gjë që nxjerr ngatërresa tjera ndërkombtare. Mu për këtë arsye, qeveria jugosllave paska dhënë urdhër të merren masa të rrebta kundër atyre që e joshin popullin në rrugë. Shumë punëtorë dhe intelektualë qenkan flakur nga puna dhe fajet për to i paskan mbetur – mere me mend! – Shqipërisë.
Pastaj lexova ca faqe të reja të “Lumit të vdekur”.
Jakov Xoxa është shkrimtar i mirë. Ndryshe nga veprat e Ismail Kadares e Dritëro Agollit, vepra e tij s’ mund të quhet socrealiste, sepse bën fjalë për një kohë kur fshatarsia shqiptare ende s’ ishte e infektuar nga izmat. Mendoj – po s’ jam i sigurt – se autori qëllimisht iu ka shmangur realitetit socialist dhe, duke shkruar mbi dashurinë e Vitës e Adilit, me një gurë i ka rrëzuar dy molla: ka shkruar një roman që më shumë iu afrohet epikave shqiptare se sa romaneve socrealistë dhe ka propaguar për një dashuri të modelit rilindas. Adili është kosovar, i jashtëm, mysliman dhe i ardhur nga trevat e Veriut. Vita është myzeqare, autoktone, e krishterë dhe nga Jugu. Të dytë – ai me gatishmërinë e tij për ta dashur deri në vdekje, ajo me bukurinë, sentimentalitetin si dhe vuajtjet e përditshme – e plotsojnë njëri tjetrin për mrekulli.
S’ ka nevojë të them se gjuha e ”Limit të vdekur” është një shqipe e dalë nga kullojsa e një mjeshtri të madh. Një shqipe e pasur, e përpunuar thellë dhe shumë e dobishme për rininë që po rritet jasht kufijve të Shqiperisë. Unë jam i sigurtë se Jakov Xoxa, herëdo kurëdo, ka për të qenë shkrimtari më i preferuar i rinisë kosovare.
Tani që do ta mbyll këtë fletore, po i shënoj emrat e librave që duhet t’i porosis:
Reshat Agaj:” Kujtimet e Ismail Qemalit”. 322 West 49 Street. New York. USA
Martin Camaj: “Lirika mes dy moteve”, Ludmillestr 1. München 90. West Tyskland
Nexhat Peshkëpia: “Një zemër në mërgim”, 114 East 32 Street. New York 10016
Mihajlo Mihajlov: “Randevu me shkrimtarët sovjetikë”.

80. Këndvështrimi i një disidenti

Këtë herë pata fat: e gjeta librin e shkrimtarit Mihajlo Mihajlov ” Randevu me shkrimtarët sovjetikë.”
Siç shihet edhe nga emir i tij, ai nuk është as serb, as kroat, dhe para se të katandisej në burg, punonte në Fakultetin Filozofik të Zarës. Misha është pinjoll i dy emigrantëve rusë që ikën nga Rusia Cariste dhe, në kërkim të një vendi më të lirë, u vendosën në Mbretërinë e sapokrijuar të Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve.
I trimëruar nga reformat që ndodhën në Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit, Mihajlov vendosi ta vizitonte ish vendlindjen e të parëve të tij dhe, pasi u kthye në Jugosllavi, bëri një udhëpërshkrim të cilin e emërtoi “Verë Moskovite”. Mjerisht, pjesën e parë të udhërrëfimit të tij e bllokoi cenzura, pjesa e dytë nuk u botua fare, ndërsa autori u arrestua. Arrestimi i tij ishte i panevojshëm për arsyen e thjeshtë se libri i tij nuk kishte të bëjnte me Jugosllavinë. Çuditërisht, qeveritarët jugosllavë, pas presionit të qarqeve diplomatike, e futën Mihajlon në burg dhe ia morën të drejtën për botimin e pjesës së dytë.
Gjykuar nga mënyra si e ka shtruar lëndën, Misha Mihajlov të le përshtypjen e njeriut të sinqertë, relativisht mirë të informuar që – falë shoqërisë së lire kroate – ka dalë nga klishetë staliniste dhe shumë dukuri të shoqërisë ruse i trajton si mesjetare. Ai është liridashës e demokrat dhe gjatë qëndrimit të tij në Moskë e ndien veten si mi kanalesh, edhe pse Moska është një metropolë e madhe. Ai shkruan mbi kishat, njerëzit dhe, në veçanti, mbi jetën luksoze të qarqeve të larta.
Pastaj autori ndërron adresë dhe vendoset në Universitetin Shtetëror të Moskës, ku hedh në letër përshkrime të imtësishme mbi jetën që bëjnë bijt dhe bijat e funkcionarëve të lartë, mbi abortet e studenteve të reja, influencën e të huajve në kryeqytet dhe habinë e tij që asnjë intelektual rus nuk ka dëgjuar mbi Mirosllav Kërlezhën. Çuditet ai, dhe me të drejtë, se është rus dhe e do popullin e tij. Ndërkaq, ai na njofton se Kafka është goxha i respektuar dhe se Pilnjaku, Babeli e Gumilovi janë rehabilituar.
Pastaj autori referon mbi influencën e Maksim Gorkit, Grimit dhe Sholohovit në prozën ruse, duke mos harruar të cekë se këta janë të vetmit krijues që kanë provuar ta përmirsojnë konceptin e letërsisë socrealiste dhe, për ta nënvizuar tezën e lartpërmendur, citon dhe gjërat që ka mësuar nga Voznjesenskiy, Jevtushenkjo, Anna Ahmadulina, Anna Matvejeva, Rozhdestvenskij dhe Okuxhava.
Sa i përket këtij të fundit, dua të shtoj se Okuxhava është i vetmi zë që prekë dhe infekton zemrat e njerëzve të thjeshtë me një dashuri dhe respekt për të vërtetën. Okuxhava është gjeorgjias dhe vjershat e tij i këndon me gitarë. Mos qofsha gabim, unë duhet të kem një shirit me këngë të tij. Aty ai tallet me ankthin e popullit rus që ka qëlluar aq frikacak saqë vetë, villnetarisht, i çon Dacit (Stalinit) djathë dhe e falenderon që po e vret, keqtrajton dhe po e plaçkitë me egërsi. Përndryshe, ka dhe shkrimtarë tjerë që më lanë mbresa të mira: Dedincev, Paustovskij, Solzhenjicin, Kazakov, Nylin dhe Lipatov.
Përfundimisht: libri i Mihajlo Mihajlovit vlen të lexohet sepse njeriu mëson gjëra të reja mbi të përditshmën e letërsisë ruse. Pak më e mërzitshme është megalomania e autorit që nxjerr kokë në çdo bisedë që zhvillon me akademikët, shkrimtarët, poetët, muzikologët dhe artistët rusë. Ai, përpos tjerash, zhvillon edhe një bisedë të gjatë me çifutin Ilja Erenburg, që ka marrë pjesë në Luftën Civile të Spanjës. Unë kam provuar ta lexoj librin e Erenburgut, po nuk ma ka mbushur syrin.
Siç e ceka më lartë, Mihajlov është më i kënaqur me krijuesit e paraluftës dhe lavdëron vetëm Voznjesenskin, Tvardovskin dhe Solzhenjicyn-in. Duke qënë se Bashkimi Sovjetik gjithnjë po konsiderohet si vendlindje e “njeriut të ri”, Mihajlov ia kushton një kapitull të plotë qenies së ashtuquajtur “Homo Sovjetikus”. Ai konstaton se indoktrinimi i masave të gjëra të popullit ishte kapitulli i parë i Diktaturës Proletare por, çuditërisht, harron se të njejtën gjë e ka bërë edhe padroni i tij, shoku Tito. Ai shkruan mbi privilegjet që gëzojnë aparatçikët e rinj rusë dhe thotë se standardi jetësor në Bashkimin Sovjetik është dyzet përqind më i ulët se në Jugosllavi. Për të qenë e keqja më madhe, standarti jetësor i Kroacisë duhet të jetë mbase tetëdhjetë përqind më i lartë se ai i Kosovës.
Më në fund, Misha, si pinjoll i monarkisëve rus, shkruan edhe për rrezikun që mund të vijë nga Kina e Mao Ce Dunit. Ai hynë thellë e më thellë në misticizmin e fesë ortodokse dhe profetizon se ndryshimet që ndodhin në Rusi prekin interesat e krejt botës. Ai shkon edhe më larg dhe mendon se një ditë, eventualisht pas disa dekadash, Bashkimi Sovjetik do të prishet dhe Rusia përsëri do të afrohet me Evropën.
Për të qenë një burrë aq i arsimuar, autori më ka befasuar me ”kinofobinë” e tij. Mihajlov i quan kinezët barbarë dhe, pa dashur, dëfton se dituritë e tij janë të kufizuara. Si docent i një univerziteti kroat, ai duhej të kishte më shumë informata mbi kulturën kineze, japoneze e hinduse dhe, duke i quajtur kinezët barabarë, ai bën një gabim të madh.
Mihajlov është tifoz i mistikës evropjane. Kjo më jep të kuptoj se ”Vera Moskovite”, mbase pa dëshirën e tij individuale, nuk është e zhveshur nga tendencioziteti dhe megalomania sllave. E jashtzakonshmja është se ai ka një vit që kalbet në burg dhe kjo ia ka siguruar pondusin e një disidenti të madh. Ai krishtërimin e quan “fe të lirisë” dhe harron se krishtërimi nuk dallon shumë nga fetë tjera. Nën flamurin e Kryqit të Shenjtë u vranë përafërsisht 70 miljonë autoktonë të Amerikës Jugore. Me të njejtin flamur në ballë u nisën me mijëra e mijëra misionarë drejt Afrikës dhe Azisë Juglindore për t’ i zhdukur fetë tjera dhe për ta mbjellë farën e Fesë Katolike. Me të njetin flamur në ballë u nis edhe islamizmi drejt Evropës, por unë s’ e kam të qartë se çfarë të mirash u solli shqiptarëve. Ka pesqind vjet që na ka rënduar mbi supe me ugurolla e allahrazolla dhe na ka mbajtur në Mesjetë.
Sot në Kongo të Afrikës punojnë mbi 1600 misionarë suedezë dhe i mësojnë zezakët e vegjël suedisht. Pyes veten çka i nxitë këta të krishterë të shkojnë aq larg, kur kanë me qindra e qindra ardhacakë këtu që nuk e flasin suedishten aq mirë?! Po flasin suedezët për drejtësi e të Drejta të Njeriut, po shkojnë dhe i suedizojnë zezakët e ngratë. Pse s’ na lejojnë neve, shqiptarëve, t’ i mësojmë suedezët shqip?
Mirë ia ktheu miku im, Sherman Adams, një suedezi.
“Ne s’ jemi racistë, o, zoti Sherman,” i tha një suedez. “Ne jemi të mirë me juve.”
“Pajtohem qind për qind,” i tha ky. “Me neve s’jeni, sepse lëkura ynë duket edhe prej sëlargu. Po me këta zezakët e bardhë nga Greqia, Turqia e Jugosllavia si jeni?”

81. Magjia e librave

Këto ditë po lexoj më shumë. Drita e fortë e diellit, cicërrima e mëllenjave, zënkat e harabelave dhe gjallëria e njerëzve ma kanë kthyer dëshirën për veprim, por ende s’ jam përcaktuar me çka do të merrem. Rexhep Ismajli më shkruan se ende s’ kemi ndonjë roman të hajrit dhe shqiptarët, në mungesë të epikës së mirë, gjenuine, po lexojnë romane në serbishte.
Ai ka të drejtë. Përderisa s’ jemi shtet apo republikë më vete, duhet të kënaqemi me atë kostumin e stërqokës që mblodhi pendlat e zogjve tjerë dhe i nxiti të tallen me te. Që Kosova s’ ka asgjë të vetën është krejt e natyrshme. Kosova luftoi për t’ u bashkuar me shtetin amë, por e humbi luftën. E tradhëtoi shteti amë, gjegjësisht kuqaloshët e saj. Tani ajo bën jetën e një rezervati indian dhe është e rrethuar nga të gjitha anët me tela. Lexuesi i ngratë, edhe nëse di të lexojë, e ka të ndaluar të lexojë ato që do. Aspak më mirë nuk janë lexuesit e Shqipërisë Marksiste.
Kosova, vendlindja e të parëve tanë dardanë, është në pozitat e Kongo Kinçasës. Ajo po zien si ena mbi zjarrin e kulturës serbe. Çfarë po i ofron Serbia? Serbishte në radio, serbishte në televizion, serbishte në kino dhe serbishte rreth e përqark. Qysh të shkruaj shqiptari i ngratë, që cenzorët serbë rrinë mbi supet e tij dhe bëjnë çmos që ta shndërrojnë në “jugosllav.” Është e vërtetë se shumica dërmuese janë distancuar, por disa nga motrat tona po vallëzojnë faqe në faqe me ta. Do Zoti e nuk ndodhë ajo që ka ndodhur me popujt tjerë si hetitet, asirët e inkat. Thonë se nuk ka të keqe që po përzihen racat. Mjerisht, të gjitha përzierjet e deritanishme kanë qenë në dëm të popullit shqiptar.
Janë dy tema që po më çfaqen shpesh në kokë: Lëvizja kaçake e trevave të Karadakut dhe Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi. Si e para, ashtu dhe e dyta, kërkojnë studime këmbëngulëse dhe resurse materiale. Dikur, kur isha në vendlindje, kërkova të punoja në Caravajkë, se atje i kisha malsorët rreth e përqark, dhe ata mundeshin të më informonin në vend. Kësaj mund t’ i shtohet edhe prezenca e ambientit, malet, kodrat, shtëpitë, natyra. Edhe nëse kishin harruar diçka, ata do më furnizonin me impulse dhe ide. Këtu duhet të lexoj natë e ditë dhe të mos e gjej asnjë gjurmë. Ka këtu artikuj, deklarata, por ato nuk qëndrojnë në këmbë.
Kështu do duhet të veproj edhe me rastin e Faikut. Kujt s’ i kam shkruajtur deri sot, kend s’ e kam pyetur, por shpresat se do gjej diçka konkrete kanë mbetur minimale. Dikush thotë se letrat, librat dhe raritetet e Faikut i ka marrë Qerim Panariti. Dr Hamdi Oruçi më shkruan se ato gjenden në bodrumin e Anton Athanasit, një pasaniku shqiptar, që i ndihmonte edhe Faikun, edhe Nolin. Të tjerët thonë diçka tjetër.
Sa i përket Ikjes së Madhe, gjegjësisht shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi dhe vuajtjeve që kanë përjetuar në fazën e parë, ajo është një temë e kalibrit mastodontal. Asaj s’ i afrohet njeriu që s’ e ka dellin e një klasiku si Lev Tolstoy, Viktor Hugó apo Vilhelm Moberg. Ajo temë do dhe resurse materiale e përgaditje me bazë, sepse ai që pretendon të shkruaj për tragjedinë e qindra e mijëra vetave duhet të qëndrojë gjatë kohë në Turqi, ta zotërojë turqishten dhe të ketë ndihmën e organeve lokale. Ajo punë s’ bëhet sa hapë e mbyllë sytë.
E njejta gjë vlen edhe për Lëvizjen kaçake, në të cilën ishte i përfshirë një popull i tërë, që nga Malësia e Gollakut e deri te Bjeshkët e Rugovës. Deri tani, me përjashtim të Nebil Durakut, që shpesh herë më merte në shtëpinë e tij e më qeraste me kafe, askush nuk më ka folur për Azem Galicën dhe gruan e tij. Por Nebili dinte shumë dhe ishte i vetmi burrë që e mbante një fotografi të vogël të Shote Galicës. Nuk më ka dëftuar as kush ia kishte dhënë, as nëse do të shkruante diçka, qoftë edhe fiktive, për ta kujtuar Azem Bejtën dhe luftëtarët e tij.
Librat që po marr nga Kosova dhe Shqipëria po m’i zbukurojnë ditët. Më në fund, prezenca e tyre magjike po më nxit të mentoj, të ëndërroj dhe të merrem me diçka që po i jep domethënie të përditshmes time. Përndryshe, njerëzit që nuk lexojnë bien në plogështi dhe shplahen edhe nga ajo kulturë që kanë marrë në bankat e shkollës. Ç’ bën njeriu që nuk lexon? Gdhihet në mëngjes, pi kafen dhe merret me dëngla. Ate bënim në Uppsalë.
Mbrëmë e pashë një dokumentar nga Republika e Kongos. Ai që ka lexuar diçka mbi Republikën e Shqipërisë, ka lexuar dhe mbi Republikën e Kongos. E tërë frazeologjia që përdornin zyrtarët e saj, ëndrrat për një shoqëri të barabartë, komuniste, për një armatë që përbëhet nga gratë e burrat dhe për një luftë totale kundër imperializmit amerikan janë ingrediancat e rëndomta të qeverisë kongoleze.

82. Trishtimi
Sot në mëngjes, deri sa po e hapja dritaren, kisha çfarë të shihja: pishat që kemi përballë dritares ishin veshur me borë. Sikur s’ jemi në agun e muajit maj, por në fillim të janarit. Pastaj u ula dhe lexova një artikull mbi të folmen e Çamërisë dhe mbi ndryshimet e dialekteve të Toskërisë. Kjo është hera e parë që po lexoj mbi ikjen kolektive të vëllezërve çamë, mbi shpërnguljen e suliotëve nga fshatrat e tyre, si dhe mbi egërsinë e Ali Pashait, që Plommer e quan luan të Janinës.
Nuk e di pse, por sa herë që lexoj mbi shprishjen tonë, më mbërthen një trishtim i madh. Në këso çastesh nuk e ndiej veten preshevar, kosovar apo shqiptar, por vetëm shqiptar. Dhe sa më shumë që lexoj mbi të shkuarën tonë, më duket sikur po i shoh ato kohëra, po shkel nëpër ato vende dhe zemra më mbushet me mallë. N’ ato çaste dua të brof në këmbë dhe të endem nëpër pishnajat e Helsinglandës dhe të mos ulem në asnjë vend. Dua të qaj për ata vëllezër që na i përzuri Greku e Jugosllavi nga vendlindja e tyre. Dua të qaj për ata ulqinakë që tani, verë për verë, duhet të presin mysafirë kosovarë, sepse qeveria e Malit të Zi nuk iu gjen punë. Dua të qaj për ata kushërinj të mi që, për pak vjet, u shëndrruan në turq dhe harruan zakonet e të parëve.
Sot kisha katër orë mësim. Rrugës, deri sa po zbrisja në Söderhamn, po e vrisja mendjen nëse ia vlente barra të kthehem në Uppsala dhe të regjistrohem si doktorant. Sikur s’ jam i prirur t’ i shpenzoj edhe katër vjet për diçka që s’ është e lidhur me popullin tim. Edhe pse herë pas here më shkojnë në nerva ca merhumë, unë jam shqiptar dhe s’ e mohoj që ai – dhe vetëm ai – është populi im. Përderisa të egzistojë një shqiptar i vetëm, do ta dua ashtu siç është. Do t’ i kujtoj ata që ishin dhe do ta përpiqem për ata që vijnë.
Duke qenë se kisha një pushim të gjatë, i rash kryq e tërthor rrugës kryesore me shpresa se do ta gjej ndonjë libër të hajrit. Bleva romanin e Strindbergut “Dhoma e kuqe” dhe, pasi e konsultova pronaren e librarisë, porosita edhe ”Xhuxhin”, ”Mariamnen” dhe ”Barabain” e shkrimtarit Per Lagerkvist.
Përndryshe, asgjë tjetër. Qoshqet, reklamat, pluhuri, monotonia, këto janë ato që e karakterizojnë këtë qytet. Söderhamn-i nuk më pëlqen aspak, sepse është i mërzitshëm për vdekje. As banorët e tij nuk i dua, se kanë vetulla të bardha dhe m’ i kujtojnë derrat. Kjo, pra, s’ i bën burra të këqinj. Bash përkundrazi, ata janë shumë të sjellshëm. Aq më tepër pronarja e librarisë, që për pak s’ e rrokullisi shitoren për hatrin tim. Vajta pastaj në bankë dhe pagova llogaritë – qiranë, elektrikun, liçencën e Radio-televizionit dhe sigurimin e shtëpisë. Gjendja jonë s’ është alarmuese, por këtë muaj kemi harxhuar shumë. Kam porositur libra nga Shqipëria, Jugosllavia, Suedia dhe Bashkimi Sovjetik. Përpos kësaj, e kam blerë edhe një komplet të filozofit Hartwig Frisch “Historia e Kulturës Botërore”, të cilin e kam ndër mend ta lexoj faqe për faqe.
Po afrohet muaji maj dhe duhet lëvizur. Një ditë duhet të shkoj në Stockholm e të konsultohem me zonjën Bergman. Mos tjetër, ta pyes të paktën se ku duhet ta hedhë një gurë për çeshtjen tonë kombëtare?! Atje poshtë, në Jugosllavi, po dergjen me qindra e qindra të burgosur politik. As “të lirët” nuk janë më të lirë. Një zgjidhje e mirë do t’ ishte sikur të mundesha të shkoj e të qëndroj në Shqipëri, por ajo tokë është e përvluar nga zjarri i marksizëmit. Nëse vazhdoj të rri këtu, duhet të merrem me diçka. Jysna është një fshat i vogël dhe tepër larg Suedisë Qendrore. Edhe me ata të organizatës Amnesty International e kam humbur kontaktin. Për të qenë e keqja më e madhe, ata kanë krijuar bindje se të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë janë stalinistë. Ata pakë shokë që kisha dikur, tani i kanë qepur buzët dhe s’ donë të flasin keq për Shqipërinë. Nuk donë ta përdhosin dinjitetin e saj në sytë e të huajve.
Moti është ngrysur përsëri. Duke u kthyer në fshat, prisja që do binte shi, por ka filluar të bie borë. Po resh një borë e trashë, shtëllunga shtëllunga, dhe po ma kujton nëntorin. I tërë qielli po zien nga klithmat e pulëbardhave. Duke e vështruar borën përjashta, kam përshtypje se shkrimtari, para se të bëhet zbavitës, duhet të jetë i saktë dhe t’ i kthejë argumentet mbarë e prapësht për ta nxjerrë në pah të vërtetën. Vetëm të vërtetën… (vazhdon)

Fragmente të nxjerra nga veprat ”Reflektime të pathëna të një shkrimtari” dhe ”Gjymtyrët e një vetmie”. 1970

Shkruan: Ramadan Rexhepi