SHPËRNDAJE

1.

Në Preshevë, duket që së shpejti për shkak të brishtësisë së qeverisjes lokale të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme lokale. Meqë, nga maji i vitit të kaluar kaluan pak më shumë se 1/4 e mandatit katërvjeçar, e gjatë kësaj kohe ishin dy koalicione qeverisëse (njëri koalicion APN-PVD zgjati nëntë muaj, e tjetri edhe pse më i gjerë, duket që do të zgjas pak më shumë se katër muaj të qeverisjes lokale) qeverisjes lokale (dramës) në Preshevë i kanë mbetur edhe tri akte. Jemi në pritje të hapjes së perdeve dhe nisjes së aktit të dytë të dramës të quajtur: Qeverisja lokale në Komunën e Preshevës.

Prandaj ju, djem të rinj e vajza të reja preshevarë duhet ta keni parasysh faktin, që:

Partia Demokratike Shqiptare është në vazhdën e përpjekjes për ribashkimin e anëtarëve të saj (10 këshilltarëve komunal të larguar nga PDSH), në mënyrë që pas një periudhe kohore 13 mujore të rikthehet sërish në qeverisje;
Alternativa Për Ndryshim që provoi qeverisjen lokale për nëntë muaj në koalicion me Partinë për Veprim Demokratik, do të tentojë të merr sërish qeverisjen lokale; si dhe
Partia për Veprim Demokratik që qeverisi e po qeveris ende për 13 muaj Komunën e Preshevës, duke riformatuar vetëm partnerët e koalicionit qeverisës, do të përpiqet të qëndrojë edhe më tutje në qeverisje.

Duke pasur parasysh këto apetite të partive politike për qeverisje lokale në Komunën e Preshevës, ju djem të rinj e vajza të reja preshevarë, duhet të ktheni kujtesën e para një viti, kur, Partia Demokratike Shqiptare doli me moton: “Fuqishëm të bashkuar”; Alternativa Për Ndryshim doli me moton: “Për ndryshime” dhe Partia për Veprim Demokratik, doli me moton “Ne jemi shpëtimi” (nuk po përmendi partitë e tjera, sepse këto tri parti kanë dëshmuar që kanë numrin më të madh të votuesve, dhe janë faktorë për formimin e qeverisë lokale në Preshevë). E që për 13 muaj qeverisjeje, që të tri këto parti, si ato në pushtet, po ashtu edhe ato në opozitë dështuan të arsyetojnë moton e fushatës zgjedhore të vitit 2016. E para (PDSH) u nda në dy pjesë (dhjetë këshilltarë u larguan dhe formuan grupin e tyre parlamentar) E dyta (APN) nuk arriti të ndryshonte gjë. Sikundër që e treta (PVD) nuk shpëtoi asgjë.

Prandaj, pyetjet që pritet të shtroheshin nga ju djemtë e rinj dhe vajzat e reja preshevarë për këto tri parti, do të duhej të ishin këto:

Për PDSH-në:
-Kur keni qenë të ndarë (në zgjedhjet e vitit 2012 dolët të parët me 17 këshilltarë) që herës së kaluar, në vitin 2016 u paraqitët të bashkuar si kurrë më parë? dhe,
-A mbetët të bashkuar si kurrë më parë apo u ndatë pas motos së vitit 2016, të bashkuar si kurrë më parë?

Për APN-në:
-Në cilën periudhë kohore patët qeverisur ju, e që pretendonit se me ju do të ndryshonte qeverisja? dhe,
-Cilat ishin ndryshimet që bëtë?

Për PVD-në:
-Nga kush pretendonit të na shpëtonit? dhe,
-A na shpëtuat nga ata që pretendonit të na shpëtonit?

Dhe…

Partitë Politike në Preshevë do të duhej t’u përgjigjeshin pyetjeve, në qoftë se ju të djemtë e rinj e vajza të reja preshevarë i kërkoni. Por, mos pritni një gjë të tillë, sepse, jo domosdoshmërish do të duhej, që të bënin këtë akt.

2.

Ju Parti Politike mund të mos jua ktheni përgjigjet të rinjve e të rejave preshevarë (gjithnjë në qoftë se jua shtrojnë) që aq shumë kanë besim te ju.
Por, ama, e keni për obligim të mos i zhgënjeni të rinjtë e të rejat preshevarë. Për të mos zhgënjyer të rinjtë e të rejat preshevarë, ju duhet të vazhdoni përpjekjet që të ndryshoni diçka, e që të bashkuar të mund të shpëtoni atë, që ka mbetur për të shpëtuar!
Përpiquni ta bëni këtë, e mos bëni shaka me popullatën e as me djemtë e rinj e vajzat e reja preshevarë me fjalë të mëdha e të pa kripë!
Mos bëni shaka me djemtë e rinj e vajzat e reja preshevarë, që aq shumë kanë varur shpresat te ju.
Sepse, një ditë, jo vetëm që mospuna juaj do t’ju ndëshkojë ju, por do të rrezikojë edhe mirëqenien e djemve të rinj e vajzave të reja preshevarë.

3.

Ju djem të rinj e vajza të reja të Preshevës: Meqë jeni në pritje të zyrtarizimit të rënies së qeverisjes aktuale lokale (dhashtë Zoti të mos bjerë) dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë komunë, të keni parasysh, që qeverisjes së ardhshme lokale (dramës) i kanë mbetur edhe tri akte.
Para se të hapen perdet dhe të nis akti i dytë, mundohuni të jeni të bashkuar si kurrë më parë.
Sepse:
Ju djem të rinj e vajza të reja preshevarë: Jeni bashkimi.
Ju djem të rinj e vajza të reja preshevarë: Jeni ndryshimi.
Ju djem të rinj e vajza të reja preshevarë: Jeni shpëtimi!

Dhe, mos harroni që:
Ju djem të rinj e vajza të reja preshevarë:
I jepni gjallëri dhe kuptim jetës në Preshevë dhe jeni pasuria e Preshevës!
Ju paçim për gjatë kohë!

 

Shkruan: Ferid Selimi