“Po ndodhi, fiton Putini”, ndihma për Ukrainën shteron në Vitin e Ri?

0
48

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga vendet që kanë dhënë më shumë ndihmë për Ukrainën që prej përballjes së saj me agresionin brutal të Rusisë.

Por burimet financiare të përdorura të SHBA-së për këtë vend janë duke shteruar, dhe nevojitet një autorizim i Kongresit për fonde të reja. Republikanët atje po bëjnë rezistencë, duke ngjallur shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë e cila paralajmëron se  fondet e planifikuara për Ukrainën do të përfundojnë në fund të vitit dhe presidenti rus, Vladimir Putin mund ta fitojë luftën, nëse Kongresi nuk i jep dritën jeshile financimeve të reja.

Një letër e dërguar nga Drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Buxhetit të SHBA, Shalanda Young, drejtuesve të të dy dhomave të Kongresit tregon se po të mos veprojë parlamenti i SHBA, qeveria nuk do të ketë më fonde për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën ose për t’i ofruar pajisje Kievit nga rezervat e veta ushtarake, duke filluar nga Viti i Ri.

“Ne na kanë mbaruar paratë dhe pothuajse koha. Nuk ka asnjë kusi magjike nga e cila mund të nxirren fondet. Nëse do të ndërpritet fluksi i armëve dhe pajisjeve nga SHBA, kjo do ta gjunjëzonte Ukrainën në fushën e betejës”, tha Young.

Ky fakt jo vetëm që do të rrezikonte sukseset e Ukrainës, por do të rriste gjasat e fitores së rusëve. “Nëse ndihma jonë anulohet, do të shkaktojë probleme të konsiderueshme për Ukrainën.”

Edhe nëse partnerët ndërkombëtarë do ta rrisin mbështetjen e tyre, ata nuk do të ishin në gjendje të kompensojnë ndihmën e SHBA, thotë ajo. Young solli si shembull Departamenti Amerikan të Mbrojtjes, i cili ka përdorur tashmë 97% të fondeve të miratuara për Ukrainën. Paratë e destinuara për ndihmën ekonomike për Ukrainën tashmë janë përdorur në tërësi.

Presidenti amerikan, Joe Biden, demokrat, i ka kërkuar Kongresit në tetor që të miratojë një pako ndihme në vlerë të 106 miliardë dollarëve për Ukrainën dhe Izraelin, por disa republikanë janë bërë pengesë e kërkojnë në këmbim të mbështetjes së tyre një politikë më të ashpër kufitare në kufirin me Meksikën.


Top Channel