SHPËRNDAJE

Republika e Kosovës mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme këto ditë, të cilat u karakterizuan me pak parregullsi e me një renditje të re të subjekteve politike të cilat garuan të vetme dhe me koalicione, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja.
Ajo që padyshim është karakteristika kryesore e këtyre zgjedhjeve, është rezultati tejet pozitiv i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila përmbysi çdo parashikim e profeci në lidhje me këto zgjedhje.
Populli i Kosovës, shprehi zhgënjimin e thellë duke ndëshkuar me votë ata të cilët e sollën vendin në gjendje të rëndë politike e ekonomike prej lirisë e së këndejmi dhe reflektoi me një disponim të ri, duke e legjitimuar me votë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si subjektin më të fuqishëm, të dalë nga këto zgjedhje parlamentare.

Nga ky disponim i qytetarëve të Kosovës, duket se çlirimi i tretë është tepër afër! Çlirimi prej një sistemi dhe mendësie prapanike politike.
Në këtë kontekst edhe Lugina ka nevojë të çlirohet si Kosova!

Spektri politik shqiptar i Luginës dhe popullsia shqiptare e kësaj ane në veçanti, duhet t’i gëzohet rritjes dhe fuqizimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qeverisë së re, që me gjasë pritet të dalë prej saj.
Ndoshta, është shpresa e fundit, për një vendosje të re, të raporteve mes shqiptarëve andej e këndej kufirit shtetëror të Kosovës.
Në fakt rritjes dhe faktorizimit të VETËVENDOSJE!-s duhet t’i gëzohen të gjithë shqiptarët që jetojnë të shpërndarë nëpër Ballkan, meqë me rritjen e saj forcohet edhe ideja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm.

VETËVENDOSJE! ka qenë mbase organizimi i vetëm politik i cili e ka ngritur zërin për padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Luginës, që vijnë parreshtur nga Beogradi dhe neglizhencës politike e dozave të brishta nacionale që deri më tani kanë ardhur nga Prishtina.

Pos aktiviteteve të shumta politike e intelektuale në favor të shqiptarëve të Luginës, VETËVENDOSJE! ka kundërshtuar fuqishëm miratimin e ligjit, që kufizonte popullin e Kosovës për të marrë pjesë në luftërat jashtë territorit të saj, e që hipotetikisht në ndonjë situatë konflikti ndëretnik, popullsia shqiptare e Luginës do të vuante për mbështetjen e vëllezërve shqiptarë të Kosovës.
Gjithashtu VETËVENDOSJE! ka potencuar gjithmonë se kushtetuta e Kosovës, në vazhdën e ndryshimeve që duhet bërë brenda saj, duhet ta ndërroj edhe qasjen karshi shqiptarëve të Luginës.
Edhe për bisedimet mes Kosovës e Serbisë, VETËVENDOSJE! gjithmonë ka theksuar se çështja e shqiptarëve të Luginës është dashur të trajtohet në veçanti gjatë këtyre bisedimeve.

Klasa politike shqiptare e Luginës, duhet të ndërtojë raporte të reja e funksionale si me autoritetet e reja qeverisëse të Kosovës ashtu edhe me ato që do të dalin nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

Popullata shqiptare e Luginës, si kurrë më parë, meriton një qasje më konstruktive, si nga faktori politik nacional, po ashtu edhe nga vetë politikanët lokalë shqiptarë.

Kjo popullatë, nuk e ka më luksin, që fatin e vet, ta lidhë me politikat destruktive, keqmenaxhuese dhe me interesa të ngushta personale dhe klanore.
Motivet nacionale duhen të ngjallen sërish dhe interesi kombëtar duhet të nxirret në radhë të parë, për t’i mos lënë hapësirë zhvillimit dhe afirmimit të kauzave të rreme e demagogjive.
Ka gati dy dekada, që çështja e shqiptarëve të Luginës vetëm debatohet, kurse zgjidhjet për problemet e shumta me të cilat përballet kjo popullatë, mbesin vetëm iluzione!

Fëmijët shqiptarë të Luginës, nuk meritojnë të rriten me frikën se për të ardhmen e tyre vendosin faktorë politik të korruptuar e pakualifikuar.
Rinia shqiptare e Luginës, nuk meriton të jetë e margjinalizuar dhe e diskriminuar tej mase.
Burrat dhe gratë shqiptare të Luginës, kanë vuajtur deri më tani aq shumë, sa nuk i premton koha t’i përmbushin ambiciet dhe egot personale të politikanëve shqiptarë të Luginës.
Të moshuarit shqiptarë të Luginës, kanë kontribuar për mirëqenien dhe lirinë që e gëzojmë sot, jo për një pleqëri si kjo që e përjetojnë: pa dinjitet e shëndet!
Popullsia shqiptare e Luginës, duhet ta përjetojë ndryshimin dhe ta reflektojë atë, siç bënë edhe bashkëkombësit e tyre në Kosovë.
E vetmja shpresë është një VETËVENDOSJE!

Drilon Hyseni