Udhëtimi pa viza nga 1 janari – Sa muaj afat në pasaportë duhet të keni që të udhëtoni në Shengen? – Telegrafi

0
47

Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës, ka ndarë disa informata të rëndësishme lidhur me afatin e pasaportës për qytetarët që duan të hyjnë në zonën Shengen pas 1 janarit 2024, kur edhe pritet të liberalizohen vizat.

Sipas kësaj faqeje, për të hyrë në zonën Shengen është e rëndësishme që qytetarët të kenë pasaportë me afat të mjaftueshëm.

Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen.

“Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars, 2024 dhe deklaroni tek policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars, 2024 atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor, 2024 pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në muajin e fundit është rritur numri i qytetarëve të cilët kanë shprehur interesim për t’u pajisur me pasaporta. Kjo për shkak se nga 1 janari i vitit të ardhëm, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Kërkesat për pasaporta janë rritur edhe nga qytetarët e pjesës veriore të vendit.

Numri i përgjithshëm i pasaportave të lëshuara në katër komunat veriore është 5 mijë 800.

Zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj në një intervistë ka bërë të ditur se numri i aplikantëve për pasaporta në Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Ndërsa, për qytetarët në veri, Camaj thekson se një mijë persona kanë aplikuar më shumë për pasaporta, krahasuar me vitin e kaluar 2022.

Më 18 prill të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024. /Telegrafi/